Dijetari Dr. Salih el Megamesi, Allahu e ruajttë, thotë: “Kur flet me Allahun, nuk ke nevojë ta mbushësh saldon e celularit tënd.
Nuk je i detyruar t’i përsërisësh fjalët e tua ose të frikësohesh se do të të kuptojë në mënyrë të gabuar, për arsye se në realitet, Ai të kupton!
Kur flet me Allahun nuk ke nevojë për fjalën: Më vjen keq se të pengoj në këtë kohë… a ka mundësi të më japësh një minutë nga koha jote?!
A e di se çka është më e rëndësishme në gjithë këtë?!
Ti nuk je nevojtar ta rrisësh zërin tënd që të të dëgjojë! Pa e folur asnjë fjalë, Ai di çdo gjë! I Vetmi, i cili nuk turpërohet që t’ia tregosh të gjitha!
Më e çuditshme është se Ai në realitet e di këtë tregim. Megjithatë, Ai të dëgjon dhe nuk lodhet dhe nuk të thotë: ‘Folëm rreth kësaj teme një mijë herë! Të lutem të mos flasim më rreth saj herëve të tjera.’
I Vetmi, nga i cili nuk turpërohesh nga të qarët para Tij. Kur je në sexhde je në një mbledhje shumë të rëndësishme me Të.
I Vetmi, të cilin e do prej një kohe të gjatë edhe pse nuk e ke takuar asnjëherë.
I Vetmi, i cili të do, por ti nuk e di.
Ndoshta qan nga vështirësitë dhe problemet e tua e pastaj fle, por Allahu nuk fle, Ai i di të gjitha çështjet dhe problemet e tua.
Ngadalëso e mos nxito!
Ai i mbikëqyr çështjet e tua në fshehtësi të cilat po t’i kishe ditur do të qaje nga gëzimi.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: ‘Nëse bashkohet qielli me tokën, Allahu për të devotshmit do të hapte vrima të dilnin nga ajo.’
A nuk e lexoni fjalën e Allahut: “Kush i frikësohet Allahut i gjen rrugëdalje”. (Et-Talak: 2)
Të mos bëhen pengesë e jotja shpresat e mëdha, për arsye se një lutje që ia drejton Allahut ta mundëson të pamundshmen.
Vetëm se thuaj: O Zot!!”
Nga arabishtja: Irfan JAHIU