father-and-son-3456666_1280-1-1300x731

LIDHJA FAREFISNORE

Farefisnia është njëra prej nënshtrimeve më me vlerë dhe më me pozitë, më e bekuar dhe më së shumti që bën dobi në këtë botë dhe në ahiret.

Farefis i një njeriu konsiderohen të afërmit e tij prej gjaku, si baba, nëna, vëllai, motra, djali, vajza dhe çdo person që ka lidhje gjaku me to. Familja e gruas për burrin e saj s’janë farefis, e as familja e burrit për gruan e tij s’janë farefis, për shkak se mes tyre s’ka lidhje gjaku, por mes tyre ekziston lidhje krushqie. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndonëse, sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë (El-Enfal: 75)

Allahu, azze ue xhel, na porositi respektimin e farefisnisë, dhe e bëri këtë porosi shumë të afërt me porosinë e devotshmërisë, thotë Allahu, azze ue xhel: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. (En-Nisa: 1)

Ibën Abasi thotë se komenti i këtij ajeti është: “Frikësojuni Allahut me respektimin e urdhrave të Tij dhe largimin prej mëkateve që i ka ndaluar Ai, mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni, vizitoni dhe silluni mirë me ato.”

Allahu, azze ue xhel, në ajetin: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit” (Er-Rum: 38), na bënë të qartë se njeriu ndaj farefisnisë ka obligime që detyrohet t’i kryej, qofshin materiale apo morale.

Respektimi i lidhjes farefisnore ishte prej gjërave të para që thirri Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, kur iu shpall profetësia. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre tregimin e Ebu Sufjanit me Hiraklin (Mbretin e romakëve në atë kohë), se i patë thënë Herakliu Ebu Sufjanit: “Në çka ju urdhëron Muhamedi?” Përgjigjja e Ebu Sufjanit ishte: “Ai na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij, t’i lëmë besimet e mëhershme dhe atë çka e thonë baballarët tonë, na urdhëron në faljen e namazit dhe na urdhëron në sinqeritet, virtytshmëri dhe respektimin e farefisnisë.” (Buhari 7, Muslimi 1773)

Respektimi i lidhjes farefisnore është një prej shkaqeve që ta lehtëson furnizimin dhe ta zgjat jetën në dynja, kurse në ahiret është shkak që të fut në Xhenet dhe të mbron prej zjarrit të Xhehenemit. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre, prej hadithit të Ebu Ejub el Ensarijut, radijallahu anhu, se Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, gjatë udhëtimit iu paraqit një banor i shkretëtirës dhe e pyeti. “O i Dërguar i Allahut, më trego se cilat vepra më afrojnë Xhenetin e Allahut dhe cilat vepra më largojnë prej Xhehenemit të Allahut?” – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u ndal, i shikoi shokët e tij, e pastaj tha: “Vetëm se u mbarësua, apo vetëm se u udhëzua.” – Pastaj tha: “Si the.” – Banori i shkretëtirës e përsëriti edhe një herë pyetjen e tij. – Pastaj Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Ta adhurosh Allahun dhe mos t’i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zeqatin, ta respektosh farefisin” (Buhari 1397, Muslimi 13)

Me një transmetim tjetër: “Si ta praktikojë atë çka u urdhërua, do të hyjë në Xhenet.” (Muslimi 13)

Në një hadith tjetër Enes ibën Malik, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557)

Mosrespektimi i farefisit dhe shkëputja prej tyre janë prej mëkateve të mëdha, që Allahu e paralajmëroi dhe i premtoi vepruesit të tyre se do ta ndëshkon me dënime të ndryshme në këtë botë dhe ahiret. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë, e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!” (Er-Ra’d: 25)

Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre na përcjellin hadithin e Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pasi që Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: “Kjo është pozita që kërkon strehim prej teje nga këputja e lidhjes farefisnore.” Allahu, azze ue xhel, tha:” Po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty?” Ajo tha: “Po, s’i jo o Zoti im.” Tha Allahu, azze ue xhel: “Ajo është për ty.” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Lexoni nëse dëshironi: “A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” (Muhamed: 22) (Buhariu 5987, Muslimi 2554)

Transmeton imam Tirmidhiu në Sunenin e tij prej hadithit të Ebi Bekrës, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: S’ka mëkat që më së shumti e meriton përshpejtimin e dënimit të Allahut, duke mos e anashkaluar atë në ahiret, si mëkati i bërjes padrejtësi dhe i shkëputjes së lidhjes farefisnore.” (Tirmidhiu 2511)

Ai që i ndërpret lidhjet familjare, kanoset me mos hyrjen e tij në Xhenet. Transmeton Xhubejr ibën Mutim, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu 5984, Muslimi 2556)

Respektues i lidhjes farefisnore konsiderohet ai person i cili e respekton dhe e viziton farefisin edhe ata kur shkëputën prej tij dhe nuk e respektojnë. Përcillet prej Abdullah ibën Amru ibën el As, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thanë: “Nuk mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat), por është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet me ta.” (Buhariu 5991)

Transmeton imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në Sahihin e tij prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore, kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë, kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta, kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vërtet është ashtu s’i thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” (Muslimi 2558)

Komentuesit e këtij hadithi thonë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tregon dënimin e tyre se sa është i dhimbshëm, dhe i përngjason me vuajtjet e ngrënësit të hirit të nxehtë. Kjo e tëra vjen si rezultat i shkëputjes së lidhjes familjare dhe arroganca e tyre ndaj atij që i viziton.”

Respektimi i lidhjes farefisnore arrihet me veprimin e mirësisë ndaj tyre, edhe atë me çka mundet njeriu. Thotë Ebi Xhemreh, Allahu e mëshiroftë: “Farefisnia respektohet me pasuri, me ndihmë kur kanë nevojë, me buzëqeshje, me lutje për to, etj.”

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Obligohet respektimi i lidhjes farefisnore me dashuri, me këshilla mes vete, me drejtësi, me dhënien e të drejtave obliguese dhe atyre të pëlqyera, pastaj me shpenzim për të afërmin dhe me mos përgojimin e të metave të tyre, etj.

Kuptimi i përgjithshëm i lidhjes farefisnore është respektimi i tyre sa mundet në të mirë dhe largimin e sherrit prej tyre sa ka mundësi. Pra, çdo send varet prej mundësisë dhe prej fuqisë së njeriut, pastaj prej gjendjes dhe prej pozitës së tij dhe prej marrëdhënieve familjare dhe prej asaj se sa i lehtësohet atij kjo gjë. Thotë Allahu, azze ue xhel: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. (El-Bekare: 286)”.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babës, pastaj fëmijëve, pastaj gjyshërve dhe gjysheve, pastaj vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremeve prej familjes, si xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve, etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afër dhe kështu me rrallë.”

Hakimi në Mustredekin e tij na transmeton hadithin e Ebi Remtheh, radijallahu anhu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Nëna jote, pastaj babai yt, pastaj motra dhe vëllai, pastaj të tjerët me radhë me nivel më të ulët.”

Dhënia e lëmoshës në farefis, e dyfishon shpërblimin e dhënësit të saj. Transmeton Tirmidhiu prej Sulejman ibën Amir, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Lëmosha për fukaranë është vetëm lëmoshë, ndërsa për farefisin lëmoshë dhe lidhje farefisnore.” (Tirmidhiu 658)

Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Mejmunës bint el Harith, radijallahu anha, e cila e liroi një robëreshë, pa marrë leje prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe më vonë i tha Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem,: “O i Dërguar i Allahut, a vërejte se e lirova robëreshën time? Tha: “A e bëre?” – Ajo tha: “Po.” – Atëherë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Po t’ia kishe dhuruar tezeve tua, do të kishe më shumë shpërblime”. (Buhari 2592, Muslimi 999)

Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui   

Nga arabishtja: Irfan JAHIU