12.6.2024-ZKM-2-750x375-1

Kurti përkujton masakrën mbi familjen Bala

Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar civilët e vrarë para 25 vitesh në masakrën mbi familjen Bala në Dardani të Pejës.

Më 12 qershor të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë mizorisht gjashtë civilë të pafajshëm dhe të pambrojtur, prej të cilëve pesë ishin fëmijë.

Kryeministri Kurti ritheksoi se plagët e hapura të familjes Bala dhe të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre kërkojnë drejtësi.

Në këtë ditë të shënimit të një çerekshekulli të çlirimit të Kosovës, Kryeministri Kurti ka përkujtuar të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe sakrificën e popullit të Kosovës për lirinë që e gëzojmë sot.

Atë natë u vranë motrat Nita dhe Rina (5 dhe 6 vjeçare) bashkë me nënën Vjollcën (28 vjeçare). Rroni (4 vjeçar) ishte fshehur pas nënës së tij Vjollcës dhe kur kishin filluar të shtënat ai ishte alivanosur. Pasi ishte zgjuar, kishte shkuar te dhoma e gjyshes Mahije, që ishte e paralizuar dhe ishte fshehur nën këmbët e saj. Të atin, Musën (31 vjeç) e kishin rrëmbyer me dhunë, ndërsa e kishin gjetur të vrarë, të gjymtuar nga torturat, më 17 qershor 1999.

Më 12 qershor 1999 u vranë edhe Agoni (6 vjeçar), Dardanja (11 vjeçare) dhe Hajriu (12 vjeçar). Nëna e tyre, Halisja, u mbijetoi nëntë plumbave në trup. Mbijetoi edhe Isa Bala me të birin Vetonin (8 vjeçar).

Në dhomën e ditës, të mbijetuarit e masakrës treguan gjurmët e krimit, për të cilin ende askush nuk është dënuar e as gjykuar.