borxhi-publik-17-01-2014-c1200x600-770x433

LEHTËSIMI I GJENDJES SË HALLEXHIUT DHE BORXHLIUT

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i ndihmonte atij që e kaplonte brenga e borxhit dhe e mësonte se si ta kthejë atë.

Një ditë nga ditët, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, hyri në xhami dhe brenda e takoi një burrë prej ensarëve me emrin Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij!, dhe i tha: “O Ebu Umame, pse po të shoh të ulur në xhami kur tani nuk është koha e namazit?”“Brengat dhe borxhi më detyruan, o i Dërguar i Allahut”, – ia kthehu Ebu Umame. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, i tha: “A dëshiron t’i mësoj disa fjalë që nëse i thua, Allahu do ta largojë prej teje brengën dhe do ta shlyejë borxhin?” Ebu Umame tha: “Po, o i Dërguar i Allahut!” I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, tha: “Kur gdhihesh në mëngjes dhe kur vjen mbrëmja thuaj: “Allahumme inni eudhu bike minel hemmi vel hazen, ve eudhu bike minel axhzi vel keseli, ve eudhu bike minel xhubni vel buhli, ve eudhu bike min galebeti ed dejni ve kahri errixhali” (Allahu im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe dëshpërimi, kërkoj mbrojtjen Tënde nga paaftësia dhe dembelia, kërkoj mbrojtjen Tënde nga frika dhe koprracia, si dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga zhytja në borxhe dhe mposhtja prej njerëzve). “Veprova ashtu si më porositi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe Allahu më largoi brengën dhe e largoi prej meje borxhin tim”, – rrëfen më pas Ebu Umame!*

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Marrë nga libri: Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë)

* Ebu Davudi (1555). Shevkani tha: “Nuk ka vërejtje në zinxhirin e këtij hadithi”,Tuhfetu edh Dhakirin (321)