Monumenti simbolik i pavarësisë së Kosovës NEWBORN ka marrë pamje të re në 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu.
“Fytyra” e re e NEWBORN-it këtë vit simbolizon heqjen e regjimit të vizave nga Bashkimi Evropian (BE) dhe lirinë e lëvizjes në zonën Schengen, të cilët qytetarët kosovarë e gëzojnë nga 1 janari 2024.
Si kundërpërgjigje e një pamje të vjetër të këtij monumenti, e cila ishte e errët dhe nën tela që simbolizonte izolimin me regjimin e vizave nga Evropa, tani ngjyrat e tij janë hapur me rrugën e diellit që përshkon shkronjat e këtij monumenti dhe simbolet e kryeqyteteve evropiane nëpër të.
Disa prej simboleve që kanë zënë vend në këtë monument janë edhe Kulla Eiffel si simboli i Parisit dhe Porta e Branderburgut në Berlin dhe po ashtu edhe Koloseumi i Romës.
“A mundemi ne, aspirantët, besimtarët, shpirtrat me vullnet të fortë të Kosovës, të ngrihemi mbi kufizimet e historisë sonë? A mund të fluturojmë përreth ‘7 qiejve’, secila shtresë që siguron dëshmi për vendosmërinë tonë të fortë dhe luftën e palodhshme për liri?”, thuhet në konceptin e prezantuar nga ekipi transformues i monumentit në krye me ideatorin Fisnik Ismaili.
Nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit kosovarë kanë fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen pas vendimit që morën institucionet e BE-së.
NEWBORN-i u inaugurua në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 dhe për pesë vite qëndroi me pamjen e njëjtë, nënshkrimin e qytetarëve mbi të. Ndërsa nga viti 2013 ai çdo vjet ka marrë pamje të re varësisht aktualitetit politik e social të vendit, sikurse me flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë, kujtimin për të rënët në luftën për liri, emigrimin e qytetarëve, mbrojtjen e tokës, mbrojtjen e të drejtave të grave dhe shumë të tjera.
NEWBORN ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Kanë.