Rtv Pendimi

Kush (çfarë) i garanton siguri garantuesit të sigurisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës?

Dikujt i thyhet zemra nga humbja e ekipit sportiv për të cilin bën tifozllëk, dikujt sepse i mbaron seriali me dashuriçka që e ka përcjellë me përqendrim maksimal për ca javë, e dikujt edhe ndoshta nga prishja e motit. Ama, kur dyshohet për ekspozim të dosjeve sekrete ushtarake, jo vetëm që duhet të na thyhet zemra të gjithëve, por duhet të tronditet e të shqetësohet një komb i tërë. Kjo gjë përbën pa dyshim një alarm mbarëkombëtar! Dhe kësaj situate i kanë paraprirë sigurisht ca situata të tjera, të mëhershme. E kjo është arsyeja pse ky shkrim i imi sot lidhet me domosdoshmërinë për të hedhur dritë mbi probleme shumë të ndjeshme, të mundshme, të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të institucionit më të respektuar dhe më të besuar në Kosovë. Më saktësisht, shkrimi im është një reagim pas një artikulli këtu, tek tesheshi.com, të titulluar, Dokumente dhe dosje sekrete të FSK-së në duar të shërbimeve inteligjente serbe?!

Vetëm fillimi i shkrimit në artikullin e lartpërmendur mjafton për ta bërë të qartë seriozitetin e kësaj historie. Po citoj: “Dosjet e çdo pjesëtari të FSK-së, të kadetëve të saj, si dhe të atyre që janë pjesë e stafit civili të Ministrisë së FSK-së, dyshohet se kanë rënë në duar të Shërbimit të Kundërzbulimit të Ushtrisë së Serbisë.”

Prandaj, unë si kadet, e pastaj edhe ish-oficer i FSK-së, po e filloj këtë shkrim me një ndodhi, në mënyrë që t’i jap kontekst këtij problemi kaq serioz dhe të dhembshëm.

Ishte tetori i vitit 2010; atë botë unë një nëntoger me vetëm pak më shumë se një vit që prej diplomimit. Kishin kaluar katër muaj nga transferimi i shërbimit nga kazerma në Pejë në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Mbase kjo shpërngulje më ishte bërë ngase isha programeri i vetëm asokohe në të gjithë̈ Forcën e Sigurisë̈ së Kosovës. Në sallën e takimeve në Komandën e Forcave Tokësore (KFT), para një paneli të përbërë nga eprorë të gradave të ndryshme, nga  kapitenë deri në kolonelë, po prezantoja punën tonë tremujore të zhvillimit të databazës së personelit (të uniformuar dhe civil) në nivel të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po flisja mbi vendimet që kishim ndërmarrë për aranzhimin e atij User Interface në aplikacion, si dhe për detaje të tjera të funksionalitetit të përgjithshëm.

Diçka e mirë i karakterizonte ato ditë. Një frymë ngazëllimi për këtë vegël të re, me të cilën do të pajisej së shpejti Departamenti i Personelit në MFSK dhe njësitë, sepse nga Excel Sheet-et monotone po kalohej në proces shumë më kreativ, më të lehtë e më joshës. Proces ky që pritej ta lehtësonte punën e përditshme dhe plot lodhje, me parregullsi e me kokëçarje të vazhdueshme, nga problemet me mospërputhje të dhënash në relacionin komandë-njësi.

Sidoqoftë, diku nga fundi i fjalimit tim prej mbi 20 minutash ngrita  një çështje që vlerësoja se ishte me rëndësi jetike t’ua bëja me dije të pranishmëve aty, ndonëse i vetëdijshëm se, si oficeri më i ri në sallë, çfarëdo propozimi që të jepja, ai mund të tingëllonte si nënçmim ndaj autoritetit të ndonjërit prej eprorëve të pranishëm. Megjithatë̈, mblodha guximin, që asnjëherë s’më pati munguar, dhe ia shkrepa.

U drejtova duke sqaruar edhe një aspekt për të cilin nuk po flitej fare atë ditë. Databaza përmbante të dhënat e hollësishme të të gjithë personelit tonë, dhe si inxhinier i Software-it, por edhe si njohës i sigurisë kompjuterike që jam, vura theksin në brishtësinë e aspektit të sigurisë̈ që paraqet mënyra e përcjelljes së databazës tek nënnjësitë për t’u përditësuar. U fokusova atë ditë në dy pika.

E para, bartja përmes USB-ve: askush nuk mund të garantojë humbjen e tyre, e kujtdo që do t’i binte në dorë mund të bënte me të çfarë të donte. Rrjedhimisht pra, të dhënat shumë personale të pjesëtarëve tanë̈, duke na përfshirë dhe ne, do të ekspozoheshin.

Së dyti, dërgimi i saj për shkarkim përmes e-mail-it apo linqeve paraqiste një tjetër rrezik  të madh, sepse furnizimi i FSK-së me internet bëhej përmes një kompanie vendore, e cila e transportonte rrjetin përmes Serbisë̈; dhe nuk prisja askënd prej të pranishmëve që të na i qetësonte zemrat nga brenga se dikush atje (në Serbi) nuk ishte duke i deshifruar paketat e transmisionit. Në fund, dhashë rekomandim që të nisnim ta rizhvillonim një platformë të re, të ndërtuar mbi fjalën e fundit të teknologjisë̈ dhe të kriptimeve moderne, e cila gjithashtu do të mundësonte përfitimin e centralizimit të të dhënave dhe të qasjes nga distanca.

Kjo databazë që po e zhvillonim pa dyshim se ishte më e avancuar se puna në Excel. Prapëseprapë, përpos aspektit të sigurisë, besoja se në një afat prej gjashtë muajsh do të ishim në gjendje të zhvillonim një platformë shumë të qëndrueshme për të ardhmen e organizatës sonë, dhe ta pajisnim me funksionalitet bashkëkohor, që rrjedhimisht do të ia lehtësonte punën departamentit tonë të personelit. Kjo epifani më buronte sigurisht nga përvoja ime paraprake në fushën e zhvillimit të Web dhe Software aplikacioneve, pasi deri atëherë pata krijuar për vite me radhë aplikacione për kompani të jashtme me emër nga Amerika dhe Evropa.

Por (gati gjithmonë ka një por), në çast, e bile akoma pa e mbaruar unë mirë fjalën, më ndërhyri një kolonel (për korrektësi nuk ia them emrin), dhe si me përçmim më thotë: “Ulu, ulu, ulu ti aty, ti je nivel i ultë me mendu për sigurinë e institucionit. Tjetër kush merret me ato punë, mos u lodh ti!”

Mentaliteti i një ushtaraku, i cili e njeh dhe e respekton hierarkinë e gradave, e ka të ndezur në çdo kohë pritshmërinë se mund të qortohet nga një epror madhor, t’i refuzohet puna e t’i kërkohet të ribëhet e tëra, apo edhe, jo rrallë, t’i shkelet e gjitha. Prandaj nuk më stepi, e as s’më befasoi, aspak ky reagim, disi edhe i pritshëm. Pashë kah shefi im, kolonel, i cili tërë mençuri më dha shenjë të ruaja qetësinë e të ulesha. Ashtu veprova. Për më tepër, isha i stërvitur fort mirë me një trajtim të tillë, nga përvoja që pata fituar prej një rasti tjetër, më saktësisht, në paraqitjen time në kanalin televiziv RTV21, në emisionin Rendezvous, në 2009-ën, ku pata folur rreth temës, “Interneti dhe rekomandimet mbi të për rininë”. Paraqitje kjo që për pak sa nuk më kushtoi përjashtimin nga Akademia Ushtarake “Hamëz Jashari” kur isha vetëm katër muaj larg nga realizimi i qëllimit; arritja në cakun final të një rrugëtimi katërvjeçar, përkatësisht diplomimi dhe gradimi.

I kthehem edhe njëherë artikullit në fjalë: parashikimi im i para pesë viteve mbi këtë dukuri, që rezultoi tani të kthehet në një rrezik shumë serioz dhe real, e që solli këtë krizë institucionale të rrjedhjes, vjedhjes, në daç quaje të tradhtisë apo të spiunimit të kulluar. Akoma më interesant më duket sot ai parashikim i asaj dite të pesë viteve më parë kur këto vitet pasuese më gjejnë duke zhvilluar databaza shumëfish më të qëndrueshme dhe më të sigurta, edhe më fleksibile, sesa databaza që ndërtova në 2010-ën për institucionin ku shërbeva për plot shtatë vite. Por, për fatin tim të keq, këto aplikacione nuk i zhvillova më për FSK-në, sepse më nuk isha pjesë e saj.

Natyrisht, mund të ketë të tjera gjëra shqetësuese, dhe ky mund të mos jetë problemi e as sfida e vetme e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Problemi në vetvete është varg zinxhiror, dhe konsekuencat janë një manifestim në stilin ala domino effect.

Në anën tjetër, duhet të kuptohet drejt se që nga hapat e parë të vendosjes së themeleve të shtetit, gjer tek forcimi i vijave institucionale me qëllim të sigurimit të një mirëqenieje modeste për kombin, përgjegjësia e shërbimit (të denjë) përpos që është kolektive, në radhë të parë është individuale. Kjo me të drejtë është kështu, ngase kolektivi është një trup individësh që i shërbejnë një ideali apo synimi të përbashkët.

Dhe nuk ka nevojë të thuhet se një mendësi e tillë duhet të jetë e ngulitur thellë në kulturën e brendshme organizative në cilindo insitucion shtetëror. Aq më tepër, është shtresa udhëheqëse ajo që bart mbi supet e veta përgjegjësinë kryesore, dhe duhet të sigurohet që të gjithë anëtarët e organizatës ta kenë të qartë këtë praktikë. Pra, që individi paraqet një shtyllë të vetme, por shumë kruciale, tërësia e të cilave e mban organizatën stabile; diçka si ai shembulli i Skënderbeut me thuprat, vetëm se këtu janë trarë.

Në një institucion siç është ushtria, dihet se rregulli dhe disiplina janë katërcipërisht më strikt se çdokund tjetër. Në të vërtetë, janë këto elemente që e mbajnë gjallë ushtrinë. Përpos kësaj, rigoroziteti i rregulloreve të brendshme reflekton se kryesisht ushtarakët kultivojnë një praktikë me tolerancë zero ndaj dështimit, si dhe gatishmëria e tyre për sakrificë deri në më sublimen bën që me përkushtim, përgjegjësi dhe shumë vigjilencë, të jenë në radhët e para për t’i mbrojtur jetët e njerëzve, institucionin të cilit i shërbejnë, dhe shtetin. Pra, me fjalë të tjera, lëshimet profesionale mendohet të jenë nocione fiktive, dhe asnjëherë reale.

Nga ana tjetër, dikush do të provonte të arsyetohej se lëshime të ngjashme e goditën së fundmi edhe superfuqinë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga rasti i ushtarit Bradley Manning e deri tek agjenti i CIA-s, Edward Snowden. Edhe pse kjo qëndron, prapseprapë i pari (Manning) bart 35 vjet në burg, ulje në gradë, konfiskim të të gjithë pagave dhe benefiteve, si dhe shkarkim të pandershëm. I dyti (Snowden) akuzohet për vjedhje të pronës qeveritare, komunikim të paautorizuar të informacioneve të sigurisë kombëtare, dhe për komunikimin me paramendim të informacionit të klasifikuar tek një person i paautorizuar. Kësisoj, ne do të dalim nga tema dhe do ta heqim ndjeshmërinë reale të rastit tonë.

E vërtetë, është çmenduri të pritet që informatat sekrete të mos rrjedhin asnjëherë, por kritika mendoj se duhet bërë, për t’i përforcuar e për t’i shtrënguar mekanizmat institucionalë, që të paktën t’i mbulojnë vrimat e dukshme që ekzistojnë në saje të një pakujdesie, apo thjesht për arsyen se shpesh merren për të mirëqena mundësitë e ngjarjeve të këtilla si kjo e jona. Për ta përforcuar argumentin tim, në maj të 2011-ës mbarova specializimin për sinjale ushtarake pranë US Army Signal School në Fort Gordon, në Xhorxhia. Për ato katër muaj sa zgjati trajnimi mund të numëroj më shumë se pesë raste që i quanim confidential classes, kur instruktori i lëndës përkatëse futej në klasë dhe me një buzëqeshje të lehtë thoshte, “Oficerë ndërkombëtarë, materialet e orëve të ardhshme konsiderohen konfidenciale, prandaj jeni të lirë të largoheni e të bëni çfarë të doni deri në njoftimin e radhës.”

Kjo duhet ta bëjë të qartë se, përkundër aleancës që ekziston mes shteteve, kur arrihet në pikën e sigurisë kombëtare, interesat shtetërorë vihen para çdo interesi a relacioni tjetër. Edhe pse kishte shumë nga truket e komunikimit ushtarak që na i shpalosnin gjatë orëve mësimore, na jepnin kode (të vjetruara) të komunikimit, çelës kriptografik, end-to-end enkriptime, çasje satelitore, etj.; megjithatë çfarë konsiderohej e klasifikuar, ashtu mbetej, dhe e njëjta respektohej rigorozisht.

Dikush do të mund të thotë se nuk është bërë kiameti. Por për një forcë të sigurisë tani, dhe për një ushtri të ardhshme të shtetit tonë, kjo çështje është tejet serioze, që do të duhej të evitohej në çdo rast. Dhe çuditërisht (media, po shikoj në ju), një çështje si kjo do të duhej të kishte bërë më shumë alarm, e t’i kushtohej më shumë vëmendje.

Kësisoj, të guxohet të mendohet se një ndodhi e këtillë nuk do të përsëritet më, është fare e turpshme, ndërsa të mos mendohet për këtë është papërgjegjësi. Në vend të kësaj, do të duhej që nga kjo datë e tutje t’i përvishet punës për të shikuar çdo mekanizëm të mundshëm për përmirësim dhe fortësim të rrethanave që e parandalojnë një situatë të ngjashme. FSK-ja mund të ketë dhe shumë probleme të tjera, por siguria e pjesëtarëve të saj, e atyre që prodhojnë dhe ruajnë sigurinë, është prioritet mbi prioritet.

Si bëhet kjo? Bëhet duke i shoshitur mirë e mirë procedurat e vetingut. Duke e zgjedhur kujdesshëm personelin që i lejohet të kenë qasje në dokumente e informata të rëndësisë së lartë. Duke inkurajuar, motivuar e instaluar një frymë progresive dhe vetiniciative tek oficerët, nënoficerët dhe ushtarët. Dhe kjo nuk bëhet ndryshe, veçse me vizion të qartë të mundësive për zhvillim të karrierës: duke i kujtuar vetes që kontributi duhet të çmohet e të nderohet, puna të shpërblehet, dhe mungesa e punës të ndëshkohet! Dhe mbi të gjitha, stafi i talentuar të mbahet dhe të investohet në të, dhe assesi të largohet!

Në anën tjetër, një gjë që jo rrallë vërehet të jetë keqkuptuar nga shumë individë të cilët ia mësyjnë FSK-së është se e shohin atë thjesht si një vend pune të rëndomtë. Kjo pikëpamje nuk bën asgjë tjetër, vetëm se e minon peshën reale të përgjegjësisë. E kuptueshme, pjesëtarët e forcës paguhen me rrogë, por ushtria nuk guxon të shihet vetëm si vend pune. Ajo është ideali më i thellë e më i çmuar, sepse detyra është madhështore, bëhet me nder, është e shenjtë, dhe kërkon sakrificë të pakrahasueshme. Kërkon njohuritë më të reja që lidhen me sektorin e sigurisë, përfshirë teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, zotërimin e gjuhëve, analiza sociologjike dhe strategjike. Kërkon njohuri buxhetimi programor, të marrëdhënieve me publikun, të menaxhimit të resurseve, të trendeve më bashkohore të ndërtimit të ushtrive të reja sot në botë, të trendeve të aleancave që i lidhin sot ushtritë moderne. E shumëçka tjetër, e gjithçka tjetër!

Gjithçka për ushtrinë tonë, e cila na ka shërbyer, dhe secili individ ia ka borxh më të mirën asaj. Gjithçka për ushtrinë tonë që do bëhet, që të jetë model i ushtrive moderne, model i transformimit të një force të sigurisë në një ushtri!

Oho! Po e lë me kaq, sa për fillim. I bindur se do të ketë dashamirës të tjerë, sikurse unë, që do ta vazhdojnë. Po e le me kaq, sepse edhe ushtarët u përlotkan, dhe nuk e vazhdoj artikullin dot më tutje…

Këtë muaj mbushen plot tre vite që nuk e mbaj më veshur uniformën e FSK-së, dhe, qoftë nga nostalgjia, apo nga energjia për t’u rikthyer e për t’i shërbyer përsëri vendit, vërtet ndiej që më paska marrë malli shumë për Zotin!

Në mos asgjë, kam përshtypjen se rrobat me ngjyrë kamuflazhi më rrinin fort bukur! /tesheshi.com/

TË NGJAJSHME