“Lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore është një nga sfidat kryesore të shteteve”

“Lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore është një nga sfidat kryesore të shteteve”

Misioni i OSBE-së në Shqipëri ka organizuar konferencën me temë mbi përpjekjet dhe bashkëpunimin e institucioneve për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëmarrësit nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Misioni i OSBE-së në Shqipëri dhe të institucioneve dhe organizatave të tjera diskutuan për rëndësinë e forcimit të një qasjeje të mbështetur te të drejtat e njeriut dhe te viktimat, në të gjitha veprimet kundër trafikimit.

Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Romina Kuko, tha se Prezenca OSBE në Shqipëri prej vitesh është një mbështetëse kryesore institucioneve shtetërore, veçanërisht e Ministrisë së Brendshme, për realizmin e objektivave si dhe këshillimin dhe avancimin e legjislacionit.

Sipas saj, OSBE ka ofruar mbështetje edhe për zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve konkrete, në lidhje me parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Brendshme e kanë vendosur parandalimin dhe goditjen e trafikimit të personave ashtu sikurse mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave ndër prioritet kryesore të punës së tyre. Lufta dhe parandalimi i këtij trafiku është sot një nga sfidat kryesore të shteteve, por dhe të shoqërive në mbarë botën. Shqipëria ka modele të mira të bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave shtetërore dhe jo shtetërore”, u shpreh Kuko.

Ajo theksoi se parandalimi dhe lufta kundër trafikimit është një sfidë e institucioneve shtetërore.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, tha se trafikimi i qenieve njerëzore është plagë e globit.

“Është e qartë se trafikimi i qenieve njerëzore nuk ka kursyer asnjë shtet, por disa shtete, si Shqipëria për shembull, kanë ndërmarrë hapa seriozë dhe veprime konkrete për ta luftuar atë. Në Vjenë, e kemi parë të gjithë se sa e suksesshme qe Shqipëria gjatë Kryesimit të OSBE-së dhe besoj plotësisht se, edhe nga ulësja jo e përhershme në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, Tirana do të ofrojë kontribut të pazëvendësueshëm”, u shpreh Del Monaco.

Pjesë e konferencës ishin edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca dhe diplomatë të tjerë.

Konferenca kishte në fokus diskutimet mbi çështjet e promovimi të rëndësisë së partneriteteve dhe të qasjes shumë institucionale për të fuqizuar bashkërendimin në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri.