2F9A35B3-CF06-4EA0-AB6C-3B75515179FF

Kurti kërkon rritjen e pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi rritjen e pranisë ushtarake të NATO-s në vendin e tij, transmeton Anadolu Agncy (AA).

Në një deklaratë për gazetën gjermane “Welt”, Kurti theksoi se rritja e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të përmirësojë sigurinë dhe paqen në vendin e tij dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Aktualisht Kosova ka rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe numrin e ushtarëve. Rritja e numrit të ushtarëve në forcat paqeruajtëse KFOR të NATO-s, do të mbështesë përpjekjet tona në fushën e mbrojtjes”, tha Kurti.

Ai theksoi se formimi i barrikadave në 4 rajone në veri të Kosovës, prania e personave të maskuar këtu dhe e njerëzve të cilët në uniformat e tyre mbajnë emblemat e mercenarëve “Wagner” dhe “Ujqërve të Natës” (klubi i motoristëve) si dhe intensifikimi i ushtarëve serbë përgjatë kufirit të Kosovës, tregojnë nevojën për ushtarë shtesë të NATO-s.

Tensionet Kosovë-Serbi

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq nga Policia e Kosovës Serbët e Kosovës të cilët reaguan ndaj arrestimit të Pantiqit, qëndronin në barrikadat që ngritën në pikat kufitare që nga 10 dhjetori.

Heqja e barrikadave në veri të Kosovës filloi pas thirrjes që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq bëri natën e 29 dhjetorit pasi vendimi me arrest për Pantiqin u shndërrua në arrest shtëpie.

Bashkimi Evropian (BE), NATO dhe SHBA-ja bënë thirrje për heqjen e barrikadave dhe uljen e tensioneve në veri të Kosovës ndërkohë që Serbia i kërkoi Misionit Paqeruajtës (KFOR) të NATO-s në Kosovë vendosjen e ushtrisë dhe policisë serbe në veri të Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e saj.

Serbia dhe Kosova të cilat herë pas herë vendosen përballë njëra-tjetrës, në kuadër të procesit të dialogut Beograd-Prishtinë të filluar në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, po përpiqen të gjejnë një rrugë të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund që dy vendet të njohin njëra-tjetrën.