shutterstock_1747580750

LIGJI I MËKËMBJES DHE PUSHTETIT

Pasi të fillojnë konfliktet mes njerëzve dhe pasi të ndërrohen rolet e dominimit mes tyre, fundi do t’u takojë besimtarëve, duke i bërë përfaqësues në Tokë.

Me fjalën “përfaqësues” nënkuptohet fitorja dhe përforcimi i besimtarëve në Tokë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (En Nur, 55)

Ky është premtimi i Allahut për çdonjërin nga myslimanët se, nëse beson dhe punon vepra të mira, do ta bëjë mëkëmbës në Tokë dhe do t’i japë pushtet për ta udhëhequr atë.

Kjo rregull vazhdon deri në Ditën e Kiametit. Përderisa ata besojnë dhe punojnë vepra të mira, premtimi i Allahut do të realizohet për ta. Ka raste kur jobesimtarët dhe hipokritët kanë epërsi mbi besimtarët dhe e marrin dominimin. Kjo do të vijë si pasojë e dobësimit të imanit te myslimanët, ku mangësia në besim dhe në punë të mira do të çojë në humbjen e dominimit.

Myslimanët e sotëm për të arritur deri te dominimi nuk është e lehtë, por as e pamundshme. Edhe përskaj luftës së ashpër dhe ngushtimit që i bëhen Islamit dhe myslimanëve, shumë myslimanë e shohin se dominimi i fesë së Allahut është shumë afër, sa largësia mes dy harqeve, ose edhe më afër.

Myslimani beson bindshëm në premtimin e Allahut që tokën do ta trashëgojnë robërit e Tij të drejtë. Këtu s’kanë dorë ëndrra ose shpresa, por bindja e plotë në Allahun dhe në premtimin e Tij.[1]

Sundimi i së kotës dhe padrejtësisë zgjat një kohë të caktuar, ndërsa sundimi i së vërtetës zgjat deri në Ditën e Kiametit: “Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar se ata do të ndihmohen (prej Nesh) dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare.” (Es Safat, 171-173)

Është fjalë e mëparshme nga Allahu për pejgamberët dhe pasuesit e tyre, se ata do jenë të shpëtuarit dhe do të kenë epërsi mbi të tjerët, e Allahu asnjëherë nuk e thyen fjalën e Tij. Atyre do t’u vijë përkrahja dhe ndihma e madhe prej Zotit, derisa të përforcohen dhe të zbatojnë fenë e tyre.

Ky përgëzim i madh i përket atij që cilësohet se është prej ushtarëve të Allahut, se ai do të ngadhënjejë dhe do të jetë i përkrahur, me lejen e Allahut.

Fitorja që vjen prej Allahut i jepet vetëm atij që e ndihmon fenë e Tij: “O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)

Dhe thotë: “Vërtet, Allahu ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El Haxh, 40)

Po ashtu thotë: “Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut.” (El Araf, 128)

Pas çdo epërsie të shirkut (idhujtarisë) dhe kufrit (femohimit) vjen me lejen e Allahut radha që Islami të ngadhënjejë dhe besimtarët të kenë epërsi.

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!), për ajetin: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…”, (Ali Imran, 140) pohon: “Thuhet se kjo është në luftë dhe fitorja herë u takon besimtarëve që Allahu ta ndihmojë fenë e Tij, herë u takon jobesimtarëve, nëse besimtarët nuk veprojnë në përputhje me ligjet e Allahut. Në këtë mënyrë Allahu i sprovon dhe i pastron besimtarët nga gjynahet e tyre. E, nëse qëndrojnë në rrugën e Allahut, atëherë besimtarët janë fitimtarët.”[2]

Ez Zuxhaxhi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Fjalët në ajet: “Ne i ndërrojmë midis njerëzve” tregojnë se, kur besimtarët i shtojnë gjynahet, si pasojë e gjynaheve të tyre, Allahu i bën jobesimtarët të dominojnë për një kohë mbi besimtarët. E, nëse besimtarët ecin rrugës Allahut, atëherë do të jenë të përkrahur.”[3]

Në hadithin e njohur, në të cilin flitet për bisedën e Herakliut (mbretit bizantin) me Ebu Sufjanin h, tregohet se Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin: “Të pyeta se si e luftonit e u përgjigje që lufta është përleshje dhe ndërrim. Kështu edhe pejgamberët vihen në sprovë, e më pas fundi i mirë u takon atyre.”[4]

Kriteret e realizimit të mëkëmbjes dhe pushtetit:

Kurani me shumë qartësi njoftoi kriteret e mëkëmbjes dhe gjërave të nevojshme që mëkëmbja të jetë e vazhdueshme. Allahu thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët. Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut!” (En Nur, 55-56)

– Kriteret janë këto si vijojnë:

  1. Besimi në Allahun me të gjitha domethëniet dhe shtyllat e tij, kryerja e veprave të mira me të gjitha llojet e saj dhe kujdesi për t’u marrë me të gjitha llojet e bamirësisë.

Allahu thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira…” (En Nur, 55)

  1. 2. Plotësimi i teuhidit me sinqeritet të plotë dhe realizimi gjithëpërfshirës i të qenit rob i Allahut (ubudijes).

Allahu thotë: “Le të më adhurojnë Mua…” ((En Nur, 55)

Ibadeti (adhurimi) është emër gjithëpërfshirës për çdo gjë që e do dhe është i kënaqur me të Allahu, qofshin fjalë e vepra, qofshin të brendshme e të jashtme.

Një prej shkaqeve të dobësisë së umetit, mposhtjes dhe rënies shpirtërore para armiqve është mosrealizimi i të qenit rob i Allahut (ubudijes) me botëkuptimin e saj gjithëpërfshirës dhe të drejtë.

  1. Prej kritereve të tjera të rëndësishme për mëkëmbje është luftimi i shirkut (idhujtarisë) me të gjitha llojet dhe format e tij.

Allahu thotë: “… e të mos më shoqërojnë asgjë (në adhurim)…” (En Nur, 55)

Përhapja e shirkut nëpër shoqëritë islame është shkak për humbjen dhe devijimin e tyre prej udhëzimit hyjnor. Padrejtësia më e madhe dhe devijimi më i keq është mospasja sinqeritet në adhurimin e Allahut dhe barazimin e krijesës me Krijuesin të Gjithëdijshmin.

  1. Sabri (durimi)

Allahu thotë: “Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj beni israilëve, për shkak të durimit që treguan. Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam.” (El Araf, 137)

  1. Devotshmëria (takvallëku)

Allahu thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (El Araf, 96)

Devotshmëria jep rezultate të mëdha në dynja dhe ahiret. Këto rezultate shfaqen tek individët, më pas te shoqëria islame, e cila synon që feja e Allahut të jetë udha e tyre.

Disa imazhe ku shfaqet ligji i mëkëmbjes dhe pushtetit në Tokë:

Dhënia e pushtetit Jusufit, alejhi selam: “Dhe kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë në atë vend dhe ai kishte çfarë të dëshironte. Ne e shpërblejmë me mëshirën Tonë, kë të duam dhe punëmirëve nuk ua humbim shpërblimin.” (Jusuf, 56)

* Dhënia e pushtetit beni israilëve: “Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj beni israilëve, për shkak të durimit që treguan. Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam.” (El Araf, 137)

* Dhënia e pushtetit Davudit dhe Sulejmanit, alejhima selam: fillimi i këtij pushteti erdhi pas luftës që u zhvillua mes ushtrisë së Talutit dhe Xhalutit me ushtrinë e tij: “Me ndihmën e Allahut, ata i thyen armiqtë dhe Davudi e vrau Xhalutin. Allahu i dha atij pushtetin e profecinë dhe i mësoi dituritë që deshi…” (El Bekare, 251)

Kështu arritën beni israilët në kulmin e lavdisë dhe fuqisë së tyre.

Pas tij pushteti i takoi të birit, profetit Sulejman, alejhi selam. Allahu atij i dha pushtet e mbretëri, i dha mirësi e dhunti, i dha fuqi e komandim që pas tij askujt nuk i takon t’i posedojë ato.

* Dhënia e pushtetit Dhulkarnejnit: “Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë.” (El Kehf, 84) Domethënë, atij iu dha çdo gjë që e dëshiroi për interesat e mbretërisë së tij dhe për synimet e tij që lidheshin me pushtetin.

* Dhënia e pushtetit për Pejgamberin, alejhi selam, dhe sahabëve pas vdekjes së tij. Gjeneratat e para të drejta dalloheshin për imanin dhe veprat e mira, gjë që i bënte meritorë për udhëheqësi dhe komandim. Allahu u dha pushtet në toka të ndryshme, çliruan vende në lindje e perëndim, derisa dominoi siguria dhe mëkëmbja e plotë për një periudhë.

Pejgamberi, alejhi selam, na përgëzoi që fundi dhe mëkëmbja do t’i takojë kësaj feje.

Në një hadith Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Përgëzoje këtë umet me shkëlqimin dhe madhështinë e fesë, me fitore dhe me mëkëmbje në Tokë.”[5]

Madje, Pejgamberi, alejhi selam, u betua për këtë gjë dhe tha: “Pasha Allahun! Kjo fe aq shumë do të përhapet, saqë kalorësi do të udhëtojë prej Sanasë në Hadrameut dhe nuk do t’i frikohet askujt përveç Allahut.”[6]

Po ashtu tha: “Do të mbërrijë të përhapet kjo fe deri atje ku ka arritur nata dhe dita. Allahu do ta fusë këtë fe në çdo shtëpi fshati dhe qyteti, me nderimin e të nderuarit ose me poshtërimin e të poshtëruarit: krenari me të cilën Allahu e ngre Islamin dhe poshtërsi me të cilën Allahu e poshtëron kufrin.”[7]

Na lajmëroi me zgjerimin e pushtetit të umetit të tij: “Allahu ma mblodhi tokën mua, derisa e pashë lindjen dhe perëndimin e saj. Me të vërtetë, do të arrijë të zgjerohet pushteti i umetit tim aq sa u mblodh toka për mua.”[8]

Na përgëzoi me fitore të shumta, që është tregues se ky umet do të jetojë në përgjithësi me fitore, bie fjala, çlirimi i Romës, pasi të çlirohet Konstantinopoja.

Pejgamberi, alejhi selam, u pyet se cili prej qyteteve do të çlirohet i pari: Konstantinopoja apo Roma, dhe u përgjigj: “Qyteti i Herakliut do të çlirohet i pari (pra, Konstantinopoja).”[9]

Medoemos duhet të kuptojmë një fakt me rëndësi se mëkëmbja dhe pushteti në Tokë nuk janë synim më vete, por synimi i tyre është që të realizohet obligimi i të qenit rob i Allahut dhe të rregullohet jeta në tokë në përputhje me rregullat e Allahut.

Allahu i shfaqi synimet e mëkëmbjes dhe pushtetit në ajetin: “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë namazet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë.” (El Haxh, 41)

Nën domethënien e këtij ajeti përfshihen objektivat që myslimanët synojnë t’i realizojnë. Realisht qëllimi është që të realizohet ubudija (të qenët rob i Allahut), ku, si rrjedhojë, në Tokë nuk do të adhurohet askush tjetër pos Allahut, të përhapet feja e Tij e drejtë, të luftohet e kota me të gjitha format e llojet e saj dhe të përkrahet e vërteta me pasuesit e saj.

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)

[1] “Fikhu en Nasri ve et Temkini”, Alij es Salabij.

[2] “Tefsir Kurtubiu” (4/128).

[3] “Zad el Mesir”, Ibn el Xheuzij (1/466).

[4] Buhariu (7), Muslimi (17773).

[5] Ahmedi (20715), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Sahih el Xhami” (2825).

[6] Buhariu (3612).

[7] Ahmedi (16509), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Es Sahiha” (3).

[8] Muslimi (2889).

[9] Ahmedi (6607), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Es Sahiha” (4).