lule-islame

KUR SHPIRTI ËSHTË I KËNAQUR

Ishte një njeri i varfër, i cili kujdesej për nënën, gruan dhe fëmijët e tij dhe njëkohësisht punonte si shërbëtor te një pasanik. Ishte i sinqertë në punën e tij dhe atë e kryente me përsosmëri. Mirëpo një ditë nga ditët mungoi në punën e tij. Kjo nuk ishte traditë tek ai. Më herët asnjëherë nuk kishte munguar.

Padroni i tij tha në vete: “Patjetër t’ia jap një dinar më tepër që të mos mungojë më. Me siguri mungon që t’ia shtoj rrogën e tij, ngase ai e di se kam nevojë për të.”

Me të vërtetë kur erdhi të nesërmen, ia dha rrogën dhe i shtoi në të një dinar.

Punëtori nuk foli gjë dhe nuk e pyeti padronin e vet për rritjen e rrogës. Pas një periudhe, punëtori sërish mungoi. Padroni u zemërua shumë dhe tha: “Do t’ia pakësoj një dinar nga rroga” dhe me të vërtetë ia pakësoi. Punëtori as që foli gjë dhe as që e pyeti se pse ia zvogëloi rrogën e tij.

Pasaniku u habit nga fakti se punëtori i tij nuk reagoi fare dhe i tha:

– Ta rrita rrogën nuk më pyete gjë, ta zvogëlova rrogën dhe nuk fole gjë!

Punëtori i tha:

– Herën e parë kur mungova, Allahu më furnizoi me fëmijë. Kur më shpërbleve me një dinar, thashë në vete: “Kjo është risku i fëmijës që erdhi me të!” Kur mungova herën e dytë, më vdiq nëna. Kur më pakësove nga rroga për një dinar, thashë në vete: “Kjo ishte risku i saj dhe shkoi me të.”

Nuk ka më mirë për një shpirt se sa të jetë i kënaqur me atë që ia dhuroi Allahu dhe të mos varet nga njeriu se a do t’ia shtojë riskun e tij apo jo!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU