Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Tij dhe se Ai është mbrojtësi më i mirë i robërve të Tij të mirë dhe dëshmoj se Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të është rob dhe i Dërguar i Allahut dhe prijësi më i mirë i të devotshmëve.
Përderisa dita-ditës më shumë e më tepër po shtohen sprovat e zemrës me atë që i serviret nga epshet dhe dyshimet, sprova këto të cilat njerëzit sot po i largojnë ndaj adhurimit të Allahut dhe mbesin ashtu të poshtëruar, të angazhuar me dynja ndaj ahiretit, duke qenë të varur nga krijesat e dobëta. Në këtë mënyrë frikësohen krijesat nga krijesat dhe i madhërojnë ato dhe i bëjnë njerëzit që të harrojnë madhërinë e Krijuesit. E sa më shumë që të shtohet ajo, aq më shumë shtohet nënçmimi e poshtërimi i njeriut. Mësimi mbi madhërinë e Allahut të Lartësuar është shkaku më i mirë i shërimit nga kjo e metë për atë që do që Allahu i Lartësuar ta udhëzojë e t’i dhurojë mprehtësi që sa më mirë ta kuptojë natyrën definitive të gjërave.
Ja, pra, ky është mësimi më i mirë, baza kryesore për përmirësimin e zemrave. Nuk ka mësim më të mirë e më efikas e as më të madh sesa mësimi për madhërinë e Krijuesit të Lartësuar, Allahut, Zotit të botëve.
Përkujtoni o besimtarë madhërinë e Allahut, sepse e gjeni në çdo gjë, pra Allahu është i madhëruari e madhëria e vërtetë i takon vetëm Atij, i madhëruar në emrat e Tij, i madhëruar në cilësitë e Tij, madhëria e Tij gjithashtu është në veprat e Tij si dhe ligjet e Tij.
Madhëria e Tij është madhëria më e lartë dhe më e mira. Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshijnë Atë e Ai i përfshin të parët dhe Atë nuk e përfshijnë krijesat e Ai i përfshin krijesat. Nuk ka kënaqësi më të mirë e më të madhe që mund t’u dhurohet krijesave sesa shikimi në fytyrën e ndritshme të Allahut të Lartësuar në Ditën e Kiametit.
Allahu i Lartësuar ka emra të bukur dhe cilësi të përkryera, pa të meta. Allahu i ka cilësitë në formë edhe më të plotë. Gjithashtu, Allahu ka jetë të plotë pa të meta, pa fillim e pa mbarim dhe nuk vdes kurrë, nuk e kap gjumi e as kotja, i pavarur nga të tjerët, ndërsa gjithçka është i varur nga Ai. Siç e përshkruan Veten e tij në Kuran: “Allahu është një, nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm.” (Suretu el- Bekare: 255). Po ashtu, në hadithin e Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, ku thotë për Allahun: “Nuk fle dhe nuk i takon Atij që të flejë, mban peshoren me precizitet, ngrihet tek ai puna e ditës para punës së natës dhe puna e natës para punës së ditës, petku i Tij është “nur” (dritë). Nëse e zbulon atë, drita e Tij do të digjte gjithçka ekziston).” Urdhrat e Tij janë të pakthyera dhe nuk ka kush që mund ta pengojë atë që Ai ka vendosur, nuk ka kush që ndal atë që Ai furnizon dhe nuk ka kush që mund të japë atë që Ai e ndalon dhe nuk ka vlerë e as dobi prej askujt ngase vetëm nga Allahu vjen mirësia dhe dobia. Siç e lavdëron Veten e tij në Kuran ku thotë: “Ai nuk pyetet se çka punon, po ata (njerëzit) pyeten.” (Sure el-Enbija: 23)
Mendoni sa më shumë mbi cilësitë e Tij të larta e do ta shihni se Allahu i Lartësuar ka një forcë aq të madhe, saqë nuk ka kush që mund ta mundë e as që ta zmbrapsë, i ndihmon të dashurit e Tij dhe ua nënshtron atyre ushtritë e tokës dhe të qiellit dhe i ka mundur dhe i ka shkatërruar arrogantët dhe diktatorët, i ka shpartalluar dhe ua ka shkatërruar sundimin e tyre, ua ka prishur sundimin e tyre dhe i ka marrë ata me një dënim të dhimbshëm si pasojë e mëkateve të tyre me lloj-lloj dënimesh; disa prej tyre duke i fundosur në det e disa duke i fundosur në tokë, disa me zëra shumë të fortë prej të cilëve vdisnin e disa prej tyre me erëra të fuqishme. Sa çudi, i shkatërroi ata me atë që kishin më shumë nevojë në jetën e tyre të përditshme. I shkatërroi ata me ujë, zëra, erëra, me tokë, siç thotë Allahu në Kuran: “Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm e i ashpër.” (Suretu Hud: 102)
Kurse në ahiret i ringjall të nënçmuar e të poshtëruar duke i ringjallur të vegjël sa grimca, të poshtëruar e të nënçmuar dhe i çon në ferr, ku janë për gjithmonë dhe nuk do të kenë mundësi kurrë që të dalin prej tij. Kështu pra, Allahu kur dënon, dënimi i Tij është shumë i fuqishëm, saqë nuk ka mundësi kush të dënojë me atë dënim siç dënon Ai, por kur furnizon nga depot e Tij që kurrë nuk mbarojnë, nuk ka kush që mund ta përshkruajë sasinë e atij furnizimi, furnizim pra i panumëruar e i pakufizuar.
A keni dëgjuar për shpërblimin e madh që ka përgatitur Allahu për robërit e tij të mirë? Ja disa ajete kuranore ku Allahu përshkruan madhërinë, shpërblimin e asaj dite, siç e përshkruan Allahu i Lartësuar në Kuran: “(Atyre besimtarëve, që ishin shoqëruar për hir të Zotit, u thuhet): “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka as frikë për ju, e as që do të jeni të pikëlluar!” (Robërit e Mi) të cilët besuan argumentet Tona dhe ishin muslimanë.. Hyni në xhenet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar! Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t’u dëshirojë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë.” (Suretu Zuhruf: 68-71)
Gjithashtu i ka kërcënuar jobesimtarët: “Këta janë dy kundërshtarë (grupe kundërshtarësh: besimtarë dhe jobesimtarë) që janë zënë rreth Zotit të tyre; e atyre që nuk besuan, u qepen rroba prej zjarri e u hidhet uji valë mbi kokat e tyre. Që me atë u shkrihet krejt ç’ka në barqet e tyre, edhe lëkurat. Për ata janë edhe kamxhikët e hekurt. Sa herë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, kthehen me dhunë në të përsëri (u thuhet): “Vuajeni dënimin me djegie!” (Sure el Haxh:19 -22)
Madhëria e Allahut në Mëshirën e Tij
Shikoni rahmetin e Allahut të Lartësuar, që me të ka përfshirë gjithçka, nuk ka ndonjë nga krijesat e Allahut vetëm se është e varur nga mëshira e Allahut. Në hadithin që transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ai thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, duke thënë: “Allahu e ka ndarë (bërë) mëshirën njëqind pjesë. Nëntëdhjetë e nëntë i ka mbajtur për Vete, kurse (vetëm) një pjesë e ka lëshuar në Tokë. Nga ajo pjesë të gjitha krijesat mëshi¬rohen mes vete, saqë edhe kafsha e ngre thundrën (këmbën) e saj nga i vogli i saj nga frika se mos e lën¬don.” Kurse sipas një transmetimi tjetër: “Vërtet Allahu i ka njëqind mëshira (rahmete) dhe vetëm një prej tyre e ka lëshuar mes xhinëve, njerëzve, kafshëve dhe insekteve. Dhe me atë një mëshirë në mes njëri-tjetrit duhen dhe mëshirohen dhe me të egërsira e do të voglin e saj. Kurse nëntëdhjetë e nëntë mëshira të tjera Allahu i ka lënë për mëshirë ndaj robërve të Tij në Ditën e Gjy¬kimit.” Muttefekun alejhi (Buhariu dhe Muslimi). Mëshira e Allahut është aq e madhe, derisa është më i mëshirshëm për robërit e Tij sesa nëna për fëmijën e saj.
A nuk është pra Allahu Ai që i krijoi njerëzit në tërësi, besimtarë e jo besimtarë, e i furnizoi, i mbrojti, i bëri mbizotërues të tokës, ua bëri tokën e rrafshët e të përshtatshme për jetesë, ua bëri ajrin e pastër që ta thithin, ujin të freskët nga toka, për të ngrënë nga pemët e saj, qarkullojnë mbi tokë si të dëshirojnë, e qiellin Allahu ua bëri si kulm. E pas të gjitha këtyre mirësive, shumë prej tyre e mohojnë besimin në Allah, tallen me argumentet e Allahut, i përgënjeshtrojnë Pejgamberët, përpiqen që në çdo mënyrë t’i largojnë njerëzit nga rruga e drejtë e Allahut, i ndihmojnë armiqtë e Allahut, i luftojnë të dashurit e Allahut, bëjnë shkatërrime në tokë. Sa shumë ka durim Allahu i Madhëruar me këta lloj njerëzish.
Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka kush që bën durim më shumë sesa Allahu i Madhëruar me robërit e Tij e i bëjnë atij shoqërim në adhurim, i shpifin Atij djalë e Ai prapëseprapë i furnizon e u jep shëndet.”
Madhëria absolute e Allahut e pavarur nga dikush tjetër
Mendoni mbi madhërinë e Allahut të Lartësuar, në pavarësinë e Tij ndaj të tjerëve e varësinë e të tjerëve në tërësi nga Ai. Këto krijesa të panumërta, me cilësi të ndryshme e madhështore, të llojllojshme në forcë e madhësi, ndër ato më madhështore janë Toka dhe qiejt, e pastaj gjithashtu melaiket, xhinët e njerëzit. Krijesat të cilat lëvizin mbi tokë, të gjitha shpezët që fluturojnë në qiell, të gjitha krijesat në det, të gjitha këto kanë nevojë shumë për Allahun e Lartësuar, një të vetmin, e Ai është shpresa e vetme e tyre, i luten Atij për të gjitha nevojat e tyre si dhe kërkojnë nga Ai që t’ua largojë atyre të gjitha fatkeqësitë. Allahu i Lartësuar vazhdimisht është në plotësimin e nevojave e kërkesave të tyre, edhe pse aq shumë krijesa të panumërta. E me kërkesa të ndryshme dhe nuk e angazhon diçka nga diçka tjetër e nuk përfundojnë depot e Tij asnjëherë, por Duart e Tij Bujare janë të shtrira dhe vazhdimisht furnizon ditën dhe natën ashtu si Ai do. I Lartësuari Allah me gjithë kërkesat e tyre të panumërta nuk ka nevojë për ta e as për falënderimin e tyre e as për adhurimin e tyre. Nuk i bën dobi imani i tyre e nuk i bën dëm kufri (mosbesimi) i tyre, siç thotë Allahu i Lartësuar në hadith kudsi: “Robërit e Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini tek ajo me çka Mua dëm do të më shkaktonit që të më dëmtonit, as që ndonjëherë do të arrini tek ajo që Mua dobi do të më sjellë, që të më kontribuonit.
O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit prej jush, nga njerëzit dhe xhinët, të ishin të devotshëm sikur zemra më e devotshme e njërit prej jush, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim në asgjë.
O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit prej jush, nga njerëzit dhe xhinët, të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit prej jush, kjo nuk do ta mungonte sundimin Tim në asgjë.
O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit prej jush, nga njerëzit dhe xhinët, të ngriheshit (qëndronit) në një vend dhe dëshirat dhe lutjet Mua të m’i drejtoni dhe Unë t’i përgjigjesha lutjes së çdonjërit, kjo nuk do ta mungonte atë që kam Unë as aq sa merr gjilpëra kur futet në det.” (Muslimi)
Madhëria e Allahut në diturinë e Tij
Allahu i Lartësuar me diturinë e Tij ka përfshirë gjithçka, qofshin ato gjëra më të vogla si atomet, apo krijesa më të mëdha, të shumta apo të pakta, të ngjashme apo të kundërta, siç thotë Allahu për Veten: “Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi – Mahfudh).” (Suretu El-Enam: 59)
Gjithashtu: “Allahu ju krijoi prej dheu, mandej prej një pike uji, e pastaj ju bëri çift. E asnjë femër nuk mbart e as nuk lind ndryshe vetëm se me dijen e Tij dhe nuk i jepet kujt të jetojë gjatë ose t’i shkurtohet jeta e tij vetëm se ajo është e shënuar në Libër (Levhi Mahfudh), e kjo për Allahun është lehtë.” (Suretu Fatir: 11)
Allahu i Lartësuar e di numrin e krijesave, llojet e tyre, i di lëvizjet e tyre, e ka llogarinë e frymëmarrjeve të tyre. Pa lejen dhe njohurinë e Tij nuk ka lindje apo vdekje, rënie gjethesh apo lulëzime pemësh. Ai di për shikimin me cep të syve edhe për atë që e fshehin në zemra. E di atë se çfarë përgatitet fshehurazi, e di edhe atë të fshehtën, të padukshmen, e ka përfshirë me diturinë e Tij atë që krijesat e tij nuk kanë mundësi ta dinë si p.sh. gjendjet e tyre të ndryshme, frymëmarrjet e tyre, të rrahurat e zemrave, krejt atë se çfarë shikojnë sytë e tyre, gjëra këto të cilat nuk i di kush dhe nuk ndodhin vetëm se me lejen dhe dijen e Allahut e me përcaktimin e Tij më të hershëm para se ato të ndodhin. I Lartësuar është Allahu i Lartësuar, i Gjithëdijshmi.
Madhëria e Allahut në dispozitat e Tij
E mendoni mbi drejtësinë e Allahut të Lartësuar në dispozitat e Tij, do të shihni drejtësi absolute, duke ua dhënë atyre hakun që e meritojnë edhe nëse janë nga ata që e mohojnë besimin në Allah. Nuk ka padrejtësi e as tejkalim, as hakmarrje pa vend, sado i madh qoftë kufri i jobesimtarëve, armiqësia e tyre apo tejkalimi i tepërt i tyre ndaj kufijve të Allahut. Allahu nuk bën pa drejtësi asgjë, siç thotë Allahu i Lartësuar për Veten e Tij në Kuranin Famëlartë: “Në Ditën e Gjykimit, Ne do të vëmë peshore të drejta dhe askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.” (Suretu El-Enbija: 47) Nën sundimin e Tij janë të gjitha krijesat, krijesat Ai i ka krijuar dhe askush Atë në përgjegjësi nuk e merr.
Falë drejtësisë së Tij absolute nuk ia humb mundin askujt prej njerëzve, qoftë mashkull apo femër, besimtar i devotshëm apo mëkatar, saqë edhe qafirët shpërblehen për veprat e tyre të mira, por shpërblimin Allahu i Lartësuar atyre ua jep në dynja, për veprat të cilat kanë pasur për qëllim Fytyrën e Allahut. Në hadithin që transmeton Enes bin Maliku, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Allahu nuk i bën asnjë besimtari padrejtësi, e shpërblen për të në këtë botë dhe gjithashtu e shpërblen edhe në ahiret, kurse qafirit ia jep shpërblimin çfarë ka punuar në këtë botë derisa të ringjallet në botën tjetër dhe nuk i mbetet fare shpërblimi që të shpërblehet me të.” Mutefekun alejhi. (Buhariu dhe Muslimi)
Për drejtësinë absolute të Allahut të Lartësuar ndaj qafirit flet ky argument nga Kurani, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre me drejtësi.” (Suretu Maide: 42) Gjithashtu: “…dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë.” (Suretu Maide: 8)
”Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën).” (Suretu Bekare: 190)
“Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë.” (Suretu Nah: l26)
Madhëria e Allahut në krijesat e Tij
Nëse i studiojmë krijesat e Allahut të Lartësuar, do të mbesim të mahnitur nga llojllojshmëria e tyre, gjinitë e tyre, se si Allahu po thuajse gjithçka ka krijuar e ka krijuar në dy gjini, në mënyra të ndryshme të krijimit të Tij si dhe me cilësi të ndryshme. Allahu, Zoti ynë, ka krijuar nga robërit e Tij njerëz të llojllojshëm: bujarë, rebelë, koprracë, trima, frikacakë, të bukur, të mirë, të shëmtuar, të pamoralshëm, dijetarë të mëdhenj, injorantë të mëdhenj, të devotshëm, mospërfillës, gjynahqarë, të mëshirshëm e të dashur, të urryer e armiqësorë.
Shiko formësimin e krijesave, shiko përsosmërinë e Allahut të Lartësuar në krijim: të vegjël, shumë të vegjël, të mëdhenj, gjigantë, madhështorë. Mendo për dallimin aq të madh ndërmjet njeriut e kokrrave të pemëve, pastaj mendo për madhësinë e Tokës, pastaj krahasimin e madhësisë së Diellit në krahasim me Tokën, pastaj Dielli në krahasim me galaktikën e tij, pastaj krahasimin e galaktikës së diellit me galaktikat e tjera të shpërndara, të cilat ne i shohim vetëm si një pikë ndriçuese në qiellin tonë, edhe pse janë shumë të mëdha, por janë shumë larg. E mbi të janë shtatë palë qiej të tjerë, çdo qiell është më i madh se tjetri. Gjithashtu si një rreth që e përfshin atë e këto shtatë palë qiej janë të mbushur përplot melaike që shushurijnë nga tesbihi e tahmidi (lartësimi, madhërimi) i tyre ndaj Allahut. Thotë Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Ka rënkuar qielli dhe pati të drejtë të rënkonte, nuk ka ndonjë vend as sa pëllëmba vetëm se në të ka melek në sexhde apo në këmbë ( duke i bërë Allahut të Lartësuar adhurim).” Gjithashtu, edhe ky hadith me rëndësi të madhe që flet mbi madhërinë e krijesave të Krijuesit, ku Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kursia e krahasuar me Arshin është si shembulli i një unaze të hedhur në shkretëtirë e po ashtu edhe kursia është e madhe në krahasim me shtatë palë tokë e shtatë palë qiej sikurse Arshi që është më i madh sesa kursia ashtu edhe madhësia e kursisë është në krahasim me qiejt e tokat.” E mbi Arsh qëndron Allahu i Lartësuar me një qëndrim siç i takon madhërisë së Tij e Arshin e Allahut e mbartin melaiket mukerrebun (më të afërta te Allahu i Lartësuar), melaiket më të mëdha e më të fuqishme dhe me pozitë më të madhe tek Allahu i Lartësuar. Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, tregon për madhësinë e njërës nga këto melaike dhe thotë: “Madhësia e mbajtësve të Arshit është aq e madhe saqë po të fluturojë një zog 500 vite vetëm prej veshit të melaikes deri te kraharori nuk mund ta kalojë atë largësi.” E i Lartësuar është Allahu, Zoti i Arshit të madh.
Madhëria e Allahut në Ditën e Kiametit
Mendoni mbi madhërinë e Allahut në atë ditë kur nuk do të ketë sundues tjetër përveç Allahut të Lartësuar e as një mret tjetër përveç Tij, i Cili është i papërballueshëm në atë ditë, atë ditë kur meleku Israfil do të fryjë në Sur e kur të gjitha krijesat do të ngrihen nga varri për të dalë para Allahut, Zotit të botëve, kur të gjitha krijesat do të ringjallen në një fushë të gjerë, të zbathur e lakuriq. Mendjemëdhenjve u hiqet mendjemadhësia e mbretërve, po ashtu u është marrë edhe mbretëria. Diktatorëve do t’u humbë pushteti në atë ditë e të gjithë do të dalin para Allahut të përulur, të vegjël, të pavlerë, të gjithë të frikësuar e të tmerruar, tmerr që nuk ka dëgjuar askush e nuk ka parë ndonjëherë asi tmerri, askujt nuk i intereson për askënd vetëm për shpëtimin e tij, nuk ia kanë frikën askujt tjetër atë ditë vetëm Allahut e nuk shpresojnë tek askush përveç Allahut. Atë ditë të madhe madhërinë e Allahut do ta kuptojnë të gjithë mendjemëdhenjtë e nuk do të konsiderojnë atë ditë askënd të madhëruar përveç Allahut. Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se ka thënë: “Ditën e Kiametit, Allahu do t’i palosë qiejt e pastaj i merr me dorën e djathtë e pastaj thotë: “Ku janë zullumqarët, ku janë mbretërit, ku janë bijtë e mbretërve, ku janë mizorët, ku janë gjakpirësit, e kujt është sot pasuria?” Nuk ka kush të përgjigjet pasi të gjithë kanë vdekur e është shkatërruar çdo gjë përveç madhërisë së Allahut dhe atëherë i përgjigjet vetvetes, siç thotë Allahu në Kuran: “I kujt është pushteti sot? (bëhet pyetja). I Allahut, i Atij që është Një, i Fuqiplotit (është përgjigjja).” (Suretu Gafir: 16)
Ky, pra, o vëllezër është Zoti juaj, që e adhuroni dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkoni dhe vetëm Atij i mbështeteni dhe vetëm në Të shpresat i mbani dhe që vetëm tek Ai gjykoni. Por, fatkeqësisht, shumica e njerëzimit, të cilët e kanë humbur rrugën e drejtë të Zotit, adhurojnë krijesat, madje edhe krijesat më të nënçmuara e të poshtëruara, si shtazët: adhurojnë lopën, gjërat e ngurta: drunjtë, gurët, deri në atë masë saqë adhurojnë edhe organet gjenitale, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuran: “Atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm.” (Suretu Haxh: 19)
Fatkeqësisht, jobesimtarët sot kanë më shumë sundim sesa muslimanët e janë më të ngritur, si pasojë e asaj që muslimanët nuk i bëjnë adhurim me përulësi e me nënshtrim e dorëzim të plotë Allahut të Lartësuar si dhe nuk gjykojnë me urdhrat e Tij. O muslimanë, ju adhuroni Allahun, i Cili me adhurimin e përkushtimin tuaj ua shton ndershmërinë, personalitetin, ju bën më të ngritur. Përulësia juaj para Allahut ua shton ndershmërinë dhe frikën për t’ua ngritur personalitetin. E kush kërkon mbrojtje tek Allahu, ka shpëtuar. Allahu është ndihmëtari juaj. Sa mbrojtës i mirë dhe sa ndihmëtar i madh që është!
I gjithë falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut të Lartësuar, i Cili ju udhëzoi në Islam. Madhërojeni Atë me një madhërim ashtu siç Ai e meriton, e nuk ka kush që meriton të madhërohet e të adhurohet, por adhurimi e madhërimi e lavdërimi i takon Allahut të Lartësuar pa marrë parasysh se sa kanë mundësi që njerëzit ta kuptojnë këtë, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në Ditën e Kiametit e tërë Toka është në grushtin e Tij e qiejt të mbështjellë në të djathtën (forcën) e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga ajo që ata i shoqërojnë!” (Suretu Zumer: 67)
Hytbeja e dytë
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi Muhamedin. Nëse ne kemi mundësi që ta kuptojmë madhërinë e Allahut të Lartësuar, ashtu siç Allahu është i Madhëruar, si rezultat i këtij madhërimi të Allahut në zemrat tona do të fitojmë dy suksese te mëdha, për të cilat kemi shumë nevojë në rrugën tonë drejt Allahut e botës tjetër.
Rezultati i parë: Dashuria e madhe ndaj Allahut të Lartësuar, cilësi kjo pa të cilën besimtari nuk ka mundësi të jetë besimtar i vërtetë. Dashuria e madhe ndaj Allahut të Lartësuar në atë masë aq të madhe, dashuria absolute që tejkalon dashurinë ndaj prindërve, fëmijëve e njerëzve në tërësi, pra edhe më shumë sesa vetvetja, është kushti që besimtari ta dojë shumë fenë e Allahut, Pejgamberët e Allahut dhe robërit e mirë të Allahut të Lartësuar. E kurdo që besimtari e realizon këtë dashuri, atëherë do të ketë merituar përgëzimin e Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, i cili thotë në këtë hadith: “Kush posedon tri gjëra, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit: ta dojë Allahun dhe Pejgamberin më shumë se çdokënd; ta dojë vëllanë e tij vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë kthimin në kufër (mosbesim) pasi Allahu e ka shpëtuar ashtu siç urren hyrjen në zjarr.” (Buhariu dhe Muslimi)
E ky përgëzim është ndër përgëzimet më të mëdha, duke u nisur nga ajo se ai që përjeton ëmbëlsinë e adhurimit, ajo kënaqësi adhurimi e bën robin që ta kryejë sa më mirë adhurimin, me sinqeritet, që në adhurimin e tij të mos i bëjë shoqërim askujt tjetër përveç Allahut dhe si rezultat i kësaj Allahu i dhuron përforcim në fenë e Tij derisa të vdesë e ta takojë Allahun në këtë fe. Kush e adhuron Allahun me atë që Ai e ka obliguar, e ka pasuar rrugën e drejtë dhe ka arritur shpërblim të madh.
Gjithashtu madhërimi i Allahut i jep robit bindje më të madhe si dhe tevekul (mbështetje tek Allahu), kthim tek Allahu për çdo problem që ka, që të kërkojë ndihmë vetëm nga Allahu, besim të plotë për premtimin e Allahut për Ditën e Kiametit për shpërblim me xhenet si dhe ndëshkim me xhehenem. I jep besim të plotë në fjalët e Allahut, kënaqësi me atë që Allahu ka caktuar, ngase Allahu është më i madhi dhe më i Fuqishmi si dhe ka mundësi për gjithçka, bën çfarë të dojë, nuk ka diçka të pamundshme për të në tokë apo në qiell .
Rezultati i dytë është mjekimi i zemrës nga sëmundjet që e godasin atë, si: mendjemadhësia, arroganca e tij ndaj të tjerëve si dhe shërimin e sëmundjes që zemra të mos e jetë e lidhur me krijesat, kur dihet se të gjitha çështjet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar. Zemra i mjekohet nga syefaqësia, që veprat të mos bëhen sa për lëvdata të njerëzve, por vetëm për Allah. Këto sëmundje janë shkatërruese për njeriun nëse nuk i shëron qysh në fillim. Këto sëmundje mund të shërohen nëse njeriu e kupton mirë madhërinë e Allahut, ngase njeriu bën mendjemadhësi dhe e sheh veten më të ngritur ndaj të tjerëve. E kur e kupton mirë madhërinë e Allahut, i bëhet e qartë se njeriu është vetëm një krijesë e thjeshtë e dobët e Allahut, prandaj nuk e sheh veten e tij para Allahut vetëm se si një krijesë të thjeshtë, edhe më të vogël sesa një mizë. Ai distancohet prej çdo lloj mendjemadhësie, arrogance apo mospërfillje ndaj Allahut.
Po ashtu kuptimi i madhërisë së Allahut është shërim nga sëmundja e syfaqësisë ngase ai që e ka mbushur zemrën me madhërimin e Allahut të Lartësuar, kurrë nuk do të anojë nga shikimi i të tjerëve, se a po shohin se po bën ibadet apo jo, dhe nuk do t’i interesojë asgjë tjetër përvec kënaqësisë së Allahut të Lartësuar duke e ditur se askush nuk meriton diçka nga adhurimi dhe se nuk ka më të fuqishëm sesa Allahu që t’i drejtohet për t’ia zgjidhur problemet e tij. Përveç Allahut nuk është kush që posedon shpërblim ose ndëshkim, shpëtim apo shkatërrim. Pra, si ka mundësi që besimtari i vërtetë të mendojë e shpresojë në këto krijesa të dobëta e të mangëta, kur Zoti i Plotfuqishëm ka mundësi për çdo gjë? Thotë Allahu në Kuranin Famëlartë: “Thuaj (o i Dërguar): “Falënderimi i qoftë Allahut, e shpëtimi qoftë ndaj robërve të Tij që Ai i zgjodhi (Pejgamberët)! A më i mirë (për të besuar) është Allahu apo ata që ia bëjnë shok?” (Suretu Nemël: 59)
Dhe në fund falënderojmë Allahun e Madhëruar.
Përktheu: Hevzi Kadriu
klubikulturor.com