Kur lejohet prishja e agjërimit?

Pyetje: Cilat janë arsyet që e lejojnë prishjen e agjërimit?

Përgjigje: Arsyet që lejojnë prishjen e agjërimit janë sëmundja dhe udhëtimi, të cilat janë përmendur në Kuran.

Arsye është edhe kur gruaja është shtatzënë dhe ka frikë për veten apo foshnjën.

Arsye është edhe kur gruaja e ka fëmijën ende në gji, e cila po të agjërojë ka drojë për veten apo fëmijën e saj.

Arsye po ashtu është edhe kur dikush ka nevojë ta prishë agjërimin për ta shpëtuar dikë, të shpëtojë ndonjë të fundosur në det apo ndonjë person të rrethuar me zjarr. Ashtu që, do të ketë nevojë për ta prishur agjërimin që ta shpëtojë atë njeri.

Po ashtu lejohet prishja e agjërimit nëse ka nevojë për ngrënie për tu përforcuar për xhihad në rrugë të Allahut.

Kjo është prej arsyeve që e lejojnë prishjen e agjërimit, ngase Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, shokëve të tij në betejën e Fet’hut (Çlirimit) u tha: “Ju nesër do të takoheni me armikun, mosagjërimi është përforcim për juve, andaj mos agjëroni”.[1]

Kur ekziston ndonjëra prej arsyeve që e lejojnë prishjen e agjërimit, dhe njeriu e prishë agjërimin, ai nuk e ka obligim që pjesën e mbetur të ditës ta agjërojë.

Nëse e zëmë se dikush e ka prishur agjërimin për ta shpëtuar dikë nga rreziku, ai mund të vazhdojë të hajë edhe pas shpëtimit të atij njeriu.

Ngase ai e ka prishur agjërimin për një shkak i cili ia lejon prishjen e agjërimit.

Pra, ky nuk e ka obligim që pjesën e mbetur të ditës ta agjërojë, ngase shenjtëria e asaj dite zhduket me këtë shkak që ia lejoi prishjen e agjërimit.

Duke u nisur nga kjo themi se mendimi i vërtetë në këtë mesele është: nëse i sëmuri i cili nuk ka qenë duke agjëruar, shërohet gjatë ditës, ai nuk e ka obligim që pjesën tjetër të ditës ta agjërojë.

Nëse udhëtari i cili po ashtu nuk ka qenë duke agjëruar, arrin në vendin e vet gjatë ditës nuk e obligim të agjërojë pjesën e mbetur.

E njëjta gjë është edhe me gruan e cila është në hajz dhe nuk është duke agjëruar, mirëpo gjatë ditës pastrohet, edhe kjo nuk e ka obligim që pjesën tjetër të ditës ta agjërojë.

Të gjithë këta lloj njerëzish, e kanë prishur agjërimin për ndonjë shkak i cili e lejon prishjen e agjërimit.

Kjo ditë, sa u përket këtyre personave nuk e ka shenjtërinë e agjërimit, sepse sheriati ua ka lejuar prishjen e agjërimit, andaj nuk duhet që pjesën e mbetur të ditës ta agjërojnë.

Kjo mesele është e kundërt me rastin kur gjatë ditës merret vesh se ka hyrë muaji i Ramazanit, ku të gjithë njerëzit pjesën e mbetur të ditës duhet ta agjërojnë, dallimi mes dy meseleve është i qartë.

Sepse kur vjen lajmi gjatë ditës, atëherë dihet mirë se në këtë ditë është obligim të agjërohet, mirëpo këta kanë arsye për pjesën e parë të ditës me mosdije për hyrjen e muajit.

Pra, po ta kishin ditur fillimisht se kjo ditë është e Ramazanit, padyshim se e kanë obligim ta agjërojnë.

Ndërsa, ata të tjerët, që i përmendëm më lartë, atyre u është lejuar prishja e agjërimit me dije, pra, ka dallim të qartë mes dy rasteve.

përktheu: Omer Berisha



[1] Muslimi në kapitullin e Agjërimit (1120)