LLOJET E NDRYSHME TË MJALTIT DHE PËRFITIMET SHËNDETËSORE

Ka mbi 300 lloje të ndryshme të mjaltit, të dobishëm për probleme të ndryshme shëndetësore. Zbulimi i shijeve të ndryshme aromatike të mjaltit është një udhëtim i pafund!

Mjaltë livadhi
Gjithashtu i njohur si mjaltë “shumëlulesh”, rrjedh nga burime të ndryshme dhe të padefinuara të luleve. Ngjyra e tij mund të ndryshojë nga e çelur në të errët; shija shkon në varësi të përzierjes së luleve të ndryshme sezonale.
Vlerat ushqyese: Ky mjaltë konsumohet shpesh nga ata që kanë problem me alergjinë – duke qenë se ai rrit sistemin imunitar duke ndërtuar antitrupat e organizmit kundër alergjenëve dhe polenit.
Mjalti i livadhit është një alternativë efektive dhe e sigurt për trajtimin e infeksioneve të sipërme të frymëmarrjes dhe kollën tek fëmijët mbi moshën 12 muaj.
Mjaltë pishe
Mjalti i pishës nuk është i ëmbël, ka shije pak të hidhur, ka një aromë të fortë dhe është relativisht i pasur me minerale dhe proteina(kalcium, magnez, zink, hekur, bakër, etj). Është mjaft rezistent ndaj kristalizimit.
Vlerat ushqyese: Mjalti i pishës ka veti të forta anti-bakteriale (lufton bakterin E. coli). Gjithashtu mund të ndihmojë në kurimin e ftohjeve, infeksionet e fytit, gripin dhe problemet e stomakut.
Mjaltë mali
Ky mjaltë ka aromë të freskët të bimëve të bjeshkëve, por shija e tij mund të ndryshojë shumë në varësi të burimit të nektarit. Është një nga varietetet më të preferuar të mjaltit nga fëmijët. Përdoret shpesh në vend të reçelit për mëngjes. Gjerësisht përdoret dhe në gatim apo pjekje të ëmbëlsirave.
Vlerat ushqyese: Ky mjaltë i rrallë, është i mbushur me ushqyes dhe vitamina që trupi ynë ka nevojë për funksionimin e shëndetshëm. Në të njëjtën kohë është i këndshëm dhe delikat në aromë.
Jo vetëm që është mjaltë i mirë për bukurinë e lëkurës, por është gjithashtu një antiseptik i fuqishëm që mund të përdoret si një trajtim natyror për plagët.
Mjaltë akacia (bagremi)
Akacia, është një nga më të popullarizuarit dhe më të ëmblit ndër varietetet e mjaltit për shkak të shijes së tij të butë dhe delikate. Ai mbetet në gjendje të lëngët për një kohë të gjatë. Për shkak të përmbajtjes së tij të ulët të saharozës, është një zgjedhje e mirë për diabetikët.
Vlerat ushqyese: I njohur për veprimin e tij terapeutik, akacia pastron mëlçinë, rregullon zorrën dhe është anti-inflamator për sistemin e frymëmarrjes.
Ky mjaltë është i shkëlqyer si ëmbëltues, pa ndryshuar shijen apo aromën e pijeve dhe çajrave. Gjithashtu, fëmijët e duan këtë mjaltë.
Mjaltë gështenje
Pema e gështenjës është e përhapur në zonat malore. Mjalti i gështenjës ka shije pak të hidhur. Ngjyra ndryshon në bazë të origjinës së tij, nga kafe e errët deri tek e kuqërremtë. Kristalizohet pas 1-2 vitesh.
Vlerat ushqyese: Nxit djersitjen, nxit qarkullimin e gjakut dhe ka veti dezinfektuese në traktit urinar.
Mjaltë trumze
Ekzistojnë rreth 350 lloje të trumzës. Mjalti i trumzës ka një shije të fortë. Greqia njihet si prodhues më i madh i këtij mjalti. Mjalti i trumzës përdoret gjerësisht për të luftuar infeksionet. Ky mjaltë specifik kristalizohet pas 6-18 muaj.
Vlerat ushqyese: Mjalti i trumzës është i pasur me bakër. Ka veti tonike dhe antiseptike. Rekomandohet për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve të sëmundjeve peptike dhe të rrugëve të frymëmarrjes. /Telegrafi/