5eacb3cd484460.70432085

LIGJI I SHKATËRRIMIT TË KEQBËRËSVE

Padrejtësia pikënisjen e ka fëlliqësirë dhe fundin të keq. Është vendburim i shëmtive dhe të këqijave, i ha të mirat, e zhduk bereqetin, sjell keqardhjen dhe mbjell armiqësi. Sa herë që përhapet në një popull, atë e shkatërron, dhe, sa herë që përfshin një tokë, atë e asgjëson. Sikur një mal të bëhej i padrejtë ndaj një mali tjetër, do të shembej mali keqbërës. Pra, padrejtësia është shëmti dhe sjell paturpësi e i shkatërron tokat.

Allahu e përshkroi Veten të dëlirë nga padrejtësia, siç thotë: “Allahu nuk synon padrejtësi për robërit e Vet.” (Gafir, 31)

Në një hadith kudsij, Pejgamberi, alejhi selam, përcjell prej Allahut se ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia ndalova Vetes padrejtësinë dhe e bëra të ndaluar për ju, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.”[1]

Kur Ebu Idris el Haulani (Allahu e mëshiroftë!) e tregonte këtë hadith, binte në tokë me dy gjunjët e tij.

Allahu tregoi se nuk i do zullumqarët: “Allahu nuk i do zullumqarët.” (Ali Imran, 57)

I paralajmëroi zullumqarët për dënimin e dhembshëm: “Mjerë ata që kanë bërë padrejtësi – për dënimin e Ditës së dhembshme!” (Ez Zuhruf, 65)

I kërcënoi me fund të keq dhe mundim pas vdekjes: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).” (Esh Shuara, 227)

I dëboi dhe i largoi nga mëshira e Tij: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët.” (Hud, 18) Dhe “Larg qoftë (nga mëshira e Allahut) populli zullumqar!” (El Muminun, 41) Pra, çdo zullumqar do të ketë hise në këtë mallkim sipas masës së padrejtësisë që e punon, sado e vogël ose e madhe të jetë.

Zullumqari s’ka hise në shpëtim: “Njëmend, zullumqarët nuk do të shpëtojnë.” (El Enam, 135) Pra, do të privohet nga shpëtimi në dynja dhe ahiret, si dhe do largohet nga udhëzimi në çështjet e fesë dhe dynjasë.

Padrejtësia është errësirë. Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “Kujdes! Mos bëni padrejtësi, ngase padrejtësia është errësirë në Ditën e Kiametit.”[2]

Mjafton në qortimin e padrejtësisë fjala e Allahut: “… sigurisht, do të humbë ai që do të mbartë padrejtësi.” (Taha, 111)

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa furnizim i keq që bartet me vete për në ahiret është armiqësia ndaj robërve të Allahut.”[3]

Sufjan eth Theuriu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Të takosh Allahun me shtatëdhjetë gjynahe mes teje dhe Tij është më e lehtë për ty sesa ta takosh me një gjynah të bërë mes teje dhe njerëzve.”[4]

Krahasuar me gjynahet e tjera, gjynahu i padrejtësisë është më i rëndë, sepse në përgjithësi ai buron vetëm prej njeriut të dobët që nuk mund ta përmbajë veten e tij.[5]

Se padrejtësia është e shëmtuar të një mendimi janë të gjitha fetë.[6]

Në anën tjetër, urdhërohet kategorikisht drejtësia në të gjitha gjendjet dhe me gjithë njerëzit nga të gjitha fetë. Njëlloj është edhe padrejtësia: ndalohet kategorikisht në të gjitha gjendjet dhe me gjithë pjesëtarët e çdo feje.

Allahu thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En Nahl, 90)

Ky ajet është gjithëpërfshirës për të gjitha themelet e dispozitave. Nuk ka drejtësi, vlerë dhe qëndrueshmëri, veçse ky ajet urdhëron në të. Po ashtu nuk ka padrejtësi, gjynah dhe krim, veçse ky ajet e ndalon atë.

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Drejtësia obligohet në çdo gjë dhe ndaj secilit. Në anën tjetër, padrejtësia ndalohet në çdo gjë dhe ndaj secilit. Në parim, nuk lejohet t’i bëhet padrejtësi askujt, qoftë mysliman, qoftë jomysliman, qoftë zullumqar.”[7]

Padrejtësia ndaj njerëzve ka shumë forma, bie fjala, të privohen nga të drejtat dhe mospërfillja e tyre, veprimi i ndonjë gjëje që i dëmton ata.

Disa prej formave më të shëmtuara dhe më të rrezikshme të padrejtësisë janë:

* Tirania në tokë dhe sulmi ndaj njerëzve në forma të ndryshme të armiqësisë, në fenë ose në trupat e tyre, në pasuritë, nderin e mendjet e tyre.

* Ushtrimi i dhunës ndaj njerëzve; me vrasje a rrahje, burgim, ndëshkim etj.

Hisham ibn Hakim ibn Hizami k thotë: “Dëshmoj se e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të thotë: “Allahu do t’i ndëshkojë ata që i ndëshkojnë (padrejtësisht) njerëzit në dynja.”[8]

* Cenimi i pasurisë; qoftë me vjedhje, qoftë me keqpërdorim, qoftë me bërjen e hileve dhe mashtrimeve, qoftë me ryshfet, me kamatë ose me çfarëdo lloj mënyre që feja e konsideron të ndaluar.

* Prej formave më të rënda të padrejtësisë është që populli të shtypet mizorisht nga zullumqarët, ashtu si veproi Faraoni me beni israilët: “Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (El Kasas, 4)

Njëlloj veprojnë faraonët bashkëkohorë, të cilët i rrethojnë me tanke popujt e tyre të ngratë, ua ndërpresin ushqimin, ilaçet dhe rrymën. E a ka padrejtësi më të madhe se kjo?

Përmbysja e zullumqarëve dhe fundi i keqbërësve:

Fundi i zullumqarëve do të jetë i dhembshëm. Kush lexon jetëshkrimet e zullumqarëve, përfiton shumë mësime nga fundi i tyre. Do ta kuptojë mënyrën e shkatërrimit të tyre dhe çfarë poshtërimi kanë përjetuar në dynja, para se ta përjetojnë atë në ahiret.

Allahu ia përshpejton zullumqarit ndëshkimin në dynja, krahas rezervimit për në ahiret, për shkak të shëmtisë dhe dëmeve të mëdha që i sjell padrejtësia. Ebu Bekrete  tregon se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk ka gjynah që meriton t’i përshpejtohet vepruesit dënimi në dynja, krahas rezervimit për në ahiret, si gjynahu i padrejtësisë dhe shkëputjeve të lidhjeve farefisnore.”[9]

Zullumqarit i kthehet zullumi i tij. E sheh të poshtëruar, të turpëruar dhe të përbuzshëm. Nuk e arriti atë që e synoi dhe nuk e mori atë që e shpresoi.

Ligji kozmik i Allahut është i paracaktuar që zullumqarët të shkatërrohen, ushtruesit e dhunës të shfarosen dhe kurthet e keqbërësve të ndërpriten, pavarësisht keqbërësi a është individ, grup apo popuj prej popujve.

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në përgjithësi, zakonisht zullumqarit i përshpejtohet ndëshkimi në dynja (krahas rezervimit për në ahiret). E, nëse e vonon, atëherë urtësia qëndron se Allahu e lë njëherë t’i shtojë gjynahet, por, kur e merr për ta ndëshkuar, atëherë më s’ka shpëtim për të.”[10]

* Faraoni ishte ndër zullumqarët më të mëdhenj që Allahu ia përshpejtoi dënimin dhe na lajmëroi për fundin e tij. Ai tejkaloi çdo kufi, i shtypi mizorisht bijtë e israilit dhe e arriti kulmin e arrogancës: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (En Naziat, 24) Dhe tha: “Unë ju tregoj vetëm atë që shoh…” (Gafir, 29) Dhe tha: “Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (El Kasas, 38)

E si ishte fundi i zullumit të Faraonit?

Allahu thotë: “Prandaj Allahu e goditi atë me dënim në jetën tjetër dhe në këtë jetë.” (En Naziat, 25)

Dhe thotë: “Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (El Kasas, 40)

* Zullumqar tjetër i madh ishte Karuni. E shtypte mizorisht popullin e vet dhe  u tregua arrogant kur Allahu i dha aq shumë thesare, saqë çelësat e tyre me vështirësi i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Po ashtu tejkaloi çdo kufi kur pretendoi se çdo gjë e kishte fituar me diturinë e tij. E si ishte fundi i tij?

Allahu thotë: “Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten.” (El Kasas, 81)

* Ebraha, pronari elefantit, deshi ta shkatërrojë Qabenë gur më gur, por Allahu kundër tij lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë.

* Çfarë fundi të keq pati Ebu Xhehli, Faraoni i këtij umeti, dhe Umeje ibn Halefi, koka e devijimit e dinakërisë, dhe paria e fiseve të tyre që bënë zullum në Tokë, i shtypnin mizorisht, i torturonin dhe i mbytnin besimtarët e parë?

Dolën në Betejën e Bedrit kinse do të fitojnë, duke u mashtruar me numrin e ushtarëve, por harruan që lufta ishte kundër Allahut. Aty u shkatërruan zullumqarët dhe u asgjësuan sulmet e tyre. Beteja përfundoi me fitoren e myslimanëve që u treguan durimtarë në këtë situatë.

Shpërblimi vjen sipas lloji të veprës:

* Kur ndodhi Belaja e el Bramikës në kohën e kalif Harun Rashidit e u burgos Jahja el Bramikiu dhe fëmijët e tij, njëri prej fëmijëve i tha: “O baba! Pas pushtetit dhe mirësive që i kishim ramë në këtë gjendje?!” Ai iu përgjigj: “O biri im! Lutjen e të dëmtuarit që u ngjit natën lart e harruam ne, por jo Allahu.”[11]

* Xhejsh ibn Muhamed ibn Samsame ishte udhëheqës i Damaskut[12]. Ky njeri ishte zullumqar i madh, tiran dhe vriste njerëz pa faj. Në aspektin e besimit dhe fesë ishte i prishur. Njerëzit nuk kishin zgjidhje tjetër për të përveçse t’i drejtohen Allahut me lutje kundër tij. Banorët e Damaskut luteshin shumë që Allahu t’ia marrë shpirtin, derisa u sprovua me lebrosën dhe ndërroi jetë.

Sprova e tij ishte aq e rëndë dhe e sikletshme, saqë u thoshte shokëve të vet: “Ju lutem, më vritni, më rehatoni nga kjo jetë!”[13]

* Ibn Zijati ishte ministër i kalifit Mutesim, njeri i vrazhdë dhe me tipare të rënda. Fjala butësi dhe mëshirë nuk ekzistonin në fjalorin e tij.

Një ditë lexoi letrën ku fqinji kërkoi për hir të fqinjësisë t’i kryejë një nevojë, e ky ia ktheu me fjalët: “Muri është për fqinjët, ndërsa dhembshuria është për gratë.”

Gjatë periudhës sa ishte ministër ndërtoi një furrë prej hekuri dhe kokat e gozhdëve i kishte të futura përbrenda, kurse majat e tyre ishin sikurse gjilpëra të mëdha nga jashtë. Aty i ndëshkonte njerëzit. Sa herë që dikush dëshironte të lëvizte ose ta ndërronte pozitën nga nxehtësia e ndëshkimit me zjarr, i hynin gozhdët në trup duke ndier edhe më shumë dhembje. Askush nuk kishte ndëshkuar në këtë mënyrë para tij.

Kur ndonjëri kërkonte prej tij që ta mëshironte e i thoshte: “O ministër, më mëshiro!”, ky ia kthente: “Mëshira është dobësi e karakterit.”

E, kur e burgosi atë kalifi Mutevekil, urdhëroi ta fusin në furrë dhe e lidhën me pesëmbëdhjetë retla[14] prej hekuri, e Ibn Zijati i lutej: “O prijës i besimtarëve! Më mëshiro!” I tha: “Mëshira është dobësi e karakterit (ashtu si u thoshte ky vetë të tjerëve.)”[15]

Edhe në historinë bashkëkohore mund të marrim mësime nga fundi i zullumqarëve:

Si ishte fundi i Hitlerit nazist, i Musolinit fashist, i Shahut të Iranit, i kriminelit të Serbisë, Millosheviçit, i cili mizorisht bëri krime në Bosnjë (dhe Kosovë)? Ka edhe të tjerë plot që i tejkaluan kufijtë, shfaqën arrogancë dhe bënë krime në tokë. Më pas i bëri Allahu ta shijojnë poshtërimin në dynja. U zhdukën sikur të mos kishin qenë! Mjerë ata se çfarë dënimi i pret!

* Hitleri ishte kancelar i Gjermanisë, një prej superfuqive botërore. Ky njeri bëri kërdi në tokë dhe për shkak të tij u vranë miliona njerëz. Fundi i tij ishte mizor duke bërë vetëvrasje. E futi pistoletën në gojë dhe me një plumb e vrau veten.

Roja e tij e vendosi trupin e pajetë në një gropë të thellë, i hodhi vaj sipër dhe e dogji.

* Kemal Ataturku e shfuqizoi kalifatin osman, ndaloi të festohen Bajramet, e ndaloi vajtjen në haxhillëk, ditën e diel e bëri zyrtarisht ditë pushimi për myslimanët dhe dha urdhër që Xhamia Aja Sofia të shndërrohej në muze. Ishte pijanec, shpirtkeq, i çmendur dhe i shthurur.

Në fund të jetës u sprovua me sëmundje të rëndë: milingona të vogla të kuqe që nuk shiheshin me sy hanin trupin e tij. Po ashtu mëlçia e tij u sëmur rëndë. Në këtë gjendje qëndroi tre vjet dhe e shijoi ndëshkimin e rënde, derisa melekët ia morën shpirtin e tij zullumqar dhe të pafe.

* Në mesin e zullumqarëve bashkëkohorë përmendet një person që mizorisht i shtypte dhe i torturonte myslimanët. Aq i keq ishte, saqë merret si shembull për shpirtligësi dhe zullum. Atyre që i ndëshkonte, u thoshte: “Nëse Zoti juaj zbret prej qielli, së bashku me ju do ta burgos nën pranga prej hekuri.” Allahu na ruajttë! E si ishte përfundimi i tij?

Bëri ndeshje të rëndë. Vetura e tij u përplas me një kamion që bartte hekur, e helli i hekurit i hyri në trup dhe e copëtoi. Dënimin e mori ashtu si veproi vetë: viktimat e tij të pafajshme i bënte copë-copë.

* Sharoni llogaritet faraoni bashkëkohor, i cili u tregua arrogant karshi Allahut, vrau të pafajshmit, uzurpoi toka, dëboi civilë dhe bëri shkatërrime në tokë. Por, e gjitha zgjati disa ditë e muaj, derisa Allahu ia dërgoi dënimin e dhembshëm. Qëndroi gjatë kohë në një gjendje as i gjallë e as i vdekur, derisa nisën ta mallkojnë edhe populli tij: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!” (Hud, 18)

Këto dënime janë të dynjasë, ndërsa në ahiret i shënjuar është te Zoti i tyre: “Për ta ka dënim në këtë jetë, por dënimi në jetën tjetër, me siguri, është edhe më i ashpër; për ta s’ka mbrojtës nga dënimi i Allahut.” (Er Rad, 34)

Po ashtu Allahu thotë: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).” (Esh Shuara, 227)

E lusim Allahun që të na ruajë nga të bërët padrejtësi të tjerëve ose që të na bëhet padrejtësi neve!

Ndëshkimi i popujve keqbërës:

Dënimi i zullumqarëve nuk kufizohet vetëm me individin, sepse ligji i Allahut i përfshin edhe popujt zullumqarë.

Madje ligji është konsekuent te popujt zullumqarë dhe nuk ndryshon.” Kombeve dhe popujve zullumqarë medoemos do t’u bjerë pushteti dhe do të ndërrohet roli i tyre.”[16]

Në krahasim me individin, ku disave prej tyre dënimi u vonohet për në Ditën e Kiametit: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” (Ibrahim, 42)

Popujt që u shkatërruan për shkak të tiranisë dhe zullumit të tyre janë të shumtë, ashtu siç thotë Allahu: “Sa e sa vendbanime, banorët e të cilëve kanë qenë mohues, i kemi shkatërruar; e pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë!” (El Enbija, 11)

Dhe thotë: “Ato qytete Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe, për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat.” (El Kehf, 59)

Po ashtu na tregoi për fundin e popujve zullumqarë, për popullin e Adit, për popullin e Themudit, për Faraonin, dhe thotë: “ Dhe me fisin themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ta kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” (El Fexhr, 9-14)

Dhe thotë: “Sa e sa qytete i shkatërruam, ngaqë banorët e tyre ishin të këqij dhe tani ato janë kthyer përmbys! Sa e sa puse mbetën të braktisura, sa e sa pallate të larta të shkretuara.” (El Haxh, 45)

Ligji i Allahut për shkatërrimin e popujve zullumqarë është i pandryshueshëm. Allahu thotë. “Këto janë disa prej historive të qyteteve që po t’i tregojmë ty (o Muhamed). Disa prej tyre ende qëndrojnë, kurse disa janë rrënuar. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes. Hyjnitë, që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan aspak, kur erdhi urdhri i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes. I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 100-102)

Fjalët e Allahut: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër” (Hud, 102) nënkuptojnë që dënimi i Allahut nuk kufizohet vetëm me ata që kanë jetuar më herët, por ligji i Tij është i njëjtë dhe vlen për çdo popull zullumqar deri në Kiamet. Ata popuj që u ngjasojnë në vepra popujve të mëhershëm, të cilët zullumi i çoi në shkatërrim, medoemos do të marrin të njëjtin dënim të dhembshëm si ata të mëhershmit. Ajeti paralajmëron për dëmin e zullumit, andaj zullumqarin të mos e mashtrojë vonimi i dënimit e të vazhdojë me punët e mbrapshta.

Popujt zullumqarë Allahu i dënoi me ndëshkime të ndryshme:

Allahu thotë: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” (El Ankebut, 40)

Popullin e Adit, kur e shfaqën arrogancën dhe mendjemadhësinë derisa pretenduan se nuk ka më të fortë se ata, Allahu e dënoi me një furtunë të rreptë shungulluese: “Kurse fisi ad u shkatërrua nga një furtunë e rreptë shungulluese, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.” (El Haka, 6-8)

Banorët e Sebës i dënoi me vërshim duke ua lëshuar ujërat e digës, u shkatërrua pushteti i tyre, ikën begatitë dhe i la të mësim për gjeneratat që erdhën pas tyre: “Por ata nuk ua vunë veshin (fjalëve Tona), prandaj Ne lëshuam mbi ta ujërat e digës…” (Sebe, 16) Dhe “… kështu ata e ngarkuan veten me gjynahe dhe Ne i bëmë ata rrëfenja dhe i përndamë plotësisht…” (Sebe, 19)

Ekzistenca e shtetit të drejtë, edhe në qoftë jobesimtar, dhe zhdukja e shtetit të padrejtë, edhe në qoftë islam:

Allahu thotë: “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud, 117) Me fjalën padrejtësisht në këtë ajet është për qëllim shirku (idhujtaria). Sipas njërit prej dy shpjegimeve, i bie se Allahu nuk shkatërron një qytet thjesht pse ata janë idhujtarë, nëse janë të drejtë në marrëdhëniet mes vete dhe secili e respekton tjetrin me drejtësi e nuk bëjnë padrejtësi.

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Fundi i padrejtësisë është i shëmtuar, ndërsa fundi i drejtësisë është i ndershëm. Allahu e ndihmon shtetin e drejtë, edhe nëse janë jobesimtarë, por nuk e ndihmon shtetin e padrejtë, edhe nëse janë besimtarë.”[17]

Shteti jobesimtar mund të jetë i drejtë, që nënkupton se udhëheqësit e atij shteti nuk i bëjnë padrejtësi popullit të vet, po edhe njerëzit mes vete nuk i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit. Ky shtet, përkundër kufrit (femohimit) të tij, vazhdon të ekzistojë, sepse nuk është prej ligjit të Allahut që të shkatërrojë një shtet vetëm për shkak të kufrit të tij. Por, nëse kufrit i bashkëngjitet padrejtësia e pushtetarëve mbi popullin e vet dhe njerëzit i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, atëherë atë e përfshin dënimi i Allahut.

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!), në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Allahu nuk shkatërron një vend vetëm për shkak të kufrit të tij, përderisa nuk i bashkëngjitet atij edhe padrejtësia, ashtu si u shkatërrua populli i Shuajbit n, të cilët pakësonin në matje e peshore, dhe populli i Lutit n, për shkak të homoseksualizmit.”[18]

Prej pasojave të zullumit është shkatërrimi i vendit:

Prej pasojave të shëmtuara të padrejtësisë është shkatërrimi i ekonomisë dhe i infrastrukturës së vendit. Allahu thotë: “Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata. Tani shiko se si ka qenë fundi i ngatërresave të tyre. Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre. Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë.” (En Neml, 50-52)

Kjo tregon se padrejtësia shkatërron toka e shtete. Këtë domethënie e përcolli Ibn Abasi h, i cili tha: “Në Librin e Allahut (Kuranin) gjeta se padrejtësia i shkatërron shtëpitë”, dhe e lexoi ajetin: “Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë.” (En Neml, 52)

Mund të ketë vonim, por jo harrim:

Nganjëherë shohim sesi disa zullumqarë vazhdojnë me zullumin e tyre! Pyetja është pse të vonohet dënimi i tyre.

Dënimi mund të vonohet për disa arsye:

* Për shkak se Allahu është i Urtë, e urtësia e Tij është aq e gjerë, sa i përfshin të gjithë njerëzit, prandaj nuk e përshpejton dënimin. Allahu thotë: “Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të mbrapshtive të tyre, nuk do të linte asgjë të gjallë në Tokë. Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë dhe për një çast.” (En Nahl, 61)

Pra, Allahu sillet butë me ta dhe nuk i dënon, pret deri në një afat të caktuar dhe nuk e përshpejton dënimin. Sikur t’i dënonte menjëherë, nuk do të linte asnjë të gjallë në Tokë.

* Për shkak se shkatërrimi i popujve zullumqarë ka afat të kufizuar, ndryshon me ndryshimin e gjendjes së saj dhe gjendjeve të armiqve të saj, në përputhje me urtësinë e madhe të Allahut: “Ato qytete Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe, për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat.” (El Kehf, 59)

Shkatërrimi i zullumqarëve, edhe pse është i vërtetuar, megjithatë për ne afati nuk dihet. Pra, ne kemi bindjen e plotë se populli zullumqar do të shkatërrohet përfundimisht për shkak të zullumit të tij, bazuar në ligjin e Allahut për popujt zullumqarë, por nuk e dimë kohën e shkatërrimit të tyre saktësisht. Askush nuk mund ta përcaktojë atë me ditë e as me vite. Koha është e njohur dhe e caktuar vetëm tek Allahu, prandaj Allahu thotë: “… kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë dhe për një çast.” (En Nahl, 61)

* Nganjëherë dënimi i zullumqarit vonon në formë të joshjes, që ai të mendojë se Allahu nuk po e dënon, e ai vazhdon me zullumin e tij derisa Allahu të marrë ta dënojë me dënim të dhembshëm.

Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “Allahu e vonon dënimin e zullumqarit deri një kohë, por, kur merr ta dënojë, nuk ka shpëtim për të.” Më pas e lexoi ajetin: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 102)

* Ose, dënimin e zullumqarit e vonon për në ahiret, që dhembja e dënimit të jetë shumë më e madhe. Allahu thotë: “Mos mendo kurrsesi se Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).” (Ibrahim, 42-43)

Ky është paralajmërim i rëndë për zullumqarët dhe ngushëllim për të dëmtuarit. Allahu dënimin e zullumqarit e vonon, që ai të shtojë sa më shumë gjynahe dhe e lë ashtu të vazhdojë deri në Ditën e Kiametin, kur nuk do të mund t’i lëvizë sytë nga vështirësitë e tmerrit të Kiametit.

I sheh zullumqarët se si në këtë ditë “… vrapojnë me kokën lart…” (Ibrahim, 43) Domethënë, nguten t’i përgjigjen thirrësit me kokën lart: “… nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).” (Ibrahim, 43) Pra, zemra të zbrazëta, sepse ato janë ngritur deri te gabzherrët e tyre.

* Ose, e vonon për dijen që e ka vetëm Allahu se ai zullumqar do të përmirësohet në të ardhmen, pendimi i tij do të jetë i sinqertë dhe do të kërkojë falje nga çdonjëri që i ka bërë padrejtësi.

* Ose për ta sprovuar fuqinë e imanit dhe bindjes; personi që beson se ka ahiret e di se zullumqari do të shpërblehet për zullumin e tij dhe s’ka shans t’i ikë dënimit të Allahut, prandaj qëndron i rehatshëm dhe nuk e lodh mendjen e tij, sepse e di që zullumqari do të dënohet, edhe nëse nuk e sheh dënimin me sytë e tij.

– Madje, mosndëshkimi i disa zullumqarëve në dynja është argument për ekzistimin e ahiretit.

Ebu Amër ibn Ala thotë: “Një beduin, në periudhën paraislame, kur shihte dikë që u bënte zullum të tjerëve, i thoshte: “Filani nuk do të vdesë me vdekje të zakonshme, dhe njerëzit do ta shohin këtë.”

Pas një kohe vdiq ky person. Njerëzit e lajmëruan beduinin se ka vdekur në mënyrë të pazakontë. Në fillim nuk besonte derisa u shtuan lajmet rreth vdekjes së tij.

Tha: “Nëse jeni të sinqertë, atëherë dijeni se keni një botë tjetër përveç kësaj që jetoni, ku do të shpërbleheni për veprat tuaja.”[19]

Ebu Hurejra  tregon se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Në Ditën e Kiametit do t’ia ktheni të drejtat secilit që e keni dëmtuar, derisa delja pa brirë do të hakmerret ndaj deles me brirë.”[20]

Nëse e tillë është gjendja me kafshët mes vete, atëherë si do të jetë gjendja mes njerëzve mes vete? Si mendoni, a do të ikë diçka pa u marrë në llogari atë ditë?

Andaj, zullumqari nuk ka arsye që të gëzohet dhe të mashtrohet me vonimin e dënimit të Allahut në dynja, sepse pushteti i tëri i takon vetëm Allahut: ia jep kujt të dojë dhe e merr prej kujt të dojë. Nganjëherë Allahu e vonon dënimin, por nuk e harron asnjëherë.

Përderisa zullumqari është në kulmin e pushtetit dhe fuqisë së tij, nuk ka interes të njohë hakun e tij ndaj Allahut e as hakun ndaj njerëzve, por vjen koha kur për një moment e vëren se i përmbyset jeta duke humbur çdo gjë. E përfshin dënimi i Allahut dhe e merr shpërblimin e tij të merituar.

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)

[1] Muslimi (2577).

[2] Muslimi (2578).

[3] “Es Sijer El Ealam En Nubela” (10/41).

[4] “Et Tedhkira”, Kurtubiu (f. 360).

[5] “Fet’hul Barij”, Ibn Haxheri (5/100).

[6] “Fejdul Kadir” (2/366).

[7] “El Fetava” (18/166).

[8] Muslimi (2613).

[9] Ebu Davudi (4902), Tirmidhiu (2511), Ibn Maxhe (4211), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.

[10] “Sherh hadith Lebejk”, Ibn Rexhebi (f. 108-109).

[11] “Bidaje ve Nihaje” (10/205).

[12] Kjo ishte në vitin 363 hixhrij.

[13] “Sijer El Ealam En Nubela” (17/54), “Tarih El Islam” (27/148).

[14] Retl: njësi matëse e peshës, e barabartë me: në Egjipt 449.28 g. në Siri 3.202 kg., në Bejrut dhe në Haleb 2.566 kg. Marrë nga fjalori arabisht-shqip, Isa Memishi). (Sh. p).

[15] “Vefajat El Eajan” (5/95).

[16] “Tefsir El Minar” (9/379).

[17] “Mexhmua El Fetava” (28/63).

[18] “Tefsir Kurtubiu” (9/114).

[19] “Ujun El Ahbar” (1/143).

[20] Muslimi (2582).