Rtv Pendimi

Largohuni nga shtatë gjërat shkatërruese ( pjesa e katërt)

Largohuni nga shtatë gjërat shkatërruese ( pjesa e katërt)

Ngrënia e kamatës -1-

Transmetohet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Largohuni nga shtatë gjëra shkatërruese. I than o i Dërguari i Allahut, e cilat janë ato? Tha shirku ( idhujtaria), sihri (magjia), mbytja e njeriut pa të drejt, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, largimi nga vija e frontit, shpifja ndaj grave të ndershme.
Të nderuar vëllezër besimtarë:
Allahu ke vendosur për ne kufij veprimi. Ai i cili kalon këta kufij ka rënë në mëkat, dhe e ka ekspozuar vetën para shkatërrimit dhedevijimit. Shkelja e kufijve të Allahut është padrejtësi e njeriut ndaj vetës së tij, dhe mëkat ndaj Zotit të tij. Më e keqja është që njeriu ti bëjë padrejtësi vetës së tij. Si ka mundësi kur njeriut Allahu i ka dhënë mendjen, urtësinë, dijen, ia tregoi vijat e drejta, i solli pejgamber, i zbriti libra, ia sqaroi të vërtetën nga e pavërteta, të vazhdoj njeriu në mëkate dhe në shkatërrimin e vetës së tij. Allahu nuk i bënë padrejtësi askujt, por njerëzit janë ata që i bëjnë padrejtësi vetës së tyre.
Islami erdhi që ta nxisë njeriun në gjithë atë që është e mirë për të si individ dhe për shoqërinë në përgjithësi dhe ta largoj nga e keqja. Erdhi që ta urdhëroj njeriun në të mirë dhe ta ndaloi nga e keqja. Islami lejoi për ne atë që është e mirë dhe ndaloi atë që është e keqe. Ai dëshiron që njeriu të jetoj jetën më të mirë dhe më të rehatshme mbi këtë tokë. Ndërsa mu për këtë qëllim, që jeta e njeriut të jetë e rehatshme dhe e begatshme i ndaloi njeriut gjërat të cilat prishin harmonin e kësaj jete. Prej gjërave që ndaloi Allahu është edhe kamata, fajdeja, interesi.
Shumë nga njerëzit mendojnë se kamata është ajo e cila ndikon në zhvillimin e jetës dhe në përparimin e saj. Por, e kundërta është e saktë. Shumë prej problemeve ekonomike që bota sot ka, shkak kryesor është kamata. Është shkaku kryesor që futë armiqësi mes njerëzve. Është shkaku kryesor i formimit të shtresave në shoqëri, në të varfër dhe të pasur. Kamata nuk është në shërbimin e shoqërisë, por është në shërbimin e një grupi të caktuar, i cili nuk ka qëllim tjetër vetëm interesin e vetë dhe grumbullimin e pasurisë. Edhe ky grup i njerëzve, përfitimi nga kamata do të jetë i përkohshëm, sepse ekonomia e cila ngritët dhe pasuria e cila grumbullohet përmes kësaj forme do të jetë në humbje pa tjetër.
Ai i cili mediton në këtë çështje, në individ dhe në shtete të ndryshme, do të kupton se shumë nga shtetet e mëdha janë shkatërruar për shkak të kamatës, kanë falimentuar, nuk kanë pat mundësi ti paguajnë borxhet, ka rënë ekonomia e tyre, janë mbyllur shumë nga firmat gjigante dhe shumë nga organizatat e ndryshme, të gjitha këto për shkak të kamatës. Pasuria është bërë në duart e disa grupeve të caktuara, e disa shteteve të caktuara, që të tjerët gjatë tërë jetës së tyre mbesin rob të tyre duke ju paguar borxhet që janë shtuar nga kamata. Ndoshta kjo është edhe vërtetim i fjalës së Allahut, i Cili kërcënoi me shpallje luftë ndaj Tij. Allahu thotë: O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë. ( bekare 278,279).
Kamata është e ndaluar në të gjitha fetë qiellore. Tek hebrenjtë kamata është e ndaluar. Në librin e tyre është e shënuar: “ mos i jep borxh vëllait me fajde”. Ndërsa pastaj hebrenjtë ndryshuan fjalët e Allahut dhe mes veti e ndaluan kamatën ndërsa ndaj atij që nuk është hebrenj e lejuan. Këtë e bënë nga urrejtja që kanë ndaj popujve tjerë. Është e njohur fjala në librat e tyre të shenjta : “ të huajit jepi borxhe me kamat. Por, vëllait tënd mos i jep borxh me kamat”.
Po ashtu edhe tek të krishterët, në fenë e tyre është e ndaluar kamata. Ndaj këtij mëkati ishin vendosur dënime të ashpra. Përveç që e detyronin atë i cili merrej me kamat ti kthej parat e marra, ai i cili merrej me kamat llogaritej i dalë nga feja e tyre dhe privohej nga varrimi me rituale fetare. Ky dënim ishte për atë që merrej me kamat dhe për ata që e ndihmonin në këtë.
Kurani ka vërtetuar këtë ndalesë që ishte te hebrenjtë dhe të krishterët. Thotë Allahu në Kuran: Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të prapësive që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut, për shkak se merrnin kamatë, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve. Jobesimtarëve midis tyre, Ne u kemi përgatitur një dënim të dhembshëm. ( nisa’ 60,61).
Islami në shumë ajete në Kuran ka ndaluar një mëkat të tillë. Allahu thotë në Kuran: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria. Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. ( Bekare 275). Në komentimin e këtij ajeti është thënë se ai i cili ka ngrënë kamatën do të ngjallet në ditën e gjykimit i çmendur. Sepse barku i tij është mbushur me kamatë, e ka rënduar atë sa që nuk do të ketë mundësi me lëvizë.
Allahu ka vërtetuar në Kuran se në asnjë mënyrë nuk do ta begatoj pasurinë e cila shtohet me kamatë. Thotë Allahu: Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues – gjynahqarë.( bekare 276). Po ashtu Allahu thotë: O besimtarë! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët! ( Ali Imran 130,131). Ato që i jepni dhuratë për t’jua shtuar (pasurinë tuaj) përmes pasurisë së njerëzve të tjerë (duke jua kthyer dhuratën me një më të mirë), nuk do të shtohen tek Allahu (s’do të ketë shpërblim), kurse kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat). ( rrum 39).
Ndërsa kemi shumë porosi të Pejgamberit të cilat na porositin që të largohemi nga ky mëkat dhe nga kjo padrejtësi. I Dërguari i Allahut thotë: “ Allahu e ka mallkuar ngrënësin e kamatës, të autorizuarin , dëshmitarët dhe shkruesin e saj”. “ Dërhemin që njeriu e hanë prej kamatës duke e ditur një gjë të tillë është më e rëndë se sa kurvëria me tridhjetë e gjashtë vetë”.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ në natën që bëra mi’raxhin ( ngritja e tij në qiell) pashë njerëz , barqet e tyre ishin si shtëpia. Prej jashtë në barkun e tyre shiheshin gjarpërinj. Pyeta Xhibrilin se kush janë këta njerëz. Tha këta janë të cilët e kanë ngrënë kamatën. Po ashtu thotë i Dërguari i Allahut: “ Kamata ka shtatëdhjetë e tre forma. Me lehta ( për nga dënimi) është sikur të martohet djali me nënën e tij”.
Të gjitha këto argumente tregojnë ndalesën e këtij mëkati, për individin dhe shoqërinë. Por, cili është shkaku i kësaj ndalese kaq të rreptë dhe kaq kërcënuese? Pse Allahu i shpalli luftë atij i cili ngarkon vetën me një veprim të tillë? Cili është rreziku i kamatës? Këto mbeten të sqarohen hytben e ardhshme.
Lusim Allahun që të na udhëzoj në rrugën e drejtë. Të na ndihmoj të ngadhënjejmë ndaj intrigave dhe mashtrimeve të shejtanit. Lusim Allahun që në vendin ton të zbret begatitë e Tij, të shtoj të mirat e tij dhe të na ruaj nga devijimi dhe rrugët e mbrapshta.

Hfz.Shaban Murati

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH