Ushtria e Libisë njoftoi se ka marrë në dorëzim 8 të burgosur të cilët mbaheshin peng nga milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Departamentit të Operacioneve të Përbashkëta Sirte dhe Jufra të Ushtrisë Libiane, gjenerali Abdulhadi Darah për AA tha: “Morëm në dorëzim nga elementët në rajonin Perëndimor 8 persona të cilët mbaheshin të burgosur nga milicët e Haftarit. Dorëzimi u realizua në rajonin Dera nr. 50 të Sirtes”.
Darah tha se 4 nga të burgosurit janë nga qyteti Gharyan, 3 nga Misrrata dhe një nga Asbia ndërsa vazhdojnë punimet e Komitetit të përbashkët për lirimin e të burgosurve të tjerë të mbetur.
Libia është përfshirë në luftë civile dhe kriza politike që nga revolucioni i shkurtit 2011 që i dha fund regjimit të Muammar al-Gaddafit. Pjesa perëndimore e vendit, përfshirë kryeqytetin Tripoli ndodhet nën dominimin e forcave të ushtrisë të lidhur me qeverinë legjitime në praninë e OKB-së ndërsa pjesa lindore e vendit ndodhet nën kontrollin e milicëve të puçistit Khalifa Haftar.