1686748982640

LIGJI I NDRYSHIMIT

Prej ligjeve të Allahut në shoqëri dhe popuj, si dhe në jetë në përgjithësi, është “ligji i ndryshimit”.

Me ligjin e ndryshimit nënkuptojmë që Allahu e ndryshon gjendjen e shoqërive dhe popujve nga një gjendje në tjetrën, në përputhje me rregullat dhe ligjet e pandryshueshme hyjnore.

Ndryshimi është ligj i përgjithshëm në orbitë dhe në krijesa. Ne, njerëzit, dhe krijesat e tjera përreth nesh, e perceptojmë këtë ligj realisht dhe askush nuk mund ta mohojë këtë realitet.

Ndryshimin e vërejmë mes fuqisë dhe dobësisë: “Allahu është ai që ju ka krijuar të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Er Rum, 54)

E vërejmë mes krenarisë dhe përbuzjes: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Ali Imran, 26)

E vërejmë mes pasurisë dhe varfërisë: “Vallë, a nuk dinë ata se Allahu ia zgjeron furnizimin dhe ia ngushton kujt të dojë?!” (Er Rum, 37)

Po ashtu vërejmë edhe shumë forma të tjera të ndryshimit te gjendja e individëve.

– Po ashtu ndryshimin e vërejmë ndër shoqëri dhe popuj:

Ndryshimi i gjendjes së shoqërive dhe popujve nga një gjendje në tjetrën është dukuri e vërtetuar për të cilën dëshmon historia dhe realiteti që e jetojmë. Shoqëritë nuk qëndrojnë në një gjendje, por në vazhdimësi ndryshojnë nga një gjendje në tjetrën.

Sa e sa popuj ishin në dhunti, lumturi, luks, civilizim, fitore, pushtet dhe pasuri, por më pas ndryshoi gjendja e tyre duke u shndërruar në popuj të privuar, të pafat, në gjendje të vështirë, të prapambetur, të dobët, të humbur, të dominuar prej armikut dhe të varfër.

Sa e sa popuj ishin të pafat, të dobët dhe të mundur, por më vonë u bënë të lumtur, të fortë dhe me pushtet.

Duhet kuptuar një fakt se ky ndryshim në shoqëri dhe popuj nuk ndodh rastësisht dhe kuturu, po ecën në përputhje të plotë me rregullat dhe sistemin e ligjit për ndryshim.

Allahu e qartësoi këtë ligj në fjalët e Tij: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete…” (Er Rad, 11) Pra, ky ligj është i vërtetuar dhe i pandryshueshëm. Në përputhje me themelet e saj ngrihen dhe bien popuj, lartësohen dhe përbuzen kombe, zbresin mirësi dhe fatkeqësi. Në përputhje me themelet e saj ndryshohet dinjiteti dhe përbuzja. Në përputhje me themelet e saj ndryshohen civilizimet, ngritja dhe rënia, fuqia dhe dobësia, pasuria e varfëria, shëndeti e sëmundja e tyre. Në përputhje me themelet e saj jepet krenaria dhe poshtërsia. Në përputhje me themelet e saj Allahu ndëshkon dhe shpërblen.

Ky ajet sinjalizon për një ligj të qëndrueshëm që domethënia e tij është se Allahu nuk do të ndryshojë gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vete. Ky ligj është i vazhdueshëm, i pandryshueshëm, i paanshëm dhe nuk shkakton padrejtësi.

Ky ligj nuk e ndryshon të mirën ose të keqen, nuk ndryshon krenarinë ose përbuzjen, nuk ndryshon dinjitetin ose poshtërimin, veç atëherë kur njerëzit e ndryshojnë besimin, veprat, ndjenjat dhe realitetin e jetës së tyre, kështu që Allahu e ndryshon gjendjen e tyre sipas vijës që ecin shpirtrat dhe veprimet e tyre.

Ndodhia e ndryshimit prej Allahut bazohet në veprimet që njerëzit i punojnë, pavarësisht a janë ato negative apo pozitive. Çdo ndryshimi që vjen prej njerëzve i kundërvihet ndryshim prej Allahut: nëse ata punojnë mirë, ndryshimi vjen për mirë, e, nëse ata punojnë keq, ndryshimi vjen për keq.

Ajeti përmend dy ndryshime: një ndryshim që vjen prej Allahut dhe një tjetër që vjen prej njerëzve.

Fusha e ndryshimit që vjen prej Allahut: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli…” dhe fusha e ndryshimit që Allahu ua ngarkoi njerëzve: “… derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete…”

“Kjo është nder për njerëzimin; saqë Allahu ndryshimin e paracaktuar në jetën e njerëzve e bëri në bazë të ndryshimit të realitetit në zemrat, qëllimet, sjelljet, veprimet dhe gjendjen e tyre, që ata e kanë përzgjedhur për vetvete.”[1]

Ky ligj është i përgjithshëm për të gjithë njerëzit. Nuk veçohet asnjë prej popujve ose kombeve. Allahu të gjithë popujt i trajton në përputhje me këtë ligj. Nëse ai popull e ndryshon gjendjen në vetvete, Allahu do ta ndryshojë gjendjen e atij populli.

Fjalët: “një populli”, në ajet, ka ardhur e pashquar, që do të thotë se përfshihet secili popull, pavarësisht drejtimit të tyre jetësor. Përgjithësimi në ajet i fjalës popull i jep përmasa gjithëpërfshirëse, që nënkupton se përfshin çdo shtresë, çdo ambient, çdo pozitë shoqërore, çdo fe dhe milet, çdo gjendje shoqërore, politike dhe ekonomike të njerëzve.

Ligji i ndryshimit është ligj kolektiv dhe jo individual. Fjala popull në ajet nënkupton kolektiv, që po ashtu i thuhet kombit ose shoqërisë.

Ndryshimi, pra, është ligj shoqëror e jo individual. Ndryshimi në shoqëri bëhet në bazë të punës kolektive, ashtu siç tha Pejgamberi m: “Kur njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, ekziston rreziku që Allahu ta përgjithësojë ndëshkimin e Tij dhe ta përfshijë gjithë shoqërinë.”[2]

Kjo nuk nënkupton që ndryshimi arrihet veç nëse e gjithë shoqëria ndryshon ç’kanë në vetvete, ngase nganjëherë vjen deri te ndryshimi i shoqërisë nëse ndryshohen disa individë prej shoqërisë.

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu na lajmëroi në këtë ajet se nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa të ndodhë ndryshimi te njerëzit; ose prej vetë atyre, ose prej udhëheqësve të tyre, ose prej dikujt që është pjesë e tyre dhe ka qenë shkaktar për ardhjen e ndryshimit, si rasti në Luftën e Uhudit, kur myslimanët së pari e fituan betejën, por, kur shigjetarët nuk e respektuan urdhrin e Pejgamberit m dhe u larguan nga pozicioni i tyre, u bënë shkaktarë që myslimanët ta humbnin betejën. Kështu, nga fitimtarë që ishin u bënë humbës.

Ajeti nuk nënkupton se dënimi do t’i zbresë vetëm atij që i afrohet gjynahut, por mund ta godasin fatkeqësitë edhe shkaku i gjynaheve të të tjerëve, sikurse në rastin kur Pejgamberi m u pyet se a do të shkatërrohemi të gjithë, edhe pse në mesin tonë ka njerëz të mirë, e përgjigjja e tij ishte: “Po, nëse shtohet e keqja.”[3]

– Llojet e ndryshimeve:

Lloji i parë: Ndryshimi prej së mirës në të keqen ose prej së keqes në më të shëmtuar:

Allahu thotë: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (El Enfal, 53)

Imam Taberiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli; duke e privuar nga të mirat dhe shëndeti, e më pas ta shkatërrojë, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete; prej padrejtësisë dhe dhunës ndaj njëri-tjetrit. Kështu do ta meritojnë t’u zbresin ndëshkimet e Allahut dhe të ndryshohet gjendja e tyre.”[4]

– Shkaktarët e këtij ndryshimi mund të jenë:

  1. Mohimi i dhuntive të Allahut:

Allahu thotë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” (En Nahl, 112)

Dhe thotë: “Eh, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, sepse banorët e tyre bënin jetë të shfrenuar! Ja tek janë shtëpitë e tyre, të cilat janë banuar pas tyre fare pak ose aspak. Jemi Ne trashëgimtarët e fundit.” (El Kasas, 58) Domethënë, sa e sa banorë të qyteteve kemi shkatërruar?! Jetonin në mirësi dhe rehati, por u treguan arrogantë dhe mosmirënjohës për këto mirësi, rrjedhimisht Allahu i shkatërroi.”[5]

  1. Padrejtësia dhe tirania:

Allahu thotë: “Ato qytete[6] Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe, për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat.” (El Kehf, 59)

Dhe thotë: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 102)

Dhe thotë: “Sa e sa vendbanime, banorët e të cilëve kanë qenë zullumqarë, i kemi shkatërruar; e pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë!” (El Enbija, 11)

Kur ekuilibri lëkundet dhe kur vlerat humben e kur i forti e përdor fuqinë mbi të dobëtin, atëherë prite shkatërrimin prej Allahut.

  1. Rebelimi kundrejt urdhrave të Allahut:

Allahu thotë: “Sa shumë qytete u treguan kokëforta para urdhrave të Zotit të vet dhe të dërguarve të Tij! Ne u kërkuam llogari të rreptë dhe i ndëshkuam me dënim të ashpër. Ata i provuan pasojat e veprave të veta dhe fundi i tyre qe shkatërrim.” (Et Talak, 8-9)

  1. Rënia në gjynahe dhe mëkate:

Allahu thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Esh Shura, 30)

Dhe thotë: “A nuk e shohin ata se sa brezni i kemi zhdukur para tyre?! Ata ishin njerëz që u kishim dhënë më shumë pushtet në tokë sesa ju kemi dhënë juve (mekasve)? Ne u sollëm atyre shira të bollshëm dhe bëmë që të rrjedhin lumenj nëpër viset e tyre; por, për shkak të gjynaheve të veta, i shfarosëm dhe, më pas, krijuam brezni të tjera.” (El Enam, 6)

Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “O ju muhaxhirë (emigruesit në rrugë të Allahut)! Janë pesë gjëra për të cilat e lus Allahun të mos sprovoheni me to e as t’i arrini ato: nuk është përhapur imoraliteti në një popull ndonjëherë derisa kanë filluar ta shfaqin haptazi, veçse tek ata është përhapur murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera që baballarët e tyre nuk i kanë njohur më herët; nuk peshojnë e nuk matin drejt (pakësojnë në peshore), veçse do të ndëshkohen me varfëri, skamje dhe padrejtësitë e pushtetarëve ndaj tyre; nuk e ndërpresin dhënien e zekatit, veçse do t’u ndërpritet shiu nga qielli dhe, sikur të mos ishin kafshët, nuk do të pikonte asnjë pikë; nuk e thyejnë premtimin e dhënë Allahut dhe premtimin e dhënë të Dërguarit të Allahut m, veçse Allahu do t’u dërgojë një armik të jashtëm, i cili do t’ua marrë disa prej të mirave që i posedojnë, si dhe nuk gjykojnë udhëheqësit e tyre me Librin e Allahut dhe nuk zgjedhin gjykimet që i ka zbritur Allahu, veçse Allahu do t’i përçajë e do t’ua shtojë urrejtjen mes vete.”[7]

Kalimi prej adhurimeve në kryerjen e gjynaheve është një nga shkaqet e ndryshimit, andaj “nuk ka banorë të një vendi ose të një familjeje që ishin të kapur për adhurimin e Allahut, e më pas e braktisin këtë gjendje dhe nisën veprimin e gjynaheve, veçse Allahu ua ndryshoi gjendjen prej asaj që dëshironin në atë që e urrenin.”[8]

  1. Braktisja e thirrjes në të mirën dhe e ndalimit të së keqes:

Allahu thotë: “Ata benu israilë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Davudit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi dhe nuk ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!” (El Maide, 78-79)

Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “Kur brenda një shoqërie punohen gjynahe, e ata kanë mundësi ta ndalojnë gjynahqarin të vazhdojë me gjynahet e tij, por nuk e bëjnë atë, atëherë Allahu atyre ua përshpejton dënimin në dynja para se të vdesin (e ta marrin në ahiret).”[9]

Bilal ibn Sadi (Allahu e mëshiroftë!) thoshte: “Nëse fshihet gjynahu, dëmtohet vetëm ai që e punon, e, nëse publikohet dhe të tjerët nuk e largojnë, atëherë dënimi i përfshin të gjithë.”[10]

Omer ibn Abdulazizi (Allahu e mëshiroftë!) thoshte: “Allahu nuk dënon një popull për gjynahun e një personi, por, nëse gjynahu shfaqet haptazi dhe të tjerët nuk e ndryshojnë gjendjen duke e penguar atë, atëherë dënohen të gjithë (gjynahqari dhe të tjerët që nuk e ndryshuan gjendjen e tij).”[11]

  1. Të kënaqurit me dynjanë dhe rivaliteti mes njerëzve për të:

Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kur të punoni me el iine (një prej formave të shitblerjes me kamatë), kur të kapeni për bishtat e lopëve (pra, të jepeni pas blegtorisë), kur të jepeni pas bujqësisë dhe kur të largoheni nga lufta në rrugën e Allahut, atëherë Allahu do të lejojë të bjerë mbi ju poshtërsia e dobësia dhe nuk do t’i largojë ato, derisa ju t’i ktheheni fesë suaj.”[12]

Hadithi qartëson se largimi i këtij ndryshimi ndodh vetëm me kthimin te feja.

Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Pasha Allahun! Nuk i frikohem varfërisë për ju, por kam frikë se dynjaja do t’ju lehtësohet ashtu si ndodhi te popujt e mëhershëm e të rivalizoni njëri-tjetrin për të, ashtu si rivalizuan njëri-tjetrin ata para jush e t’ju shkatërrojë ashtu si i shkatërroi ata që ishin para jush.”[13]

Dhënia dhe lakmia pas dynjasë ishin nga shkaqet më të rëndësishme në ndryshimin e zhvillimit të myslimanëve në Andaluzi, i cili për tetë shekuj ishte nën sundimin e myslimanëve. Kështu, ata i goditi sëmundja e luksit, dhënia pas dynjasë, preokupimi me qejfe e paturpësi dhe zhytja në epshe.

Mu për këtë u ndryshua gjendja e tyre nga e mira në të keqe, të krishterët ua shembën pushtetin, i derdhën gjaqet e tyre dhe i dëbuan nga vendbanimet e tyre.

Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “O Allah! Ty të ankohemi për punët e mbretërve tanë myslimanë! U preokupuan me dynjanë dhe e harruan fenë. U angazhuan me ndërtimin e pallateve, të cilat do t’i braktisin me vdekjen e tyre, e nuk po merren me ngritjen e fesë, që e kanë të domosdoshme për ahiretin e tyre. Lakmojnë të grumbullojnë pasuri, e kjo ndoshta do t’ua marrë krejt vëmendjen, derisa do ta harrojnë edhe armikun, të cilit do t’i jepet mundësia t’i sulmojë, e ata nuk do të jenë në gjendje të mbrohen e as ta mbrojnë fenë e tyre, e cila fe i ngriti në dynja dhe nëpërmjet saj shpresojnë të fitojnë ahiretin.”[14]

Në faqen tjetër të librit sqaron se prijësit e qyteteve në Andaluzi ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga çdo gjë, në kompensim të qëndrimit të tyre në pushtet. Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Pasha Allahun! Sikur t’ju thuhej që me adhurimin e kryqit do t’ju ecin punët mbarë, do të nguteshin sa më shpejt ta vepronin atë. Ne i shohim si i ftojnë të krishterët për ndihmë kundër myslimanëve dhe ua mundësojnë të arrijnë te gratë e myslimanëve, fëmijët dhe burrat e tyre, t’i marrin si robër për në vendet e tyre. Ka shumë gjasa që me vetëdëshirë ua dhanë qytetet dhe kalatë e më pas ata e zhdukën Islamin prej aty dhe i mbushën me kisha e kryqe.”[15]

– Në Kuran dhe Sunet kemi shumë shembuj praktikë të atyre që mirësinë e Allahut e ndryshuan me mohim e Allahu i ndëshkoi shkaku i mohimit të tyre. Prej shembujve në fjalë përmendim:

Faraoni dhe populli i tij:

Allahu thotë: “Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata, sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin! Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër.” (Ed Duhan, 25-28)

Mbretëria e Sebës:

Allahu thotë: “Vendbanimi i Sebës ishte një shenjë e qartë për banorët e tij: dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë të lumit. (Ne u thamë atyre): “Hani nga ato që ju ka dhënë Zoti juaj dhe falënderojeni Atë. I mrekullueshëm është vendi juaj dhe Falës i madh është Zoti juaj!” Por ata nuk ua vunë veshin (fjalëve Tona), prandaj Ne lëshuam mbi ta ujërat e digës dhe dy kopshtet e tyre ua zëvendësuam me kopshte të tjera, me fruta të hidhëta marine dhe pak lotues. Ne i dënuam kështu si pasojë e mosbesimit dhe mosmirënjohjes së tyre. Vallë, a dënojmë Ne tjetërkënd, përveç mosmirënjohësve?” (Sebe, 15-17)

Ata jetonin në mirëqenie dhe bollëk në tokën e tyre. Lulëzonin bujqësia e blegtoria, kopshtet e lulet, derisa gruaja ecte nën pemë dhe mbi kokën e saj binte zymbyli. Ngaqë kishte shumë fruta, nga pesha e rëndë kur piqeshin binin përtokë, pa pasur nevojë që dikush t’i vjelë. Kështu i komentuan këto ajete dijetari Katade (Allahu e mëshiroftë!) dhe dijetarët e tjerë.[16]

Toka e tyre ishte më pjellorja dhe më produktivja, më frytdhënësja dhe me më së shumti kopshte në Jemen. Banorët e saj e përjetonin rehatinë dhe luksin që nuk e kishin të tjerët. Thithnin ajër të pastër, qiellin mbi kokat e tyre e kishin të çiltër, u rridhnin ujëra dhe lumenj, ishin të bashkuar dhe të fuqishëm.

“Allahu u dërgoi pejgamberë, të cilët i urdhëronin të hanin nga furnizimet e Tij, të falënderonin me teuhid dhe me adhurimin e Tij. E ndoqën këtë rrugë derisa deshi Allahu, e më pas nisën të kundërshtonin urdhrat e Allahut. Kështu, u erdhi dënimi i rëndë, u përmbysën me ujëra dhe u degdisën në vende të ndryshme.”[17]

Shpërtheu penda e ujit dhe vërshoi uji në tokën e tyre, i prishi kopshtet dhe pemët, u prishën fushat dhe arat, u shkatërruan shtëpitë dhe vendbanimet e tyre, u fundosën njerëzit dhe kafshët, ndërsa të gjallët prej tyre u detyruan të iknin prej aty dhe të shpërnguleshin në vende të tjera. U shkatërruan shumë keq dhe i rëndë ishte fundi i tyre.

Uji ishte shkaku i civilizimit të tyre, e mosmirënjohja e tyre ndaj Allahut për gjithë ato mirësi e bëri ujin shkak të përmbysjes dhe shkatërrimit të tyre.

Pronarët e kopshtit (as’habul xheneh):

Allahu thotë: “Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat, e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti”! Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin dhe gdhiu si i kositur. Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin: “Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni t’i vilni frutat!” Dhe u nisën duke pëshpëritur: “Të mos lejojmë asnjë të vobektë që të hyjë në kopshtin tonë!” Ata u nisën herët, të vendosur në atë që thanë. Por, kur e panë kopshtin, ata thanë: “Ne qenkemi vërtet të humbur; madje, qenkemi të privuar (nga frutat e kopshtit).” Më i arsyeshmi ndër ta tha: “A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni Allahun?!” “Lavdëruar qoftë Zoti ynë!, – thanë, – Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!” Atëherë filluan të qortojnë njëri-tjetrin. “Ah, të mjerët ne!, – thanë ata, – Paskemi qenë vërtet arrogantë! Zoti ynë mund të na japë një kopsht më të mirë, po të kthehemi të penduar tek Ai!” I tillë ka qenë dënimi i tyre, kurse dënimi në jetën tjetër është më i madh, veç sikur ta dinin!” (El Kalem, 17-33)

Për nijetin e keq në zemrat e tyre e morën shpërblimin e Allahut duke ua ndryshuar realitetin e kopshtit të tyre, prej një kopshti frytdhënës në një kopsht të djegur pa asnjë frutë në të, si nata e errët, nga dënimi i Allahut.

Rasti i të zgjebosurit dhe qelanit:

Rastin e tyre na e rrëfeu Pejgamberi, alejhi selam. Ishin tre njerëz nga beni israilët, kur dy dështuan dhe i treti fitoi.

Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “Tre njerëz nga beni israilët Allahu deshi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte i zgjebosur, i dyti qelan, kur­se i treti i verbër. Allahu u dërgoi një melek, i cili së pari i vajti të zgjebosurit dhe i tha: “Çfarë dëshiron më së shumti?” Tha: “Më së shumti dëshiroj të kem ngjy­rë dhe lëkurë të mirë e të çlirohem nga kjo, për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit.” Meleku e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e mori ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj meleku) Tha: “Çfarë dëshiron më së shumti prej pasurisë?” Tha: “Devetë, – ose: lopët (nuk i kujtohet saktë tran­s­metuesit), ai i jep një deve barrsë dhe i thotë: “Allahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: “Çfarë dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Flokë të bukur dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” Meleku e fërkoi dhe ai shërohet e i jepen flokë të bukur. (Meleku) Tha: “Çfarë dëshiron më së shumti prej pasurisë?’ (Qelani) Tha: “Lopët.” Meleku i jep një lopë me barrë dhe i thotë: “Allahu të bekoftë me të!” Meleku i vajti të verbrit e i tha: “Çfarë dëshiron më së shumti?” (I verbri) Tha: “Të ma kthejë Allahu shikimin, që t’i shoh njerë­zit.” Meleku e fërkoi dhe Allahu ia ktheu shikimin. (Meleku) Tha: “Çfarë dëshiron më shumti prej pasurisë?” (I verbri) Tha: “Dhentë!” Meleku i jep një dele që pjell. Te të tre pasuria u shtua e u rrit, kështu që njëri (i zgjebosuri) bëri një luginë me deve, i dyti (qe­lani) bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbri) bëri një luginë me dele.

Pas kësaj meleku i vajti të zgjebosurit në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i tha: “Unë jam një njeri i mjerë e asgjë s’më ka mbetur në udhëtim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut e pastaj ti, andaj po të lu­tem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve, që të mund ta va­zhdoj rrugën.” (Ish-zgjebaniku, tashmë pasanik) Tha: “Jo, unë kam shumë obligime (borxhe).” (Meleku) I tha: “Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë i zgjebosur, nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin Allahu e ka pasuruar?” Tha: “Unë këtë pasuri e kam tra­shëguar nga të parët e mëdhenj.” Meleku i tha: “Nëse po gënjen, Allahu të ktheftë në atë gjendje në të cilën ke qenë!”

Pastaj meleku i vajti qelanit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i tha ashtu siç i tha të zgjebosurit, por edhe ky i për­gjigjet ashtu siç iu përgjigj i zgjebosuri. Meleku i tha: “Nëse po gënjen, Allahu të ktheftë në gjendjen që ke qenë!”

Pastaj meleku i vajti ish-të verbrit, por në formën dhe pam­jen e tij të mëparshme, dhe i tha: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut e pastaj ti. Të lutem në emër të Atij që të ka kthyer të parët, më jep një dele, që të ndihmohem me të dhe të vazhdoj rrugën.” (Ish-i verbri) Tha: “Vërtet unë kam qenë i ver­bër, por Allahu më ka kthyer të parët. Merr vëlla çfarë të duash dhe lër çfarë të duash! Pasha Allahun, asgjë sot nuk të ndaloj të ma­rrësh në emër të Allahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm.” Meleku i tha: “Mbaje krejt pasurinë, se ju vetëm keni qenë të spro­vuar. Allahu është i kënaqur me ty e është i hidhëruar me dy shokët e tu.”[18]

Beni israilët:

Kur ata dy herë shkaktuan ngatërresa në tokë dhe shfaqën arrogancë, ndërsa në mesin e tyre nuk kishte kush t’i ndalte ose t’i luftonte që të largoheshin nga kjo rrugë, Allahu u dërgoi armiq të fuqishëm, të cilët depërtuan në çdo cep të shtëpive të tyre, ua shkatërruan faltoret dhe ua dogjën Teuratin, ua nxinë fytyrën dhe ua shkatërruan plotësisht çdo gjë që pushtonin. Kështu u plotësua premtimi i Zotit.

Po ashtu morën paralajmërime të tjera prej Allahut se sërish do t’i dënojë me këso ndëshkimesh hyjnore, nëse provojnë të bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen. Allahu thotë: “… por, nëse ju ktheheni (në gjynahe), Ne do t’u kthehemi (ndëshkimeve ndaj jush)…” (El Isra, 8)

Domethënë, nëse ju u ktheheni ngatërresave, arrogancës dhe padrejtësive, sërish do të kthehet dënimi dhe do t’ju dërgojmë armiq të fuqishëm që do t’ju pushtojnë plotësisht.

Lloji i dytë: Ndryshimi nga e keqja në më të mirë:

Nuk ka popull ose komb që synojnë ta ndryshojnë gjendjen e tyre nga e keqja në të mirë, vetëm se Allahu do ta ndryshojë gjendjen e tyre nga e mira dhe jetesa e rehatshme. Ky ndryshim vjen vetëm me besim në Allahun, me adhurimin dhe me respektimin e riteve të Tij, me përmirësimin e raporteve dhe me zbatimin e drejtësisë mes vete në shoqëri: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (El Araf, 96)

“Sikur ata të besonin me besim të sinqertë, të cilin do ta vërtetonin veprat e tyre e t’ia kishin frikën Allahut, duke u ikur gjynaheve në publik dhe në vetmi, Allahu do t’u dërgonte bereqet nga Qielli dhe Toka. Do t’u lëshonte shi me bollëk nga qielli, do të mbinin nga toka bimë që do të ishin të mjaftueshme për jetesën e tyre dhe të kafshëve të tyre. Do të jetonin në mirëqenie dhe në bollëk, pa lodhje e pa mundim, pa vështirësi dhe pa siklet.”[19]

Allahu thotë: “Sikur ata t’i përmbaheshin Teuratit e Ungjillit dhe asaj që u është shpallur nga Zoti i tyre, ata do të kënaqeshin me frutat (që rriten) sipër dhe poshtë tyre…” (El Maide, 66)

Kjo nënkupton se atyre do t’u jepej furnizim me bollëk nga Qielli dhe nga Toka.[20]

Allahu thotë: “Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm.” (El Xhin, 16) Pra, u jepej shumë ujë.

– Superioriteti vjen me Islam dhe krenaria vjen me fe. Kjo është rruga e drejtë për ngritjen e umetit dhe krenarisë së tij.

Kur sahabët e ndryshuan realitetin e vetes, e braktisën idhujtarinë e femohimin dhe nxituan drejt kënaqësisë së Allahut, atëherë Allahu e ndryshoi gjendjen e tyre: “Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në tokë e kishit frikë se njerëzit (jobesimtarët) do t’ju gllabëronin! Ai ju strehoi dhe ju forcoi me ndihmën e Tij e ju dha shumë të mira, që ju ta falënderoni.” (El Enfal, 26)

Katadja (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Vendet ku jetonin arabët ishin më të përbuzurat dhe jetesa në to ishte më e rënda. Njerëzit vuanin nga uria dhe nuk kishin veshmbathje të mjaftueshme. Idhujtaria ishte besimi i tyre. Ishin të pafuqishëm t’u kundërviheshin armiqve dhe qëndronin gojëmbyllur karshi dy superfuqive të asaj kohe, persianëve dhe bizantinëve. Jo, pasha Allahun! Në tokat e tyre nuk kishte gjë që t’u merret lakmi. Jetë të mjerë kishte ai që jetonte në ato vende. Kush vdiste prej tyre hidhej në zjarr. Shfrytëzoheshin dhe s’kishin fuqi ata të shfrytëzojnë të tjerët. Pasha Allahun, në atë kohë nuk njihet ndonjë popull në tokë që ka pasur pozitë më të keqe se ata.

Derisa erdhi Islami. Atëherë ndryshoi çdo gjë. Njerëzit e pranonin Islamin derisa i përfshiu gjithë ato troje. Allahu u zbriti bekime dhe u dha me bollëk. Prej tyre dolën mbretër që sundonin tokat. Me Islam Allahu i ngriti në këto pozita të larta. Andaj, jini mirënjohës ndaj Allahut për mirësitë e Tij. Me të vërtetë Zoti juaj është dhurues, i Cili e do mirënjohjen dhe falënderimin. E ata që falënderojnë, Allahu ua shton mirësitë e Tij.”[21]

Omer ibn Hatabi tha: “Ne ishim më të përbuzurit dhe Allahu na ngriti me Islam. Çdoherë që do ta kërkojmë krenarinë diku tjetër jashtë Islamit, Allahu do të na poshtërojë.”[22]

Këto realitete e rrëzojnë përtokë thirrjen injorante të nacionalistëve arabë që thirrin në arabizëm e pretendojnë që krenaria dhe pushteti i arabëve burimin e ka pasur tek arabizmi dhe nacionalizmi arab.

Pejgamberi, alejhi selam, punoi në ndryshimin e besimit, ideologjisë, pikëpamjeve dhe moralit të tyre, duke ndryshuar çdo gjë përreth tij. Njëherë ndryshoi Medina, më pas Meka, pastaj Gadishulli Arabik, që në fund ndryshimi të bartej në tokat e Bizantit dhe Persisë.

“Mirësitë që Allahu ua jep popujve e kombeve në fillim dhe në vazhdim (për të qenë të vazhdueshme) lidhen ngushtë me moralin, me sjelljen, me besimin, traditat dhe me veprat që janë shkak për ardhjen e mirësive të Allahut. Përderisa ata i posedojnë këto çështje, mirësitë do të jenë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Asnjëherë Allahu nuk do t’ua marrë ato mirësi, përderisa ata nuk bëjnë padrejtësi e as gjynah.

Kur ata ta ndryshojnë besimin, moralin dhe veprat e mira, atëherë Allahu do ta ndryshoje gjendjen e tyre duke ua privuar mirësitë e Tij. Kështu, i pasuri prej tyre bëhet i varfër, i ndershmi poshtërohet dhe i forti dobësohet. Ky është ligj i pandryshueshëm hyjnor, në popuj dhe kombe.”[23]

– Domosdoshmëria e ndryshimit në ditët e sotme:

Sikundërqë bota kishte nevojë për ndryshim në kohën kur i erdhi shpallja Pejgamberit, alejhi selam, po ashtu kemi nevojë sot për ndryshimin e njëjtë si në fillim të Islamit. Kjo arrihet veç nëse i kthehemi seriozisht asaj me të cilën erdhi Pejgamberi, alejhi selam, prej Zotit të tij.

Bota islame, në lindje e perëndim, është e thyer shpirtërisht dhe ka ngelur mbrapa. Në mjedisin e saj u përhapën shkaqet e dobësisë dhe çrregullimit, derisa u përfshinë hapësira të gjera nga themelet e besimit, ideologjisë, moralit, shoqërisë dhe ekonomisë.

Myslimanët ndryshuan shumë dhe, si rrjedhojë e këtij ndryshimi, u realizua ligji i pandryshueshëm hyjnor, që Allahu t’ua ndryshojë atyre gjendjen. Mu për këtë, umeti u poshtërua pas krenarisë që kishte, u përhap mosdija pasi mbizotëronte dijenia, u dobësua pasi kishte fuqi, derisa në aspektin e pozitës botërore ngeli te bishti i karvanit të njerëzisë.

Në rrafshin e besimit: u përhap adhurimi i varreve, marrja e udhëtimit enkas për t’i vizituar varrezat, lutja e të vdekurve, vizita e teqeve, paraqitja e shumë formave të shirkut (idhujtarisë) duke adhuruar tjetërkënd në vend të Allahut.

Në rrafshin e miqësimit dhe armiqësimit: u përhap injoranca e nacionalizmit dhe fanatizmit, derisa miqësimi dhe armiqësimi lidhen në bazë të nacionalitetit, gjuhës dhe gjakut.

Në rrafshin e sheriatit: u lanë anash ligjet e Allahut, për çështjet e jetës gjykohet me ligje të shpikura nga vetë njerëzit dhe ato e zunë vendin e ligjeve të Allahut në shumë prej tokave islame.

Në rrafshin e shtetit dhe politikës: laicizmi dhe sekularizmi u bënë pjesë e sistemit gjykues, kështu që humbi drejtësia e u përhap padrejtësia dhe krimi.

Në rrafshin e arsimit: ithtarët e së kotës i ndryshuan planprogramet shkollore, duke fshirë diçka e duke ndryshuar diçka tjetër. E instaluan brenda programit të kotën dhe ateizmin, luftuan çdo gjë që ka të bëjë me fenë dhe moralin, duke pretenduar se feja dhe jeta duhet të jenë të ndara.

Në rrafshin ideologjik: u munduan ta paraqesin Islamin me pamjen më të keqe dhe ta zbukurojnë të kotën.

Në rrafshin shoqëror: ndryshoi natyrshmëria, derisa në shumë shoqëri gruaja e zuri vendin e burrit.

Disa njerëz pikëllohen për gjendjen e umetit kur e shohin të dobët dhe që ka ngecur prapa, por më e rënda është se ata nuk ndërmarrin asnjë hap për ta ndryshuar dhe përmirësuar gjendjen, por presin mrekulli prej qielli ose e presin imam Mehdiun! Ata nuk e shohin veten se kanë rol në ndryshim, që nuk është e vërtetë dhe është gabim i madh, sepse argumentet e Kuranit dhe Sunetit tregojnë se njeriu ka rol të madh në ndryshim.

Fushat që kanë nevojë për ndryshim janë të shumta dhe, për ta kthyer realitetin në një gjendje të shëndoshë, duhet të përfshihen shtylla të ndryshme të jetës; ndryshim në besim e teuhid, rregulla dhe dispozita, adhurime dhe marrëdhënie tregtare, tradita dhe zakone, moral dhe sjellje, politikë dhe shoqëri, ekonomi dhe financa, prodhimtari dhe teknologji, arsim dhe mësim e shumë të tjera.

Ne duam ndryshim në fushat e shkencës, teknologjisë, edukatës dhe moralit në përputhje me ligjet e Allahut dhe kriteret e fesë.

Njëlloj siç veproi Omer ibn Abdulazizi (Allahu e mëshiroftë!) kur pranoi të bëhej udhëheqës i myslimanëve. Asokohe padrejtësia dhe krimet kishin pushtuar tokat e myslimanëve e ai bëri ndryshim rrënjësor të bazuar mbi drejtësinë: i ktheu gjërat e marra padrejtësisht të pronarët e saj. Fillimisht nisi me veten, pastaj me familjen dhe akrabatë e tij. Të gjithë ishin të barabartë para drejtësisë. Caktoi njerëz kompetentë me dije dhe besnikë. E ngjalli institucionin e thirrjes në të mirë dhe ndalimin e së keqes. Kujdesej për pastrimin e besimit në umet dhe i luftonte besimet e kota. Kujdesej në maksimum për diturinë dhe dijetarët.

Si ishte rezultati në fund?

U përhap rehatia në krejt tokat e myslimanëve, u shtua pasuria dhe njerëzit kishin me bollëk, derisa nuk gjenin njeri që ta pranonte zekatin.

Omer ibn Usejdi (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Pasha Allahun! Ende pa vdekur Omer ibn Abdulazizi, vinte personi e na sillte me vete shumë pasuri dhe na thoshte: “Jepni këtë pasuri kudo që ju e shihni të arsyeshme.” Por, detyrohej të kthehej së bashku me pasurinë e tij, sepse nuk gjenim dot njeri që ta pranonte atë. Të gjithë u bënë të pasur në kohën e Omerit.”[24]

Omer ibn Abdulazizi (Allahu e mëshiroftë!) urdhëroi njerëz të posaçëm të thërrasin për çdo ditë: Ku janë të ngratët? Ku janë borxhlinjtë? Ku janë ata që duan të martohen e nuk i kanë mundësitë? Ku janë jetimët? Derisa të gjithë atyre u dha pasuri dhe ua plotësoi nevojat.[25]

Si përfundim: ndryshimi i gjendjeve në shoqëri dhe popuj është ligj hyjnor që vjen si rrjedhojë e ndryshimit të vetë popujve. Kur ata e ndryshojnë gjendjen dhe sjelljen e tyre, atëherë vjen ndryshimi, qoftë për mirë, qoftë për keq, sipas drejtimit të ndryshimit që e merr ai popull.

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)

[1] “Fi Dhilal el Kuran” (3/724).

[2] Ahmedi (1), Ibn Maxhe (3995), Ahmed Shakiri dhe Albani e vlerësuan hadithin si të saktë.

[3] “El Xhami’ li Ehkam el Kuran”, Kurtubiu, (9/294). Hadithin e shënon Buhariu (3346), Muslimi (2880), prej hadithit të Zejnebe bint Xhehsh i.

[4] “Tefsiri i Taberiut” (13/471).

[5] “Fet’hul Kadir”, Sheukani, (4/208).

[6] Vargu bën fjalë për qytetet e shkatërruara të fiseve ad e themud, të popullit të Lutit etj., që u shkatërruan për shkak të ligësisë dhe shthurjes së banorëve të tyre. (E shkruar te fusnota e përkthimit të Kuranit – Hasan Nahi) (Sh. p.)

[7] Ibn Maxhe (4019), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.

[8] “Tefsir Ibn Kethir” (4/440).

[9] Ebu Davudi (3776), Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

[10] “Hiljetul Evlija” (5/222).

[11] “Musned el Humejdij” (1/295).

[12] Ebu Davudi (3462), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë në “Es Sahiha” (11).

[13] Buhariu (3158), Muslimi (2961).

[14] “Risail” Ibn Hazmi (3/41).

[15] Risail” Ibn Hazmi (2/19).

 

[16] “Tefsir Ibn Kethir” (6/507).

[17] “Tefsir Ibn Kethir” (6/504).

[18] Buhariu (3464), Muslimi (2964).

[19] “Tefsir es Sadij” (f. 298).

[20] “Tefsir Ibn Kethir” (3/148).

[21] “Tefsir Ibn Kethir” (4/40).

[22] Hakimi në El Mustedrek (f. 207), dhe hadithin e saktësoi sipas kritereve të dy imamëve, Buhariut dhe Muslimit. Me të në vlerësim u pajtua Dhehebiu, ndërsa Albani e vlerësoi si të saktë në “Es Sahiha” (1/118).

[23] “Tefsir El Minar” (10/33).

[24] “Sijer El Ealam En Nubela” (5/131).

[25] “El Bidaje ve En Nihaje” (9/200).