Rtv Pendimi

LIDHJA FAREFISNORE

Farefisnia është njëri prej veprimeve më me vlerë dhe më me pozitë, më i bekuar dhe që bën dobi më shumë në këtë botë dhe në ahiret.

Farefisi i një njeriu nënkupton të afërmit e tij prej gjaku, si babai, nëna, vëllai, motra, djali, vajza dhe çdo person që ka lidhje gjaku me ta. Familja e gruas për burrin e saj nuk janë farefis, e as familja e burrit për gruan e tij nuk janë farefis, për shkak se  mes tyre nuk ka lidhje gjaku, por mes tyre ekziston lidhje krushqie.

Allahu azze ue xhel thotë: “Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndonëse, sipas Librit të Allahut besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin. Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” Enfal 75.

Allahu azze ue xhel na porosit respektimin e farefisnisë, dhe e bëri këtë porosi shumë të afërt me porosinë e devotshmërisë. Allahu azze ue xhel thotë: “Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” Nisa 1.

Ibën Abasi thotë se komenti i këtij ajeti është: “Frikësojuni Allahut me respektimin e urdhrave të Tij, dhe largimin prej mëkateve që i ka ndaluar Ai, mos i shkëputni lidhjet farefisnore, por respektoni, vizitoni dhe silluni mirë me ato.”

Allahu azze ue xhel në ajetin: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit” Rum 38, na bën të qartë, se njeriu ndaj farefisnisë ka detyrime që detyrohet t’i kryejë, qofshin materiale apo morale.

Respektimi i lidhjes farefisnore ishte prej gjërave të para që thirri Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur iu shpall profecia. Buhariu dhe Muslimi përcjellin në librat e tyre tregimin e Ebu Sufjanit me Herakliun (mbretin e romakëve në atë kohë ), se i pat thënë Ebu Sufjanit: “Për çfarë ju urdhëron Muhamedi?” Përgjigja e Ebu Sufjanit ishte: “Ai na urdhëron që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe mos t’i bëjmë shok Atij, t’i lëmë besimet e mëhershme dhe atë që thonë baballarët tonë, na urdhëron në faljen e namazit, dhe na urdhëron në sinqeritet, virtytshmëri dhe respektimin e farefisnisë.” (Buhari 7, Muslimi 1773).

Respektimi i lidhjes farefisnore është një prej shkaqeve që ta lehtëson furnizimin dhe ta zgjat jetën në dynja, kurse në ahiret është shkak që të fut në Xhenet dhe të mbron prej zjarrit të Xhehenemit. Buhariu dhe Muslimi përcjellin në librat e tyre, prej hadithit të Ebu Ejub Ensarijut, radijallahu anhu, se Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, gjatë një udhëtimi iu paraqit një banor i shkretëtirës dhe e pyeti. “O i Dërguar i Allahut, më trego se cilat vepra më afrojnë Xhenetin e Allahut, dhe cilat vepra më largojnë prej Xhehenemit të Allahut?” – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u ndal, i shikoi shokët e tij e pastaj tha: “Vetëm se u mbarësua, apo vetëm se u udhëzua.” – Pastaj tha: “Si the?” – Banori i shkretëtirës e përsëriti edhe një herë pyetjen e tij. – Pastaj Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Ta adhurosh Allahun dhe mos t’i bësh shok Atij, ta falësh namazin dhe ta japësh zeqatin, ta respektosh farefisin.” (Buhari 1397, Muslimi 13). Me një transmetim tjetër: “Nëse do ta praktikojë atë që i thashë, do të hyjë në Xhenet.” (Muslimi 13).

Në një hadith tjetër Enes ibën Maliku, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai njeri që dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet farefisnore.” (Buhariu 2067, Muslimi 2557).

Mosrespektimi i farefisit dhe shkëputja prej tyre janë prej mëkateve të mëdha, që Allahu e paralajmëron dhe i premton vepruesit të  tyre, se do ta ndëshkojë me dënime të ndryshme në këtë botë dhe ahiret. Allahu azze ue xhel thotë: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë, e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!” Rad 25.

Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre na përcjellin hadithin e Ebu Hurejrës, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pasi Allahu i krijoi të gjitha krijesat, lidhja farefisnore tha: “Unë kërkoj strehim te Ti nga këputja e lidhjes farefisnore.” Allahu azze ue xhel tha: “Po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres me atë që i ndërpret me ty?” Ajo tha: “Po, si jo o Zoti im.” Allahu azze ue xhel tha: “Ajo është për ty.” Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Lexoni nëse dëshironi: “A pritet prej jush (hipokritëve), që nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpritni lidhjet e akraballëkut?” Muhamed 22. (Buhariu 5987, Muslimi 2554)

Transmeton imam Tirmidhiu në Sunenin e tij prej hadithit të Ebu Bekrete, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “S’ka mëkat që e meriton më shumë përshpejtimin e dënimit të Allahut, duke mos e vonuar atë në ahiret, siç është mëkati i bërjes padrejtësi dhe i shkëputjes së lidhjes farefisnore.”  (Tirmidhiu 2511).

Ai që i ndërpret lidhjet familjare kanoset me mos-hyrjen e tij në Xhenet. Xhubejr ibën Mutimi, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që i këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu 5984, Muslimi 2556).

Respektues i lidhjes farefisnore konsiderohet ai person, i cili e respekton dhe e viziton farefisin, edhe kur ata shkëputen prej tij dhe nuk e respektojnë. Përcillet prej Abdullah ibën Amër ibën Asit, radijallahu anhu, se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk i mban lidhjet farefisnore ai që këmben vizitat, por është ai që kur e bojkoton farefisnia ai i rivendos lidhjet me ata.” (Buhariu 5991).

Transmeton imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në Sahihun e tij prej Ebu Hurejrës, radijallahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore, kurse ata nuk i mbajnë me mua, u bëj mirë, kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta, kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vërtet është ashtu si thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.” (Muslimi 2558).

Komentuesit e këtij hadithi thonë: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tregon dënimin e tyre se sa është i dhimbshëm, dhe i përngjanë me vuajtjet e ngrënësit të hirit të nxehtë. Kjo e tëra vjen si rezultat i shkëputjes së lidhjes familjare dhe arroganca e tyre ndaj atij që i viziton.”

Respektimi i lidhjes farefisnore arrihet me veprimin e mirësisë ndaj tyre, edhe kjo me atë çka mundet njeriu. Ebu Xhemreh, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Farefisnia respektohet me pasuri, me ndihmë kur kanë nevojë, me buzëqeshje, me lutje për ta etj.”

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Detyrohet respektimi i lidhjes farefisnore me dashuri, me këshilla mes veti, me drejtësi, me dhënien e të drejtave detyruese dhe ato të pëlqyera, pastaj me shpenzime për të afërmin, dhe me mos përgojimin  e të metave të tyre etj”.

Kuptimi i përgjithshëm i lidhjes farefisnore është respektimi i tyre sa mundet në të mirë, dhe largimin e sherrit prej tyre me sa ke mundësi. Pra, çdo send varet prej mundësisë dhe prej fuqisë së njeriut, pastaj prej gjendjes dhe prej pozitës së tij, dhe prej marrëdhënieve familjare dhe prej asaj, se sa i lehtësohet atij kjo gjë. Allahu azze ue xhel thotë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” Bekare 286.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Pëlqehet t’i jepet përparësi nënës në dëgjueshmëri dhe mirësi, e pastaj babës, pastaj fëmijëve, pastaj gjyshave dhe gjysheve, pastaj vëllezërve dhe motrave, pastaj të gjithë mahremeve prej familjes, si xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve etj. Pra, i jepet përparësi më të afërmit, e pastaj tjetrit më të afërt dhe kështu me radhë.”

Hakimi në Mustredekun e tij na transmeton hadithin e Ebu Remtheh, radijallahu anhu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë: “Nëna jote, pastaj babai yt, pastaj motra dhe vëllai, pastaj të tjerët me radhë me nivel më të afërt.”

Dhënia e lëmoshës në farefis e dyfishon shpërblimin e dhënësit të saj. Na përcjell Tirmidhiu prej Sulejman ibën Amirit, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Lëmosha për fukaranë është vetëm lëmoshë, ndërsa për farefisin lëmoshë dhe lidhje farefisnore.” (Tirmidhiu 658).

Transmeton Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Mejmune bint Harith, radijallahu anha, e cila liroi një robëreshë, duke mos u konsultuar me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe më vonë i tha Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, a vërejte se e lirova robëreshën time? Tha: “A e bëre?” – Ajo tha: “Po.” – Atëherë i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i tha: “Po t’ia kishe dhuruar tezeve të tua, do të kishe më shumë shpërblime”. (Buhari 2592, Muslimi 999).

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH