D9A3A711-5EA1-4087-B469-31165F27917D

Maqedonia e Veriut njofton heqjen e vizave dalëse për muslimanët në kryerjen e Haxhit në Arabinë Saudite

Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar se në një seancë të qeverisë është miratuar vendimi për heqjen e vizave dalëse për besimtarët muslimanë të vendit në kryerjen e Haxhit në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu.

Zv/kryeministri Grubi në rrjetet sociale njofton se me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme është miratuar vendimi për heqjen e vizave dalëse për “kryerjen më të lehtë të obligimit fetar të besimtarëve muslimanë” të Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria me kujdes do të ndjekë udhëtimin e haxhinjve dhe do të jetë e hapur për çfarëdo lloj ndihme që atyre do t’ju nevojitet nga institucionet shtetërore”, shkroi Grubi.

Kujtojmë se shkuarja në Haxh e besimtarëve të Maqedonisë së Veriut organizohet nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e vendit, e cila më herët njoftoi se kët vit nga vendi për në Arabinë Saudite do të udhëtojnë gjithsej 2.030 haxhinj, të cilët për kryerjen e obligimit fetar do të paguajnë 6.550 euro, ku përfshihet transporti, akomodimi, ushqimi, sigurimi shëndetësor, taksat dhe marrja e vizës dalëse.

Sipas BFI-së, me vendimin për heqjen e vizave dalëse do të lehtësohet puna e myftinive të vendit të cilët tani e tutje nuk do të kenë nevojë të mbushin formularë dhe dokumente për të aplikuar për viza dalëse që kanë kushtuar vetëm 150 denarë.