Rtv Pendimi

Lahmaxhun, receta turke që e duan të gjithë

Përbërësit për brumin:
  • 300ml ujë
  • gjysmë tharme buke
  • 500gr miell
  • 1 lugë gjelle kripë

Për mbushje:

  • 400gr mish të bluar
  • Dy speca të verdhë
  • Dy speca të kuq
  • Dy domate
  • Një tub majdanoz
  • Dy thelpinj hudhre
  • Tri qepë
  • Një lugë gjelle piper të kuq
  • Një lugë gjelle kripë
  • Gjysmë luge piper djegës me fara
  • Një lugë vaj ulliri
  • Dy lugë gjelle krem apo salcë domatesh

Përgatitja:

Fillimisht përgatitim brumin, në një enë shtojmë 300ml ujë, gjysmë tharme buke të cilën e copëtojmë ngadalë me duar dhe e tretim në ujë të vakët duke e përzier mirë me lugë. Më pas në një enë tjetër (apo në makinën ku do ta bëjmë brumin), shtojmë 500gr miell, një lugë gjelle kripë dhe më pas tek mielli shtojmë ujin me tharmë buke.

E përziejmë masën mirë me lugë ose me makinë për brumë derisa të bëhet një brumë i butë. Nëse mbete shumë i lagur shtoni edhe dy lugë miell më shumë apo sa është e nevojshme, pasi brumi të jetë gati e mbulojmë sipër me qese kuzhine dhe e lëmë të qëndrojë për 1 orë.

Më pas i grijmë të gjitha perimet imët një nga një, pastaj i shtojmë tek ena me mish të bluar dhe i hedhim një lugë gjelle biber të kuq, një lugë gjelle kripë, gjysmë luge biber djegës me fara, një lugë vaj ulliri, 2 lugë gjelle krem apo salcë domatesh dhe i përziejmë mirë perimet me mishin me lugë ose me dorë.

Pasi brumi të jetë gati e marrim dhe e vendosim në tavolinë të përmiellur, e ngjeshim me dorë duke i dhënë formë rrumbullake më pas e ndajmë në 6 kulaç mesatar. I marrim më pas kulaçet dhe i hollojmë një nga një duke formuar një petë mesatare më pas i vendosim në tepsi.

Pastaj sipër petëve vendosim nga dy lugë me mish të bluar dhe perime duke e shtrirë mirë me lugë në të gjithë sipërfaqen e petës. Më pas i fusim në furrë për pjekje dhe i pjekim në 250 gradë C për 10 minuta. Pasi të piqen i largojmë nga furra dhe tepsia, më pas i vendosim në një enë petët sipër njëra tjetërs dhe kështu vazhdojmë edhe me petat e tjera.

Në fund i mbuloni me një folje ose pecetë të lagur kuzhine që të qëndrojnë të buta derisa ti shërbeni. Sipër shtoni sallatë dhe limon, më pas i bëni në forme role dhe i shijoni. Ju bëfshin mirë!

TË NGJAJSHME