thumbs_b_c_f49b3859bf8452ce9304e7a72dfbf8f4

Kurti: Eksportet dhe importet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë janë gjithnjë duke u shtuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë të Austrisë, takoi dhe bashkëbisedoi me bashkatdhetarë dhe miq të Kosovës nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Austri, transmeton Anadolu.

Në këtë takim kryeministri Kurti i cili shoqërohej nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se Austria është një vend partner, aleate e mike e Kosovës, e cila ka kontribuar edhe historikisht edhe aktualisht, edhe sa i përket mbrojtjes e sigurisë, por edhe sa i përket ekonomisë e kulturës, për çka shteti dhe populli i Kosovës janë gjithmonë mirënjohës.

Me këtë rast, ai tha se politikanë, aktivistë austriakë që nga vitet 90-ta e deri në kohët e fundit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë emra aktiv për opinionin publik në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha se lidhjet midis dy vendeve, janë kulturore dhe se është i lumtur që përveç mbështetjes politike me Austrinë edhe lidhjet ekonomike edhe tregtare janë duke u rritur.

“Eksportet dhe importet ndërmjet dy vendeve tona, ndërmjet Kosovës dhe Austrisë janë gjithnjë duke u shtuar, ndërkaq sipas Bankës Qendrore të Kosovës është duke ju afruar gjysmë miliardi eurove shuma e investimeve direkte austriake në vendin tonë. Më Austri e kemi rrjetin e bizneseve shqiptare të diasporës në Austri, ndërkaq në Kosovë e kemi Zyrën Komerciale të Odës Ekonomike të Austrisë”, tha ai.

Duke përmendur shembuj dhe histori të suksesit të investimeve të mërgatës, dhe mundësitë që Kosova ofron bashkë me mbështetjen që Qeveria jep përmes Dritares së Investimeve të Diasporës, kryeministri u bëri thirrje që të vazhdojnë të investojnë në Kosovë dhe të hulumtojnë mënyra e mundësi sesi mund të ushtrojnë profesionet e tyre edhe në Kosovë.

Në Austri llogariten të jenë afër 100 mijë qytetarë nga Kosova që jetojnë, punojnë e studiojnë atje dhe që kontribuojnë për të dyja vendet.

Kryeministri Kurti gjatë vizitës së tij në Austri mori pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku ishte folës kryesor në sesionin me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”.