LEXIMI I KUR’ANIT

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe përkujdesuni për librin e Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë”. (Fatir: 30)

Othman ibën Afani, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Më i miri i nga ju (muslimanët) është ai që e mëson Kur’anin vet dhe ua mëson atë edhe të tjerëve”.

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Ai që lexon Kur’an bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”

Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, duke thënë: “Lexojeni Kur’anin, ngase ai do të ndërmjetësojë në Ditën e Kiametit për ata që e lexojnë”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveçse i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai”.

Këto citate nga Kur’ani dhe Suneti, të gjitha ju nxisin në mësimin e Kur’anit, dhe të vepruarit me të, dhe leximin e tij, ngase Kur’ani është burimi i lumturisë së juaj, shpëtues nga sprovat, në të janë lajmet e të parëve dhe njoftim për atë që do të ndodh më vonë. Kur’ani është gjykues në mesin e juaj, kush e braktis nga kryelartësia Allahu ia thyen qafën dhe kush kërkon udhëzim jashtë Kur’anit, Allahu e devijon. Kur’ani është litari i Allahut i fortë, rruga e drejtë, shpirtrat e ligë s’kanë mundësi ta ndryshojnë dhe dijetarët nuk ngopen nga ai. Është përplot mrekulli, kush flet me të e thotë të vërtetën, kush punon me të shpërblehet, kush gjykon me të është i drejtë, kush thërret në të udhëzohet në rrugë të drejtë. Për këto arsye mësojeni dhe lexoni dhe përsiatni ajetet e tij. Mësojani fëmijëve të juaj dhe rritni me leximin e tij, dhe bëjani të dashur librin e Allahut, derisa të lidhen për të dhe tua përmirësojë moralin e tyre, dhe pastron shpirtrat e tyre, dhe të bëhen nga bartësit e Kur’anit dhe lexuesit e tij, sepse fëmija kur e mëson Kur’anin në fëmijëri, më vonë do ta dinë se çka lexon në namazin e tij. Mësimi i Kur’anit në fëmijëri është shumë më i mirë, se sa të mësohet kur të rritet, sepse më shumë përforcohet në mendje dhe mësimin e tij përmendësh e ka më të fortë.

Shumica e njerëzve në këto ditë janë larguar nga mësimi i Kur’anit. Të mëdhenjtë janë preokupuar me dynja, të vegjlit janë preokupuar me mësimet shkollore, kurse kohën e lirë e kalojnë nëpër rrugë duke lozur. Kjo i bëri që të largohen nga Kur’ani dhe mos ta njohin, madje të ketë edhe nga ata që e kryen edhe fakultetin nuk dinë ta lexojnë një ajet si duhet. Madje më e çuditshmja është se plot nga xhamitë nuk kanë imamë, ngase njerëzit nuk do t’u lexohet Kur’an tepër në namaz dhe imami ta zgjat namazin. Sebepi i gjithë këtij problemi qëndron në papërgjegjësinë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre dhe pakujdesia e tyre për sa i përket Kur’anit. Kjo bëri që Kur’ani të braktiset nga shumë muslimanë dhe nga kjo u ankua i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur tha: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer”. (El-Furkan: 30)

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga shpërfillja e Kur’anit është braktisja e meditimit të tij dhe të kuptimit të tij dhe lënia e të vepruarit me të. Po ashtu dëgjimi i poezive, muzikës, thënieve apo marrja me dëfrime, duke e zëvendësuar Kur’anin me to, është nga shpërfillja e tij”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpërfillja e Kur’anit është shumë llojesh:

E para: Braktisja e dëgjimit të tij dhe besimit në të.

E dyta: Braktisja e punës me të, edhe nëse e lexon dhe i beson atij.

E treta: Braktisja e gjykimit me të në bazat e fesë dhe në degët e tij.

E katërta: Braktisja e meditimit të tij dhe kuptimit të tij dhe atë që ka dashur Allahu të na e dërgon si mesazh në të.

E pesta: Braktisja e kërkimit të shërimit me të dhe kurimi me të.

Këto të gjitha hyn në ajetin: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer”. (El-Furkan: 30)
Përcillet në një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Kam frikë se do të vijnë kohëra kur prej Islamit do të mbetet vetëm emri, e prej Kur’anit vetëm shkronjat”.

E domosdoshme është të mësohet Kur’ani dhe ai të merret nga mësues të mirë që e njohin leximin e tij. Nuk mjafton të lexohet apo të mësohet vet, po më së miri është të lexohet dhe të nxihet përmendësh duke e përsëritur para tjetrit. Pra patjetër për atë që dëshiron ta mësojë Kur’anin dhe t’ua mësojë fëmijëve të tij, të zgjedh një lexues të mirë dhe të mësojë tek ai, duke e mësuar leximin dhe rregullat e tij. Kujdesi për Kur’an duhet të jetë prioriteti kryesor i muslimanit.

Kush e mëson Kur’anin, le të përkujdeset për të, le ta lexojë më tepër dhe le të tentojë ta kuptojë qëllimin e ajeteve, duke qenë i përulur dhe me frikë respekt. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut (Kur’ani), do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një harf – shkronjë, por, ‘Elif’ është harf, ‘Lam’ është harf dhe ‘Mim’ është harf”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Meditoje mesazhin e Kur’anit dhe do të gjesh se ka Sundues të tij. Sundues ku i tërë sundimi është i Tij, i tërë falënderimi i takon vetëm se Atij, dhe të gjitha çështjet janë në dorën e Tij. Allahu në Kur’an i këshillon robërit e Tij dhe i drejton kah ajo që ua jep lumturinë dhe shpëtimin, i nxit në të dhe i paralajmëron nga ajo që i shkatërron. Ua mëson atyre emrat dhe cilësitë e Tij dhe ua bën të dashur begatitë e Tij, dhe ua rikujton begatitë e Tij mbi ta i urdhëron që t’u nënshtrohen urdhrave të Tij, ua rikujton begatitë që i presin nëse i nënshtrohen dhe ua rikujton dënimin që i pret nëse i bëjnë gjynah dhe nuk i nënshtrohen. I lajmëron për atë se çka vepron me miqtë dhe armiqtë e Tij, se si do të jetë përfundimi i dyja palëve, sjell shembuj dhe argumentet i sjell të llojllojshme, thërret për në Xhenet dhe i përmend bukuritë dhe cilësitë e saj. Paralajmëron nga Xhehenemi dhe ua rikujton dënimin e rreptë dhe dhembjet në të. E përmend nevojën e robërve për Të dhe se ata nuk munden pa Allahun, as sa mbyll e hapë sytë. Kur’ani është libër që ta rikujton Allahun dhe për këtë arsye muslimani duhet të përkujdeset ta mësojë dhe të shpeshtojë leximin e tij, ngase Kur’ani është dritë, shërim, mëshirë, shpirt, udhëzim, dallues i të kotës dhe të vërtetës, dhe argument, dhe gjykues. (shkurtimisht dhe me kuptim).

Nga muslimani kërkohet ta lexojë Kur’anin sipas gjendjes së tij, në kufi të mundësive të veta. Nëse di të lexojë mirë, kjo është edhe më e mirë dhe më e përsosur. E nëse nuk di mirë të lexon, e lexon sipas mundësive të veta. Ka ardhur në një hadith: “Ai që lexon Kur’an bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar”.
Për këtë arsye muslimani duhet të bëjë përpjekje që ta përmirësojë leximin e tij para atij që di më mirë se ai vetë të lexojë. Nuk duhet ta merr si argument faktin se nuk di të lexojë mirë dhe ta braktis leximin, ngase atëherë humb shumë mirësi dhe shpërblime. Le të lexojë ashtu si ka mundësi dhe sa ka mundësi të lexojë, e nëse e lexon krejt Kur’anin, atëherë kjo është më e mira dhe më e dashura.

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU