Rtv Pendimi

KURANI (HUTBE)

Një fjalë shumë domethënëse që është transmetuar nga një dijetar i hershëm është: Nëse ke mundësi që edhe kokën me e lëvizë me argument, atëherë bëje.

Kjo fjali na e tregon rëndësinë që duhet ta ketë besimtari rreth argumentit, të jetoj me argument e ta dojë argumentit.

Kjo në rend të parë është për çështjet fetar, porse edhe në çështjet e dynjasë vlen e njëjta gjë.

Sot ka shumë njerëz që flasin për fe.

Sot çdokush dinë të flet për fe.

Sot gjithkush e jep mendimin e vet për fe dhe i jep analizat e veta rreth fesë!

Por kur të shikosh se çfarë thonë, do të shohësh se nuk kanë asnjë argument fetar.

Për këtë arsye, e kemi obligim t’i dimë burimet e fesë islame, ashtu që t’i marrim argumentet fetare në Islam. Kështu pra, burimet kryesore të fesë Islame janë:

Kurani.

Hadithi.

Ixhmaja apo konsensusi i dijetarëve islam. Që do të thotë se të gjithë dijetarët islam janë të një mendimi për një dispozitë të caktuar fetare.

Kijasi apo krahasimi i dispozitave të vjetra me të rejat. P.sh. Lëndët narkotike nuk kanë qenë në kohën e Kuranit, porse pasi ato janë dehëse dhe e humbin mendjen e njeriut, atëherë e marrin të njëjtën dispozitë me të alkoolit, madje edhe më të rëndë, pasi që janë më të dëmshme.

Kurani:

Allahu na u drejtohet neve me këtë ajet:

﴿لَقَدۡ أَنزَلۡنَآ إِلَيۡكُمۡ كِتَٰبٗا فِيهِ ذِكۡرُكُمۡۚ أَفَلَا تَعۡقِلُونَ١٠﴾

“Na, ua kemi shpallur juve Librin, në të cilin gjendet krenaria juaj. Vallë, a nuk po kuptoni?” (Enbija, 10)

Në Kuran qenka ‘krenaria jonë’, qenka ‘përmendja jonë’, me të jemi bërë ‘me emër’.

Sa më shumë që punojmë me të, merremi me të, e lexojmë atë, aq më shumë kemi hise në këtë ‘krenari’. Në të kundërtën, sa më shumë që largohemi prej tij dhe e lëmë anash, kemi edhe zbehje të kësaj krenarie.

Në lidhje me argumentet është një rregull që thotë se çdo argument duhet me qenë i saktë.

Kështu që sa i përket Kuranit, kjo gjë është e prerë, sepse Allahu thotë:

﴿إِنَّا نَحۡنُ نَزَّلۡنَا ٱلذِّكۡرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ٩﴾

“Ne, me të vërtetë, e kemi shpallë Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë (origjinalitetin e tij).” (Hixhër, 9)

Kurani është ruajt në dy mënyra: Përmendësh dhe i shkruar.

Ne e dimë se numri i sahabëve është më tepër se njëqind mijë, andaj kishte prej tyre që e mësonin përmendësh, kishte që e shkruanin dhe e mësonin. Pastaj këta ia recitonin suret e mësuara përmendësh të Dërguarit të Allahut ﷺ , e po ashtu i përsërisnin edhe mes vete. Pra kishin kohë të mjaftueshme, për njëzet e tri vite, që ta ruajnë mirë edhe në gjokse e edhe në shkrim. Pastaj këta ua transmetuan gjeneratës tjetër, ashtu siç ua mësoi Pejgamberi ﷺ , me zgjatime e me shqiptime.

Dua t’i bëjë disa dallime mes Kuranit dhe librave të njerëzve:

Fillimisht dallimi mes Kuranit dhe cilitdo libër tjetër që e ka shkruar njeriu, është sikurse dallimi mes Allahut dhe njeriut.

Sa është numri i atyre që e dinë të gjithë Kuranin përmendësh dhe sa është numri i atyre që e mësojnë ndonjë libër tjetër që nuk ka të bëjë me fenë Islame?! Në të vërtetë as që krahasohen, sepse numri i hafizëve të Kuranit është aq i madh, saqë nuk dihet saktësisht, ngase çdo javë e çdo muaj e çdo vit kemi hafizë të rinj në botën islame.

Sa është numri i atyre burrave që i shërbejnë Kuranit me përkthime, e sa është i atyre që i shërbejnë ndonjë libri tjetër?

Kurani është i përkthyer, jo vetëm në të gjitha gjuhët por, edhe brenda një gjuhe ka shumë përkthime? P.sh. Në gjuhën shqipe i kemi më shumë se pesë përkthime, në gjuhën angleze mbi tridhjetë përkthime. Ju lutem në cilin libër tjetër e gjeni këtë shërbim?!

Ku janë pastaj librat që e shpjegojnë Kuranin, pra librat e tefsirit, e që janë me mijëra dhe nuk dihet saktë numri i tyre. Ndërsa merre cilindo libër të shkruar nga dora e njeriut, e që ka me miliona kopje, nuk do gjesh se ka mbi dhjetë shpjegime?!

Pastaj nëse themi: ‘Në Kuran nuk ka gabime gjuhësore (arabe),’ nuk ia kemi dhënë hakun, sepse Kurani është burim i gjuhës së pastër arabe. Ata që e mësojnë gjuhën arabe, kur t’i marrin shembujt për ndonjë rregull gjuhësore letrare apo gramatikore, në rendë të parë i marrin nga Kurani.

Pastaj nëse flasim për të dhënat historike të shumta që janë në Kuran, e që nuk gjenden në asnjë prej librave tjera.

Po ku janë edhe të dhënat e shumta Kuranore, që flasin për shumë fenomene ekonomik sikurse janë dëmet e kamatës, të mirat e lëmoshës dhe të zekatit, pastaj dispozitat e shitblerjes e të borxhit, madje ajeti i borxhit është ajeti më i gjatë në Kuran.

Po ashtu nëse flasim për fenomenet shoqërore, shohim sa bukur flet Kurani rreth familjes, rreth dispozitave të martesës e të problemeve martesore. Pastaj eliminim e racizmit etj.

Më thoni në cilin libër ka kushte para se të lexohet?! Duhet të jesh i pastër, me abdes, ata që i dinë shkronjat arabe duhet ta zgjasin në filan vendi, e duhet ta shkrijnë në filan vendi. Nëse e lexon filan ajeti duhet të bësh sexhde. Në cilin libër të qetësohet zemra sikurse me Kuran? Me cilin libër shërohen të sëmurit sikurse me Kuran?!

Prej dyshimeve që janë thënë rreth Kuranit është: Se Kuranin e ka shkruar Muhamedi ﷺ ?

Së pari, vet Muhamedi ﷺ  nuk ia atribuon vetës së tij Kuranin, madje ai është i zhveshur nga kjo gjë. Si ka mundësi që ai ta shkruaj Kuranin e t’ia atribuoj dikujt tjetër? Ajo që ndodhë është se njerëzit i kopjojnë fjalët apo mendimet e të tjerëve, dha ia atribuojnë vetës së tyre, por të ndodh që ta shkruaj vet e t’ia atribuoj dikujt tjetër nuk është e logjikshme. Vallë, a gjejmë në Kuran ndonjë mendim të Muhamedit ﷺ, a gjejmë ndonjë analizë të tij? A gjejmë se i vajton të afërmit apo fëmijët që i kanë vdekur në moshën e re?

E tërë kjo dëshmon se ky libër nuk është burim i Muhamedit ﷺ  por është nga Allahu i Lartësuar.

Ndërsa sa i përket dyshimit se Muhamedi ﷺ  mund të ketë pasur mësues arab. Edhe ky dyshim është i paqëndrueshëm, ngase arabët nuk kishin dije fetare, e as të dhëna rreth shumë Pejgamberëve, përveç disa ritualeve të trashëguara nga Ibrahimi ﷺ . Poezitë e tyre ndryshonin në thelb me suret e Kuranit. Poezitë arabe flasin rreth luftërave, pastaj rreth lavdërimit të disa fiseve dhe nënçmimit të fiseve tjera. Përmenden urtësi të ndryshme të dala nga përvojat e të urtëve. Përmenden devetë, shpatat, alkooli e të ngjashme. Por të vjen diçka e re, formë e re, mësime të reja, të dhëna të reja; Dita e gjykimit, histori Pejgamberësh, besim i pastër larg çdo idhujtarie, fjalor i një rangu tjetër…

Shikojeni:

﴿إِذَا زُلۡزِلَتِ ٱلۡأَرۡضُ زِلۡزَالَهَا١ وَأَخۡرَجَتِ ٱلۡأَرۡضُ أَثۡقَالَهَا٢ وَقَالَ ٱلۡإِنسَٰنُ مَا لَهَا٣﴾

“Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme. Dhe toka të nxjerrë atë që ka në brendinë e saj. E njeriu të thërret: Çka ka ajo?!”(Zelzele, 1-3).

 

﴿أَلۡهَىٰكُمُ ٱلتَّكَاثُرُ١ حَتَّىٰ زُرۡتُمُ ٱلۡمَقَابِرَ٢﴾

“Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, fëmijëve, pozitës)! Derisa t’i vizitoni varrezat (të vdisni).” (Tekathur, 1,2).

 

﴿ٱقۡرَأۡ بِٱسۡمِ رَبِّكَ ٱلَّذِي خَلَقَ١ خَلَقَ ٱلۡإِنسَٰنَ مِنۡ عَلَقٍ٢ ٱقۡرَأۡ وَرَبُّكَ ٱلۡأَكۡرَمُ٣﴾

“Lexo në emër të Zotit tënd, i cili ka krijuar (të gjitha). Krijoi njeriun nga gjaku i ngjizur (embrioni).” (Alak, 1-3)

E tërë kjo tregon se ka tjetër shije, tjetër nivel, se është burim Qiellor, e nuk është burim tokësor apo njerëzor.

 

Hutbeja e dytë:

Pasi Kurani qenka Fjalë e Allahut dhe i zbritur prej Tij, shtrohet pyetja: Përse atëherë një pjesë e madhe e njerëzve nuk besojnë në të?

Njerëzit të cilëve ju ka arritur Kurani dhe nuk e besojnë, mund t’i ndajmë në tri kategori:

Një grup ia kanë frikën Kuranit, dhe kjo për shkak të vet muslimanëve. Sikur po thonë: Nëse është Kurani kështu si janë këta (muslimanët) atëherë nuk na duhet! Pra ne jemi sebep që ata nuk e lexojnë atë dhe nuk e kanë shijuar bukurinë e tij.

Një grup tjetër, janë xheloz ndaj fesë së tyre, e duan fenë e vet që i përkasin dhe nuk duan ta lënë atë. Këta e dinë se po e lexuan Kuranin me kureshtje, nuk i lë pa ua ndryshuar mendjen dhe rrjedhimisht do ta lënë fenë e vet, andaj edhe nuk merren me të.

Grupi tjetër, janë njerëz kundërshtarë të fesë, njerëz që ecin pas epsheve, ëndjeve personale. Të tillët duan të jetojnë pa rregulla, pa turp, pa ndonjë kufi. E këta Kurani nuk i lë të qetë. Jo, sepse këtu ka rregulla, këtu ka edukatë. Nuk i lë rehat! S’ka prekje të moralit, s’ka alkool, s’ka shthurje…

Si do që të jetë, këto janë arsyet kryesore që nuk e besojnë apo nuk e lexojnë Kuranin. Megjithatë kushdo që ka dëshirë të jetë më afër Allahut le të jetoj me Kuran; Ramazani është bërë muaji më i mirë, sepse në të ka zbritur Kurani. Xhibrili është meleku më i mirë sepse ai e zbriti Kuranin. Muhamedi ﷺ  ishte Pejgamberi më i zgjedhur, sepse atij i zbriti Kurani. Po, kështu me Kuran besimtari bëhet i zgjedhur.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH