thumbs_b_c_68c4054fb311cbd0cbb82d8cb44a01da-1024x576

LIGJI I NDËRRIMIT

Pas konfliktit mes pasuesve të së vërtetës dhe së kotës, ose mes pasuesve të së kotës ndërmjet vete, vjen ligji i ndërrimit, e në atë rast dominimi nuk qëndron vetëm te njëra palë, por ai ndërrohet.

Pra, nganjëherë dominimi i takon njërës palë, nganjëherë palës tjetër, siç thotë Allahu: “Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët.” (Ali Imran, 140-141)

Dynjanë Allahu ia jep çdokujt: besimtarit dhe jobesimtarit, të devotshmit dhe të keqit, e më pas ndodh ndërrimi i ditëve mes njerëzve, ku njëra ditë i takon njërës palë, e dita tjetër palës tjetër. Ndërkaq, ahiretin ua jep vetëm atyre që besuan.

Është prej ligjeve të Allahut që pejgamberët me gjithë pasuesit e tyre çdoherë janë në konflikt me armiqtë e tyre, rrjedhimisht herë ngadhënjejnë ata, herë ngadhënjen armiku.

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Goditjen që e merr besimtari në këtë dynja duke u mposhtur herë nga armiku, herë duke ngadhënjyer mbi armikun, e në disa raste duke marrë lëndime, është çështje që medoemos duhet të ndodhë. Kjo i ngjason të nxehtit të rëndë, të ftohtit të acartë, sëmundjes, brengave dhe dëshpërimit, të gjitha këto janë të pashmangshme për natyrën dhe zhvillimin e njerëzimit në këtë dynja.”[1]

Ky ligj e rrënon propagandën e disave që e mbështesin teorinë “fundi i historisë”, që e pretendon mendimtari amerikan Francis Fukujama në librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”[2]. Hipoteza e tij thotë: “Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ngadhënjimit të demokracisë perëndimore, para botës më nuk ka mbetur asnjë opsion i ri. Pas këtij ngadhënjimi, nuk do të vijë më gjë e re.”

Epërsia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj e ka epokën e vet në historinë bashkëkohore, siç e kishin më herët shumë superfuqi të tjera. Epoka nuk ndalet këtu dhe historia nuk përfundon me këtë pamje, por ajo vazhdon e qarkullon epokë pas epoke, duke u realizuar në këtë mënyrë fjala e Allahut: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…” (Ali Imran, 140)

Këtë realitet e përshkoi poeti me fjalët:

Çdo gjë që s’ka fund është e mangët,

prandaj njeriun nuk duhet ta mashtrojë jetesa e mirë.

Gjërat ndërrohen, siç ke parë dhe vetë,

ndoshta gëzohet për një kohë, por të shumtën e herëve do të pikëllohet.

Kjo dynja nuk mbetet për askënd,

dhe gjërat ndryshojnë e nuk mbeten të njëjta.

– Disa imazhe në të cilat shfaqet ligji i ndërrimit mes popujve:

* Fitorja e persianëve mbi bizantinët. Për një periudhë kohore, derisa deshi Allahu, persianët dominuan mbi bizantinët, e më vonë roli ndryshoi: nisi dominimi i bizantinëve mbi persianët. Kurani tregoi për këto luftëra mes tyre: “Elif, Lâm, Mîm. U mundën bizantinët, në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë.” (Er Rum, 1-3)

Zubejr ibn Abdullah el Kilabi thotë: “Isha dëshmitar i ngadhënjimit të persianëve mbi bizantinët e pastaj të ngadhënjimit të bizantinëve mbi persianët. Pastaj e arrita kohën kur myslimanët ngadhënjyen mbi persianët dhe bizantinët. Të gjithë këto ndryshime ndodhën përbrenda pesëmbëdhjetë vjetësh.”[3]

*Në Betejën e Bedrit fituan myslimanët ndaj jobesimtarëve, ndërsa në luftën e Uhudit, Allahu ua mundësoi jobesimtarëve të ngadhënjejnë mbi myslimanët.

*Një periudhë kohore, për diku tetë shekuj, Andaluzia ishte në duart e myslimanëve. Allahu ua mundësoi myslimanëve që të ngadhënjejnë mbi të krishterët e atij vendi. Pushteti i tyre zgjati tetë shekuj dhe, kur myslimanët zunë të ishin larg fesë së tyre, atëherë ndryshoi realiteti: të krishterët ngadhënjyen mbi myslimanët.

– Disa shkaqe të ndërrimit të rolit dominues mes popujve:

Ndërrimi i rolit dominues mes popujve dhe shteteve ose mes njërës palë me palën tjetër nuk vjen kuturu dhe shkel e shko. Të gjitha ndërrimet në rolin dominues vijnë sipas urtësive të mëdha hyjnore, në përputhje me sistemimin dhe ligjet e pandryshueshme të Allahut te krijesat. E, kush i kupton ato dhe punon sipas tyre, atij i takon fitorja.

Prej shkaqeve të fitores së jobesimtarëve ndaj myslimanëve janë: frika, dobësia shpirtërore dhe ambicieve, mospajtimi mes myslimanëve, gjynahet dhe lakmia pas dynjasë.

Disa prej këtyre shkaqeve Allahu i përmendi në Kuran përgjatë përmendjes së shkaqeve të humbjes së myslimanëve në Luftën e Uhudit, kur thotë: “Por, kur ju u frikësuat, u grindët mes vete dhe kundërshtuat (Pejgamberin m), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër…” (Ali Imran, 152)

Dhe thotë: “Kur ju goditi fatkeqësia, ndërkohë ju i kishit goditur më parë armiqtë tuaj dyfish, ju thatë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush.” Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Ali Imran, 165)

Abdullah ibn Omeri tregon se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kur të punoni me el iine (një prej formave të shitblerjes me kamatë), kur të kapeni për bishtat e lopëve (pra, të jepeni pas blegtorisë), kur të jepeni pas bujqësisë dhe kur të largoheni nga lufta në rrugën e Allahut, atëherë Allahu do të lejojë të bjerë mbi ju poshtërsia e dobësia dhe nuk do t’i largojë ato, derisa t’i ktheheni fesë suaj.”[4]

Theubani  tregon se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Gati sa nuk janë bashkuar jobesimtarët nga të gjitha anët kundër jush, ashtu siç bashkohen një grup njerëzish përreth ushqimit!” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! A do të jemi pakicë ato ditë?” Tha: “Jo! Përkundrazi, ato ditë ju do të jeni shumë, por të pavlerë, si llumi që e bart me vete shkuma e detit. Prej zemrave të armikut tuaj do të hiqet frika për ju, ndërsa në zemrat tuaja do të vendoset el vehn (dobësia dhe pafuqia).” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë është el vehn?” Tha: “Dashuria për dynjanë dhe urrejtja e vdekjes.”[5]

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)

[1] “Igathetu el Lehfan” (2/189).

[2] “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, Francisko Fukujama, botuar në vitin 1991. (Sh. p.)

[3] “Delail en Nubuve”, Bejhakiu (2/209).

[4] Ebu Davudi (3462), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Es Sahiha” (11).

[5] Ebu Davudi (4297), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Es Sahiha” (958).