LG G4 do ta ofrojë ekranin (3K) më të mirë deri më sot

LG është duke u bërë gati që ta ofrojë modelin e ri të të telefonit, i cili do ta sjell edhe ekranin më të mirë ndonjëherë.

 

Tashmë jemi duke hyrë në periudhën e lansimit të telefonave të rinj mobil, dhe së shpejti do të mund të shohim disa nga modelet më të mira të vitit. Kjo pasi që shumica e prodhuesve të mëdhenj, duke përfshirë edhe kompaninë LG, janë duke u bërë gati për betejën e re të tregut për këtë vit.

Sipas raporteve më të reja thuhet se LG është bërë gati që modelit të saj të fundit LG G3 t’ia bëjë edhe një pasardhës, të cilin raportohet se do ta ofrojë me ekranin marramendës me cilësinë 3K.

Thashethemet e faqes mylgphones pretendojnë se ekrani i LG G4 do të jetë më i ndrituri dhe më i mprehti që ndonjëherë është parë në ndonjë telefon mobil.

Më tej është thënë se ky model i ri i telefonit do të sjell edhe kamerën me 16MP me këndin e gjerë dhe procesorin e fundit Qualcomm Snapdragon 801.

Në mesin e karakteristikave të përfolura për LG G4 është edhe lapsi digjital G Pen, që ofron mundësi më të mira ndërveprimi me pajisjen mobile.

Pritjet janë që LG G4 të debutojë në pranverën e këtij viti, ose në periudhën e ngjashme me lansimin e HTC M9, Samsung Galaxy S6 dhe Sony Z4. (Telegrafi)