Rtv Pendimi

KUR PREMTON, NUK REALIZON!

Islami si fe gjithëpërfshirëse përkujdeset plotësisht për atë që i bën dobi individit dhe shoqërisë. Nga ato dobi është edhe ajo se Islami i rregullon raportet e individit me tjetrin edhe në shitblerje e fqinjësisë dhe poashtu në marrëveshje dhe premtime dhe u kërcënohet ashpër atyre që i thyejnë premtimet e tyre. Kjo vjen nga arsyeja se dëmet e mosrespektimit të marrëveshjeve janë të mëdha si për individin ashtu edhe për shoqërinë, kurse Islami kësaj tematike i dha përkujdesje të veçantë, madje erdhi me paralajmërim të rëndë për ata që e neglizhojnë çështjen e saj: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!”. Saf 2-3, dhe “Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin”. Rad 20, dhe “Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës”. Isra 34, dhe “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin, pasi ta keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorë-zënësin tuaj; vërtet, Allahu e di se çfarë bëni ju”. Nahl 91, e shumë ajete tjera. 

Pasiqë Allahu ka urdhëruar në respektimin e marrëveshjeve dhe besëlidhjeve, e që janë nga llojet e premtimeve, atëherë mosrespektimi i tyre është nga devijimi në moral, madje ai që i thyen ato ka bërë bashkim mes dy të ligave: mes veprimit të ndalesës hyjnore dhe përshkrimit të atij që e thyen marrëveshjen me cilësi që nuk duhet t’i përkasin një besimtari. Realizimi i premtimeve dhe i marrëveshjeve është nga cilësitë e besimtarëve, madje Allahu i lavdëroi Pejgamberët e Tij me këtë cilësi të mirë dhe e veçoi si cilësi krahas cilësive tjerave, për gjurmët dhe ndikimin e madh që e len mbi atë që e posedon. Për Ismailin, alejhi selam, tha: “Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet”. Merjem 54.

Posedimi i kësaj cilësie po të kishte qenë vetëm se përngjasim me moralin e të dërguarve të Allahut do të mjaftonte, e të mos flasim për mirësitë e tjera që i sjell kjo cilësi në jetën e besimtarit. Dhe e kundërta e saj, mosrespektimi i premtimeve dhe thyerja e besëlidhjeve, një besimtarit i sjellin shumë dëme dhe për këtë arsye sheriati e qortoi ashpër atë që nuk i respekton ato.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: Kur flet gënjen, kur i besohet diçka nuk e mban amanetin, dhe kur premton nuk realizon”. Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia deh paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo: Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

O ju musliman, arabët në kohën e injorancës së tyre e madhështonin çështjen e respektimit të marrëveshjeve dhe besëlidhjeve, kurse sahabiu Auf ibën Numan, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili e kishte përjetuar periudhën e injorancës, na e përshkruan më së miri se sa e kanë urrejtur thyerjen e premtimeve dhe amaneteve. Thotë: “Në kohën e injorancës të vdes një njeri nga etja ka qenë më e mirë për të se sa ta tradhton amanetin dhe ta thyen premtimin”.

Pasiqë thyerja e premtimeve në kohën e injorancës është konsideruar si vepër e ligë e cila buron nga morali i dobët, çka do themi për ata që i thyejnë besëlidhjet e i tradhtojnë amanetet dhe janë nga muslimanët, edhe atë duke e ditur se realizimi i premtimeve është detyrim dhe afrim kah Allahu. Pasha Allahun është për të çuditur!! Injorantët e madhështonin çështjen e premtimeve dhe besëlidhjeve, derisa e cekin edhe vet se më mirë për ta ka qenë të vdiset si i uritur se sa të tradhton, kurse njësuesit e Allahut edhe pse e dinë se dënimi është i rëndë prapë e veprojnë atë.

O ju musliman, mosrespektimi i premtimeve dhe thyerja e tyre është një nga shenjat e moralit të ligë tek ai që e posedon këtë cilësi. Dhe si mos të jetë ashtu kur ai gënjen në fjalët dhe thëniet e tij dhe nuk është i sinqertë në atë që e thotë dhe nuk e realizon atë që e premton. Është pyetur imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, se si i njeh rrenacakët? Është përgjigjur: Ata njihen me premtimet e tyre. Ajo që më së shumti dhemb është përhapja e lajmeve se jo muslimanët janë shumë precizë në respektimin e terminëve dhe përkujdesjen e tyre për sa i përket premtimeve, derisa arriti çështja që disa nga muslimanët të i marin si shembull në respektimin e premtimeve dhe terminëve.

Kjo padyshim se është për të çuditur!! Injorantët para Islamit dhe jobesimtarët pas Islami e madhështojnë çështjen e besëlidhjeve dhe terminëve, kurse plot nga muslimanët e veprojnë të kundërtën e saj!! Le t’i frikohen Allahut ata që i thyejnë premtimet e i tradhtojnë amanetet dhe nuk i respektojnë marrëveshjet dhe besëlidhjet, se ata janë mëkatar dhe se me veprat e tyre dëmtohen vetvetiu si individë, mirëpo i dëmtojnë edhe të tjerët: “Allahu nuk u ka bërë padrejtësi atyre, por ata i kanë bërë padrejtësi vetvetes”. Ali Imran 117.

Ajo që duhet të dihet për sa i përket realizimit të premtimeve është se ai që i thyen ato, ose i bën me qëllim ose pa qëllim. Nëse ndodh që ta harron premtimin e tij apo të pengohet ta realizon atë që e premtoi, nuk ka gjynah, mirëpo atij i mbetet që të përshpejton në qartësimin e arsyetimit të tij me qëllim që ta mbyll derën për të depërtuar shejtani dhe ta kënaq atë që i ka premtuar. Ai që e thyen premtimin me qëllim, pa asnjë pengesë që merret si arsyetim në sheriat, bën gjynah dhe e dëmton veten dhe i dëmton të tjerët.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME