libi

Libi, të paktën 5.200 të vdekur nga përmbytjet në qytetin Derna

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në qytetin Derna të Libisë lindore është rritur në të paktën 5.200, raporton Anadolu.

“Rreth 5.200 persona humbën jetën vetëm në qytetin Derna”, tha për Anadolu Tareq al-Kharaz, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme me qendër në Libinë lindore.

Ai tha se rreth 1.300 trupa janë varrosur deri më tani pasi janë identifikuar nga familjet.

“Familje të tëra janë zhdukur si pasojë e stuhisë vdekjeprurëse. Shumë kufoma nuk mund të identifikoheshin dhe nuk u varrosën”, tha al-Kharaz.

Ai pret që numri i të vdekurve në Derna të tejkalojë shifrën 10 mijë mes dëmeve masive në infrastrukturën e qytetit.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) tha se mbi 10 mijë njerëz janë raportuar të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese në Libi.

Raportet fillestare tregojnë dhjetëra fshatra dhe qytete të fundosura nga përmbytjet vdekjeprurëse të shkaktuara nga stuhia ‘Daniel’ që goditi Libinë lindore të dielën.

Autoritetet lokale në Derna thanë se dy diga janë shembur në qytet.

“Rrjeti i rrugëve dhe urave në Derna është shembur plotësisht”, tha për Anadolu Al-Hussein Sweidan, kreu i departamentit të rrugëve dhe urave në qeverinë libiane me bazë në Tripoli.

Ai vlerësoi koston e rindërtimit të rrugëve dhe urave të dëmtuara në qytet në rreth 300 milionë dinarë libiane (67 milionë dollarë).

Të hënën, Këshilli i Presidencës së Libisë u bëri thirrje vendeve mike dhe grupeve ndërkombëtare të ndihmës që të ofrojnë ndihmë për zonat e goditura nga përmbytjet në rajonin lindor.