Rtv Pendimi

KURANI DHE SHKENCA

Në Kuran vazhdimisht përsëritet thirrja drejtuar besimtarëve për të kërkuar dituri. Në të njëjtën kohë aty paraqiten një mori observimesh për shumë fenomene si p.sh. si qiejt, shiun, bimët, kafshët, lindja dhe perëndimi i Diellit, shenjat gjeografike, procesi i krijimit të njeriut, planetët, etj. Për t’i eksploruar këto fakte shkencore duhet ti studiojmë! Në shumë ajete vërehet qartë rëndësia e kërkimit të diturisë dhe përdorimit të intelektit për të kuptuar shenjat – argumentet e Allahut xh.sh. në Tokë, kudo që janë ato. Sa u përket ajeteve kuranore të cilat na thërrasin që ta studiojmë hapësirën ku jetojmë si dhe hapësirën e gjithësisë, jenë të shumtë. Ne kemi zgjedhur vetëm një prej tyre.

Zoti xh.sh. në Kuran thotë:

“A nuk shikojnë ata me vëmendje nga qielli se si mbi ta e kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti? Edhe tokën se si e kemi shtrirë e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura. Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen. Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluar njëri mbi tjetrin. (Kaf 6-10)”[1]

Kurani nxitë që ta studiojmë shkencën

Nuk njohim ndonjë fe prej feve, e as libër prej libra­ve qie­­llor, e cila ka thirrur në përdorimin e logjikës dhe shfry­të­zi­­min e saj në të menduar dhe konkludim, lidhjen e pasojave me shkaqet dhe rezultateve me premisat, vështrim dhe për­kuj­tim, qortim të pasivizimit të aftësisë të cilën Allahu xh.sh. ia fali njeriut për të soditur atë që është rreth tij, shmangies nga dëshmitë e Allahut në persona dhe hori­zonte, vende dhe po­puj, shembuj dhe leksione që kaluan në jetën e popujve dhe ajo që u pa prej rezultateve të veprave dhe moralit, në nivel të individëve, popujve, pushteteve dhe kombeve, ashtu siç veproi për këtë Kurani.[2]

Për rëndësinë e kërkimit të diturisë Zoti xh.sh. në Kuran thotë:

“…Thuaj: ‘A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?’ Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.”(Zumer 9)

Shumë shkencëtarët musliman të nxitur nga mësimet Kuranore për të studiuar e hulumtuar, iu përkushtuan jo vetëm shkencës islame, por edhe shkencës në përgjithësi. Këta shkencëtarë bënë zbulime të rëndësishme si në fushat e shkencave natyrore ashtu edhe të atyre humane – shoqërore. Të arriturat e muslimanëve në këto fusha shkencore janë të pamohueshme. Numri i shkenctarve që kontribuan në zhvillimin e shkencës është shumë i madh mirëpo ne do i përmendim vetëm disa prej tyre: Abdul Malik ibn Kureib el-Esmai (740 – 828 e.r.) – konsiderohet si shkencëtari i pare musliman i cili kontribuoi ne zoologji, botanike, dhe përkujdesjen e kafshëve; Al-Khuarizmi ishte gjithashtu edhe astronom dhe gjeograf i njohur. Njihet si themeluesi i algjebrës. Emri algjebër rrjedh nga libri i tij i famshëm “Al-Xhabr ua-al-Mukabilah”; Abu Musa Xhabir Ibn Haijan (vdiq 880 e.r.) – i njohur më emrin Geber, kontributi i tij më i madh ishte në fushën e kimisë, njihet edhe si babai i kimisë; Abd El-Rrahman El-Sufi (Azofi) (903 – 986 e.r.) – në botën perëndimore është i njohur si Azofi, kontribuoi në astronomi dhe ishte nder dy astronomët më të njohur gjatë mesjetës; Ebul Kasim Halaf ibn El-Abas El- Zahravi (Albukasis) (936 – 1013 e.r.) – shërbeu si fizikanë në oborrin mbretëror të mbretit El-Hakami II të Spanjës, gjithashtu ishte një kirurg i dalluar. Pacientët dhe studentët nga gjithë vendet e Evropës vinin tek ai për mjekim si dhe këshilla; Ebu Raihan Muhamed el-Biruni (973 – 1048 e.r.) – ishte një astronom, matematikan, fizikanë, gjeografë, gjeologë dhe historian i shquar; Ibn Khalduni (1332 – 1395 e.r.) – njihet si themeluesi dhe babai i sociologjisë dhe i shkencave të historisë; Abu Abd Allah Muhammad al-Idrisi (1099 – 1166 e.r.) – kontributi i tij është në gjeografi, hartografi, zoologji, botanik. Ai gjithashtu dha ndihmese të madhe në bimët mjekësore; Ebu Ali el-Husein ibn Abdullah ibn Sina (981 – 1037 e.r.) – është i njohur në filozofi, enciklopedi, matematik dhe astronomi, ku ishte astronomi më më famë gjatë kohës së tij. Kontributi kryesor i tij ishte në shkencën e mjekësisë. Në botën perëndimore ishte i njohur me emrin Avicena; Si dhe shumë muslimanë tjerë që kontribuuan në zhvillimin e shkencës.[3]

Kurani përmban shumë fakte shkencore

Kurani i cili ka zbritur në gjysmën e parë të shekullit të VII p.e.r. përmban shumë fakte shkencore, në të cilën shkenca i ka verifikuar nëpërmjet teorive dhe aparaturave të ndërtuara për këtë qëllim. Fillimisht shumë shkencëtarët të saj kohe dhe më pas, pushtetarë dhe udhëheqës së shteteve të ndryshme të Mesjetës apo dhe njerëz i përbuznin shkrimet që ndodheshin në Kuran dhe i quanin si trillimet e Muhammedit a.s. Por zhvillimi i shkencës në vendet Muslimane dhe dhënia e mendimeve dhe e teorive shkencore në Evropë në kundërshtim me dogmat kishtare bëri që të verifikohen një e nga një shkrimet që ndodheshin në Kuran.

Kurani ka shumë fakte shkencore si: Gjeografisë, Biologjisë, Mjekësisë, Astronomisë, Fizikës, Ekonomia, Historia etj., disa prej tyre janë zbuluar vetëm në shekullin e kaluar. Këto zbulime në kohen e Muhamedit a.s, as që ishin menduar se mund të ekzistojnë, si dhe nuk kishin mundësi as që të zbulohen më tekniken e asaj kohe. Me përputhjen e plotë të dhënave shkencore, jo vetëm të zbuluar në 2 – 3 shekujt e fundit me shkrimet e shenjta, tregon që këto nuk janë trillime të dërguarit të Allahut por fjalët e të Madhërishmit, Fuqiplotë që ka formuar gjithçka që ndodhet në Tokë dhe në Hapësirën e pafund të Gjithësisë.

Kurani ka shumë fakte shkencore. Në pa mundësi që ti cekim të gjitha këto fakte, ne i kemi zgjedhur vetëm disa prej tyre: Kurani përshkruan prejardhjen e Tokës, bukurit e sajë, lëvizjen e planetëve, si dhe paralajmëron fundin e jetës në Tokë si dhe fundin e Planetëve. Kurani na tregon se jeta në planetin Tokë e ka prejardhjen prej ujit. Kurani na tregon se njeriu nuk është krijuar nga sperma, por nga pika e saj e farës. Kurani tregon se lëngu i cili hidhet nga mashkulli (sperma) është përcaktues i gjinisë. Kurani tregon se Toka dhe planetët , yjet, satelitet, si dhe asteroidet e kometat, janë të krijuar nga e njëjta materie  gazo – pluhurore. Kurani tregon se malet kanë formë kunjash, si dhe janë në lëvizje të vazhdueshme. Kurani tregon se si krijohen retë dhe reshjet. Kurani na tregon për shumë ndodhi që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit para shpalljes së tij. Kurani gjithashtu flet edhe për ekonomin, juridiken, e që në kohen e shpalljes së tij kanë qenë të pa imagjinueshme.

Për këto fakte shkencore Zoti xh.sh. na tregon në Kuran ku thotë:

Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente. (Bekare 164)”

Muhammedi a.s. nuk ishte as astronom, gjeograf, biolog, mjek apo jurist, që ti studionte këto fusha dhe ti shkruante këto teori kaq të sakta dhe precize para 1400 viteve ku shkencëtaret e asaj kohe as qe mund ti paramendonin e jo më ti studionin dhe të shkruanin për to. Por edhe nëse supozojmë se Muhammedi a.s. ishte shkencëtari më i mirë i kohës, Ai a.s. nuk do të kishte mundësi ti dinte dhe ti studionte këto fakte që ndodhën në Kuran, për arsye se teknologjia e asaj kohe nuk do të ja kishe mundësuar që ti studionte këto fakte për të cilat i pasqyruam më lartë.

Se Muhammedi a.s. ishte njeri që nuk dinte shkrim lexim pa as një dit shkollë na tregon edhe Zoti xh.sh. në Kuran:

“Thuaj (Muhammed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i Tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën. (Araf 158)”

Përfundim

Vlera e diturisë për fenë Islame është e veçantë. Këtë e vetëton fakti, se në shumë ajete kuranore Zoti xh.sh. ju benë thirrje muslimaneve që të vrapojnë pas kërkimit të diturisë. Çdo njeri i cili analizon ajetet e Kuranit kupton lehtësisht se Islami të obligon në arritjen e diturisë si dhe zhvillimin e shkencës. Të nxitur nga mësimet Kuranore që bëjnë thirrje në kërkimin e diturisë, shumë musliman iu përkushtuan jo vetëm shkencës islame, por edhe shkencës në përgjithësi.

Kurani ka shumë fakte shkencore nga lëmit e Gjeografisë, Biologjisë, Mjekësisë, Astronomisë, Fizikës, Ekonomisë, Historisë etj. Muhammedi a.s. ishte njeri i pa shkolluar, nuk dinte shkrim lexim. Në fund lind pyetja, si ka mundur që ti dinte, dhe ti shkruante një njeri analfabet, i cili nuk dinte shkrim lexim këto të dhëna shkencore? Pa dyshim se përgjigja e vetme dhe e saktë është se Kurani, është fjalë e Zotit xh.sh., i Gjithëditurit, të Urtit, të Gjithëfuqishmit, si dhe Muhammedi a.s. ishte njeri si gjithë të tjerët, mirëpo ishte i dalluar me shpallje hyjnore d.m.th. i derguar i Zotit xh.sh.

[1] Të gjitha ajetet kuranore në këtë punim janë marr nga KURAN – I, i përkthyer dhe komentuar në gjuhen shqipe nga H. Sherif Ahmeti

[2] Ebul-Hasen Ali en-NEDEVIJJ, ISLAMI – ndikimi i tij në civilizim dhe merita e tij për njerëzimin, Përktheu nga arabishtja Bashkim ALIU, KOMITETI I BASHKUAR SAUDIT – NDIHMË KOSOVËS, Prishtinë 2002, f. 72

[3] Më gjerësisht rreth muslimaneve që kontribuuan në zhvillimin e shkencës mund te shikoni në: BIOGRAPHY Muslim Scholars and  Scientists, Dr W. Hazmy C.H. Dr Zainurashid Z. Dr Hussaini R. (http://www.social-sciences-and-humanities.com/PDF/Biographies-of-Muslim-Scholars-and-Scientists.pdf); si dhe në uebfaqen http://mendohu.ucoz.com/blog/2009-03-20-150

M.sc. Artan S. Mehmeti

TË NGJAJSHME