Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më: 27/03/2015
Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati
Tema:Largohuni nga shtatë gjërat shkatërruese ( pjesa e gjashtë dhe e shtatë)
Largimi nga vija e frontit- Shpifja ndaj grave të ndershme
Transmetohet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Largohuni nga shtatë gjëra shkatërruese. I than o i Dërguari i Allahut, e cilat janë ato? Tha shirku ( idhujtaria), sihri (magjia), mbytja e njeriut pa të drejt, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, largimi nga vija e frontit, shpifja ndaj grave të ndershme.
Islami mëson besimtarin si të sillet në kohën e paqes por e mëson edhe në momentet e luftës si të sillet.
Besimtari nuk e dëshiron luftën .Ai dëshiron të jetoj i qetë dhe në paqe. Por, në momentet kur ati i kërkohet dhe i bëhet e domosdoshme lufta atëherë ai qëndron dhe sakrifikon. I Dërguari i Allahut tha: “ mos e kërkoni takimin me armikun. Luteni Allahut për paq dhe falje. Por nëse takoheni me të atëherë qëndroni”.
Largimi nga vija e frontit në ballafaqim me armikun llogaritet njëra prej mëkateve të mëdha. Sepse kjo shkakton thyerje të zemrave të ushtrisë dhe forcim i armikut, dhe kjo qon deri te dështim dhe humbja e luftës. Këtë hadith e ka specifikuar Kurani duke përjashtuar disa gjendje të ushtarit në vijën e frontit. Thotë Allahu në Kuran: O besimtarë, kur të ndeshni ushtritë e jobesimtarëve në betejë, mos ua ktheni shpinën! Cilido që ua kthen shpinën atë ditë, përveç atij që tërhiqet me qëllim që të sulmojë përsëri ose për t’u bashkuar me një grup tjetër, do të shkaktojë zemërimin e Allahut dhe do të ketë si strehë Xhehenemin. Eh, sa fund i keq është ky! ( Enfal 15,16)
Kurani ka përmend dy gjendje që ushtari mund të ikë nga vija e frontit:
E para: të ik nga vija e frontit me qëllim të përgatitjes më të mirë. Ta përgatit vetën e tij, armën e tij. Në këtë hyn edhe kalimi në një vi tjetër të frontit nga e cila mund të vij armiku. Të gjitha këto nuk llogariten ikje nga fronti.
E dyta: Kalimi në një grup tjetër të ushtrisë. Nëse një grup të ushtrisë është i rrethuar nga armiku atëherë kalohet nga një vijë në vijën tjetër që të shpëtoj atë grup që ka rrethuar armiku. Me kusht që grupi në të cilin gjendet ushtari mos të dëmtohet.
Porosia e shtatë:
Shpifja ndaj grave të ndershme
Nderi në islam është i shenjtë. Nuk guxon askush që ta cenoj, apo ta nëpërkëmb nderin e dikujt. Për këtë islami ka ndaluar gjërat të cilat cenojnë dhe rrezikojnë nderin e njeriut. Ka ndaluar përgojimin. Ka ndaluar bartjen e fjalëve. Ka ndaluar shpifjet. Ka ndaluar që njerëzit ti akuzojmë me pandershmëri, me amoralitet.
Shumë nga njerëzit e pa ndërgjegjshëm sot përgojojnë, bartin fjalët, shpifin , i gjuajnë njerëzit, e sidomos gratë me pandërgjegjshmëri, i gjuajnë me amoralitet. Posa e sheh një vajzë duke ecur rrugës, e cila ka një veshje jo të mirë, një veshje provokuese , me një herë e gjuan me fjalë të amoralitetit duke i thënë kjo rrospia, kjo lavirja dhe kështu me radhë. Një gjë e tillë në islam është e ndaluar dhe nuk guxon besimtari në asnjë mënyrë që të veproj kështu edhe nëse veshja e asaj vajze, apo pamja e saj është provokues. Ai që vepron një gjë të tillë, e ka futur vetën e tij në një rrezik dhe në një dënim në këtë botë dhe në botën tjetër. I Dërguari i Allahut thotë: “ njeriu fletë një fjalë, nuk i kushton rëndësi, futet në zjarr më larg se largësia mes lindjes dhe perëndimit”.
I Dërguari i Allahut shpifjen ndaj grave, me pandershmëri, me amoralitet e llogarit njërën prej mëkateve të mëdha. Po ashtu Kurani ka kërcënuar me një dënim të dhembshëm për ata të cilët shpifin ndaj grave besimtare. Allahu thotë në Kuran: Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh. Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë, Allahu do t’ju shpagojë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.( Nur 23,24).
Ky është dënimi në botën tjetër për ata që shpifin për gratë e ndershme. Ndërsa për dënimin në këtë botë Allahu thotë në Kuran: Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë. ( nur 4).
Ky dënim ka tre gjendje:
E para: rrahja me tetëdhjetë goditje. Kjo masë dënimi është marr me qëllim që njerëzit të marrin mësim prej këtij dënimi që pastaj të tjerët që shohin këtë dënim të kenë kujdes në fjalët e tyre. Kjo ruan nderin e bijave tona, grave tona, nënave tona. Sikur mos të ishte ky dënim , të pandërgjegjshmit nuk do të lenin asnjë femër pa e akuzuar dhe pa shpif në nderin e saj. Sikur që shpifën në nderin e Aishes, gruas së Pejgamberit, nënës së besimtarëve, për të cilën Allahu zbriti ajete nga Kurani dhe tregoj për nderin dhe pastërtinë e saj, ( shih për këtë temë kaptinën Nur ajetin 11-20). Po ashtu Umeri kishte goditur një njeri me tetëdhjetë goditje për shkak të shpifjes që kishte bërë dhe nuk kishte sjell dëshmitarë për të. E bëri këtë që të ruhet nderi i besimtareve.
E dyta: Nuk pranohet dëshmia e tij. Nëse njeriu ka shpifë ndaj grave besimtare dhe nuk ka sjellë dëshmi për këtë, ati asnjëherë më nuk i pranohet dëshmia. Nuk pranohet dëshmia e tij në kontratën martesore, nuk pranohet dëshmia e tij në kontrata tjera, në shitblerje, në borxh dhe në kontratat tjera.
E treta: Llogaritet njeri ngatërrestarë, njeri i pa ndërgjegjshëm, njeri mëkatar, i dalë prej kufijve të Allahut.
Pra, në fund të shpjegimit të kësaj porosie profetike , e cila na ka marrë disa ligjërata të një pas njëshme nxjerrim përfundimin se i Dërguari i Allahut na ka treguar atë që është e dobishme për ne në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai ( i Dërguari i Allahut) përmes kësaj porosie dëshiron që të rregulloj jetën tonë. Dëshiron që njeriu ti rregulloj raportet e tij me Krijuesin dhe me krijesat . Ai porositi që mos të adhurojmë askënd tjetër përveç Allahut dhe tregoi se idhujtaria është mëkati më i madh. Nëse njeriu vdesë me këtë mëkat dhe nuk është penduar te Allahu, atij nuk do ti falet asnjëherë. Pastaj tregoi për rrezikun e magjisë, dëmin e saj. Pastaj për mëkatin e mbytjes së njeriut pa të drejt. Pastaj për ngrënien e kamatës. Pastaj për ngrënien e pasurisë së jetimit. Largimin nga vija e frontit dhe shpifjen ndaj grave të ndershme.
Këto shtatë porosi të Pejgamberit në këtë hadith, s’ka dyshim se nëse besimtari i përmbahet do të rregulloj raportet e tij me Krijuesin e tij dhe raportet me njerëzit në përgjithësi.
Lusim Allahun që të na furnizoj me respektin ndaj Tij, të na largoj nga mëkatet, të mëdha dhe të vogla. Ti pastroj zemrat tona nga xhelozia dhe urrejtja. Të ma bëjë të dashur te Madhëria e Tij.