Kur gazetari rren, si t’i besoj gazetës?

Rrena është një ves i shëmtuar, një dukuri negative dhe një gjest i ulët njerëzor, i dënuar edhe nga feja. “Me të vërtetë, trillojnë gënjeshtra vetëm ata që nuk u besojnë argumenteve të Zotit dhe ata janë gënjeshtarë të vërtetë”, thotë Zoti në Kur’an (16:105).

Nga dhjetë urdhëresat e Zotit në fenë katolike, urdhri i nëntë ua ndalon besimtarëve katolikë gënjeshtrën. Por çfarë është rrena dhe kujt i thuhet rrenacak? Gënjeshtra (apo rrena gegërisht) është një lloj mashtrimi në trajtën e një të pavërtete të shprehur me qëllim mashtrimin, shpesh me qëllim të mëtejshëm mbajtjen e një sekreti apo namit (famës), apo për të shmangur një ndëshkim.

 

Shpesh njerëzit gënjejnë për të arritur një përparësi apo për të mbuluar një gabim apo një veprim të ndaluar me qëllim shmangien e kritikës apo dënimit. Gënjehet po ashtu edhe nga mirësjellja, turpi, frika, në mbrojtje të personave të tjerë apo për të asgjësuar planet e kundërshtarit. Disa njerëz janë gënjeshtarë patologjikë. Në reklama dhe në propaganda punohet pjesërisht me gënjeshtra, trillime dhe mashtrime.

Shoqëria jonë po mundohet ta ngrejë nivelin e standardeve në të gjitha fushat e jetës, duke u përpjekur që çdo ditë të hedhë hapa konkretë e t’i jetësojë në realitet. Kjo nuk është vetëm vullnet i shoqërisë, por edhe një kërkesë nga Bashkimi Evropian, i cili kushtëzon vendet e paintegruara në të që t’i plotësojnë këto standarde. Por kur njeri jeton me realitetin dhe mundohet ta bëjë sa më të prekshëm, sheh se ende jemi larg standardeve të kërkuara. Nuk kam për qëllim tani standardet e infrastrukturës apo ato që kërkojnë miliona e miliarda euro, por kam për qëllim disa standarde që nëse ne vetë nuk i ndërtojmë dhe nuk i ngremë, nuk ka kush që mund të na ndihmojë. Një ndër këto standarde është edhe niveli i debatit dhe gjuha e përdorur në to.

Ajo që më shtyu të shkruaj dhe të jap opinionin tim ishte pikërisht debati i fundit në emisionin “Rubikon” me temën “ Shqiptarët, lufta në Siri dhe Islami”. Kohët e fundit në këtë emision po zë vend edhe debati për Islamin dhe muslimanët në Kosovë dhe jashtë saj. Në mesin e panelistëve ishte edhe gazetari Vehbi Kajtazi , “hulumtuesi” i cili në momentin kur bën shpifje ndaj figurave fetare, “hoxhallarëve”, të cilët tani janë trageti i momentit, dhe i humb argumenti, në atë moment atij nuk i vjen turp edhe të rrejë. Ajo që e bëri edhe më interesant rrenën e tij gjersa gjendej në studion e KTV-së ishte fakti se në studion e TV VALI-t ishte ftuar pikërisht Dr. Shefqet Krasniqi, për të cilin ai edhe rrejti.

Fatkeqësia e botës së komunikimit modern është se ajo tani po zbulon edhe rrenat. Kjo fatkeqësi për gazetarin bën që hoxhës t’i dërgohet në studio një mesazh dhe për një moment ta demantojë atë rrenë të tillë duke thënë: “Unë nuk e përkrah mendimin e dijetarëve të cilët thonë se gruaja nuk bën të vozitë, edhe pse ka shumë argumente për t’i përmendur se gruaja duhet të vozisë, por tani nuk është momenti t’i përmendim. Dhe sa për kureshtjen e shikueseve, gruaja ime ka patentë shoferi dhe vozit veturën.”

Mbeti dilema. A thua vallë ne jemi duke kontribuar për ngritjen e nivelit të debatit apo për uljen e tij me gjëra të ulëta, edhe pse kjo shkon në dëm të shoqërisë dhe përfiton ai i cili do të çojë agjendën e tij në vend, edhe nëse është në pyetje shpifja, rrena dhe shantazhi? Gazetaria si një profesion shumë fisnik, që u ofron njerëzve informata, a thua dita-ditës po zbehet dhe po e humb besueshmërinë e saj kur dihet se në mesin e gazetarëve ka edhe njerëz të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të cilët nuk kursejnë ta ulin nivelin e debatit me përdorimin e asaj që me shekuj tek shqiptarët është llogaritur si injorimi më i madh, që t’i thuash dikujt “po rren!” apo “rrencë”. A e dini pse? Sepse burri shqiptar nuk ka gënjyer. Derti ynë mbetet. Nëse një gazetar apo dikush tjetër rren në komoditetin më të madh, shtrohet pyetja nëse ai është pak më ngushtë apo është në pyetje karriera dhe interesi i tij, çfarë është në gjendje të bëjë? E ky është derti më i madh.

Në fund na mbetet të shikojmë se çfarë hapash do të marrë “Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës”, me moton e tyre “Të përmirësojmë dhe mbrojmë gazetarinë”. A do ta luajnë rolin e tyre vetëm duke mbrojtur gazetarin dhe gazetarinë apo kanë për qëllim të përmirësojnë edhe gazetarin dhe gazetarinë? Sepse unë prapë them: kur gazetari rren, si t’i besoj gazetës?!

Opinion nga Rashit Zylfiu