[There are no radio stations in the database]

KUR E SHIKOVA GJYSHEN TIME

Një ditë shkova te gjyshja në vizitë për ta përshëndetur. Sa herë që e vizitoja, kishte qejf të bisedonim e të m’i rrëfente kujtimet e së kaluarës. Duke e dëgjuar me vëmendje, imagjinata më iku diku në një luginë tjetër! Po e shikoja trupin e saj të dobët, në kurrizin e kërrusur dhe në fytyrën e rrudhosur. Pastaj nisa të kthehesha mbrapa me kohë e ta kujtoja rininë e saj.

Tregohet se duke qenë vajzë shkëlqente me gjallëri dhe rini. Merrej si shembull te të tjerët për bukurinë dhe dukjen e saj. Çdo i ri shpresonte të fejohej me të. Sa shumë ishte gëzuar gjyshi kur gjyshja e pranoi kërkesën e tij të fejohej me të.

Pastaj kaluan ditët e vitet, derisa gjendja e saj erdhi deri këtu ku gjendet sot.

Është interesant fakti se si popujt e tjerë që nuk janë myslimanë, kur e arrijnë pleqërinë, dëshirojnë të rrëfejnë për kujtimet e së kaluarës së tyre, mirëpo nuk gjejnë askënd t’i dëgjojë. Problemi qëndron se besnikëria, respekti dhe mbajtja e lidhjeve janë fjalë që rrallëherë i gjen në fjalorin e tyre.

Fillova të mendoja për veten, ku jam dhe sa vjeçe jam: dhjetë, njëzet, më shumë se kaq…? Vjen koha kur do të përshëndetem pa kthim me periudhën e rinisë e të gjallërisë e do të nisë tatëpjeta, ku këmba ime do të shkelë në fillimin e rrugës së pleqërisë. Rinia atëherë do të mbetet vetëm kujtim që sillet nëpër mendje.

Me vete thashë: Sikur gjyshja në rini të ishte si të rejat e sotme, të painteresuara për fe, vallë, si do ta shikonte ajo tani të kaluarën e saj? Me bindje të plotë besoj se do të shprehte mërzinë dhe keqardhjen e saj për ditët që i harxhoi në dëfrime, në argëtim dhe në dhënien pas epsheve, sepse në fund i mbeti vetëm dhembja dhe kujtimi i keq. I mbeti edhe ndjenja e frikës për të ardhmen, për një ditë ku njeriu do të shpërblehet për çdo vepër të tij, e madhe apo e vogël.

E falënderova Allahun që u bëra pjesë e karvanit në rrugën e udhëzimit dhe mirësisë. M’u bë e qartë që jeta ime, sado që të jetë e gjatë dhe sado shumë që të kënaqem, treni i rinisë nuk do të qëndrojë në vend, por do të lëvizë derisa të vijë dita të më paralajmërojë për hyrjen time në stacionin e pleqërisë.

Ato pak vjet që i kalojmë në argëtim dhe dëfrim të kotë, çfarë meritojnë realisht? Çka do të themi për veten, kur kurrizi do të kërruset dhe fytyra do të rrudhet? A do ta bartim me vete të keqen dhe lakminë në periudhën e pleqërisë?

Nuk ka vajzë më të lumtur se ajo që Allahu ia ruajti fenë dhe nderin, sepse shpresohet që ajo të jetë pjesë e atyre që Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Shtatë persona Allahu do t’i fusë në hijen e Arshit të Tij, atë ditë kur nuk ka hije tjetër përveç kësaj hije: imami i drejtë, i riu që u rrit në adhurimin e Allahut… ”[1]

Interesantja këtu është se ky nder dhe shpërblim do të merret në një ditë të rëndë, të vështirë dhe të nxehtë për njerëzit. Pejgamberi, alejhi selam, e përshkroi këtë gjendje me fjalët: Në Ditën e Ringjalljes, Dielli do të jetë aq afër me njerëzit saqë distanca ndërmjet tyre do të jetë një milje. Njerëzit do të mbulohen nga djersët sipas veprave të tyre: disa deri në nyjat e këmbëve, disa deri në gjunjë, disa deri në mes dhe disa në fyt (duke thënë këtë, i Dërguari i Allahut  vendosi dorën në gojën e tij).”[2]

[1] Buhariu (660), Muslimi (1031).

[2] Muslimi (2864).

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)


[There are no radio stations in the database]