Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për “mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas rezolutës që u miratua me 123 vota pro të deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se “aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë”, thuhet në rezolutë.
Më tej theksohet se Kuvendi i Shqipërisë bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata Ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Kuvendi i kërkon Qeverisë së Shqipërisë të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si “mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.”
Nga ana tjetër, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar sulmin që shkaktoi shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në qytetin Kharkiv të Ukrainës, e cila ka konfirmuar edhe sulmin në fjalë.
“Shqipëria dënon ashpër agresionin rus që çoi në shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e ministrisë të publikuar në rrjetet sociale.
Kujtojmë se Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian (BE) kundër Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme ruse, që përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.