KUSH DO T’I BLEJË LOTËT E SYVE TË TU?!

Shko në treg dhe prezantoji  lotët e tu, a do të gjesh njeri që do t’i blejë ata dhe me çfarë çmimi do t’i shesësh?!

Ata s’do të kenë asnjë vlerë dhe peshë, mirëpo sa kushtojnë lotët e tu tek Allahu?!

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dy sy nuk i kap zjarri kurrë: Syrin që qan prej frikës së Allahut dhe syri që nuk fle duke bërë roje në rrugën e Allahut!”[1]

Një prej të parëve tanë thotë: “Na ka arritur se të gjitha veprat peshohen, përveçse lotit që del nga syri i robit, i cili qau nga frika e Allahut, ky lot nuk mundet të peshohet dhe vlerësohet, dhe me një lot që del nga frika për Allahun fiken detet nga zjarri.”

Njeriu para Allahut i ka dy qëndrime: I pari: Në namaz dhe i dyti: Ditën e Kiametit. Sipas qëndrimit tënd të parë, do të vijë suksesi yt në qëndrimin e dytë.

O Zot, kërkoj mbrojtje te Ti nga zemra që nuk ka frikë, nga syri që nuk loton dhe nga lutja që nuk pranohet.

[1] Sahihul Xhami’ (4112).

Nga arabishtja: Irfan JAHIU