MARRËDHËNIET MES BASHKËSHORTËVE

Prej çështjeve të cilëve Islami u kushton rëndësi të veçantë është edhe çështja e familjes, brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Duke e pasur parasysh se bazamenti i çdo familjeje është burri dhe gruaja, Allahu për ta vendosi ligje, caktoi kufi dhe rregulla, u detyroi detyra dhe na bëri me dije se përmbajtja dhe veprimi me këto ligje dhe rregulla prej anës së bashkëshortëve është shkak i formimit të një familjeje të shëndoshë e të lumtur, e si shkak i përmirësimit të tyre më vonë do të vjen edhe deri tek formimi i një shoqërie të shëndoshë e të lumtur.

Në këtë temë me lejen e Allahut do ta paraqes një udhëtregues nëpërmjet të cilës bashkëshortët do të kenë mundësi që të udhëzohen se si ta formojnë dhe përmirësojmë jetën e tyre bashkëshortore.Fillimisht bashkëshortët duhet ta dinë se Allahu, azze ue xhel, gruan e krijoi prej burrit, që ky i fundit të gjen prehje tek ajo dhe me të, të plotësohet begatia dhe të arrihet lumturia. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra”. Nisa 1. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Allahu prej Ademit krijoi bashkëshorten e tij, e cila është Hava, alejha selam, e krijoi nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit, kur Ademi ishte duke fjetur. Kur Ademit i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij të cilën e pëlqeu shumë dhe tek e cila ai gjeti prehje tek ajo dhe ajo gjeti prehje tek ai”.

 Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm, sepse ato janë të krijuara nga brinjët. Pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj . Po deshe ta drejtosh, ai do të thyhet, e po e le ashtu siç është, do të ngele i lakuar. Prandaj dëgjoni porosinë time, ndaj grave bëhuni të kujdesshëm”.

 Bashkëshortët po ashtu duhet ta dijë se Allahu gruan e krijoi të jetë prehje dhe qetësi për burrin e saj. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademit), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo”. Earaf 189. Sikurse njeriu që shtëpinë e tij e merr si vendstrehim dhe mburojë që e mbron prej të nxehtit dhe të ftohtit e kështu me radhë, po ashtu gruaja për burrin e saj është vendstrehim ku e gjen kënaqësinë dhe qetësinë shpirtërore dhe në afërsinë e saj gjen shoqëri dhe miqësi. Pra ata dy janë mbulesë dhe mburojë për njëri tjetrin ashtu siç na rrëfen edhe Allahu, azze ue xhel: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato”. Bekare 187.

Burri duhet ta dinë se gruaja duhet fisnikëruar e nderuar dhe se nuk lejohet nënçmimi dhe ofendimi i saj. Allahu burrin e ka urdhëruar që gruan e tij ta strehon aty ku banon ai vet, ta ushqen me atë çka ushqehet vet dhe ta vesh e mbath nga pasuria e tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “le të banojnë aty ku banoni edhe ju”. Talak 6. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, kur u pyet prej Muavije ibën Hide se çfarë të drejtë mund të kërkon gruaja prej burrit të saj, u përgjigj: “Ta ushqejë ashtu siç e ushqen veten, ta veshë ashtu siç e veshë veten, të mos e godas në fytyrë, të mos e nënçmojë dhe të mos largohet prej saj përveç brenda shtëpisë (të mos ik)”.

 Gjithashtu në jetën e tyre bashkëshortore duhet të mbisundon toleranca e ndërsjellë, dashuria e mëshira. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. Rum 21.

 Prej shenjave që e udhëzojnë çiftin bashkëshortor drejt përmirësimit të jetës së tyre bashkëshortore është respektimi i detyrimeve dhe të drejtave që i kanë mes veti. Këto detyrime dhe të drejta janë të bazuara mbi atë që e njohin  njerëzit prej moralit të mirë dhe cilësive të bukura në adetet dhe traditat e tyre edhe atë në çdo kohë dhe çdo vend. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë”. Bekare 228 dhe “Jetoni e silluni mirë me to!”. Nisa 19. Hind bint Utbeh, gruaja e Ebu Sufjanit erdhi te i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, Ebu Sufjani është shumë koprrac. Ajo që ai ma jep, nuk mjafton për mua dhe fëmijën tim, kështu që unë pa dijen e tij marr prej pasurisë së tij. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha: “Merre aq sa ke nevojë për ty dhe fëmijën tënd”.

 Allahu, në Kuran, na sqaron se gruaja ka të drejta që duhet burri t’i respekton, mirëpo ka edhe detyra që ajo duhet t’i zbaton dhe se burri ka një shkallë mbi të. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato”. Bekare 228. Këtë gradë Allahu e sqaroi në një ajet tjetër ku tha: “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre”. Nisa 34.

 Edhe pse detyrimet dhe të drejtat bazohen mbi adetet dhe traditat e mira që njihen në shoqëri, prapë se prapë kanë ardhur citate të cilat kërkojnë vëmendje prej burrit dhe gruas dhe nuk lejohet neglizhenca e tyre.  Prej tyre:

 1. Gruaja është e detyruar ta respekton burrin e saj deri sa ai nuk thirr në mëkat ndaj Allahut.

 Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu”. Nisa 34.

 Imamët, Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton se Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nëse një burrë e thirr gruan e tij në shtrat dhe ajo refuzon dhe ai fle i hidhëruar, atë grua do ta mallkojnë melaqet deri në agim!”.

 Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Po ta kisha urdhëruar dikë që ti bëj sexhde dikujt, do ta kisha urdhëruar gruan që ti bëj sexhde burrit të saj!”.

 Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nëse gruaja i falë pesë kohët e namazit, e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan moralin e saj dhe i nënshtrohet burrit të saj, atëherë asaj do ti thuhet që të hyj në Xhenet nga cila derë që dëshiron!”

2. Gruaja është e detyruar që burrin e saj ta dashuron, ta respekton, të sillet butë me të, t’i ndihmon në nevojat e tij, t’i shërben në shtëpinë e tij dhe t’i edukon fëmijët e tij.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e shënon një hadith prej Abdullah ibën Amrit se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Dynjaja është kënaqësi, ndërsa kënaqësia më e madhe në këtë dynja është gruaja e mirë”.

Cilësitë e gruas së mirë janë përshkruar në një hadith tjetër të cilin e shënon Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, prej Ebu Hurejrës i cili thotë se është pyetur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam: Cilat gra janë më të mira? Përgjigja e tij, alejhi salatu ue selam, ishte: “Gruaja më e mirë është ajo e cila të gëzon kur të shikon, e cila të dëgjon kur diçka e urdhëron dhe e cila e ruan autoritetin tënd, moralin e vet dhe pasurinë tënde kur mungon!”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të,  transmeton nga i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, se ka thënë: “Gruas nuk i është lejuar të agjërojë nafile në prezencën e burrit të saj, pa lejen e tij dhe i është ndaluar të lëshoj dikë në shtëpi pa lejen e burrit”.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Burri ka të drejtë që të kënaqet me gruan e tij për çdo ditë dhe e drejta e tij është detyrim që duhet të kryhet menjëherë dhe nuk mund ta ndalon këtë detyrim një adhurim vullnetar apo një detyrim që nuk është kusht të kryhet menjëherë”.

Shembullin më të mirë na jep Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila i vononte ditët e agjërimit të cilat i kishin mbetur pa agjëruar prej muajit Ramazan deri sa vinte muaji Shaban dhe këtë e arsyetoi duke thënë se: “Kam qenë e nxënë prej të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, ose me të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam“.

3. Gruaja duhet ta mbron veten e saj dhe nderin e saj dhe t’i largohet çdo gjëje që nxit dyshime tek burri i saj.

Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në hutben e tij të lamtumirës kishte thënë : “O njerëz! Njësoj siç keni të drejta mbi gratë tuaja, edhe ato kanë të drejta mbi ju. E drejta juaj mbi to është që të mos ju tradhtojnë, të mos e marrin në shtëpi pa lejen tuaj ndonjë njeri që s`ju pëlqen dhe të mos bëjnë gjëra të pamoralshme”.

4. Nuk i lejohet gruas të del jashtë shtëpisë pa lejen e burrit edhe po të ishte dalja e saj për në xhami.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e përcjell një hadith nga Muhamedi, alejhi salatu ue selam, se ka thënë: “Nëse gratë e juaja nga ju kërkojnë natën leje për shkuarje në xhami, atëherë lejoni ato që të shkojnë”.

Burri poashtu duhet t’i kushton vëmendje disa detyrave që bien mbi të dhe të mos i neglizhon ato. Prej tyre:

1. Dhënia e mehrit.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimi”. Nisa 4.

2. Shpenzimi për të dhe përkujdesja, e cila përfshin të gjitha ato që gruaja ka nevojë si ushqim, veshje, banesë, ilaçe etj, madje edhe nëse ajo është e pasur ose e pavarur nga kjo ndihmë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë.” Talak 7.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i tha Sadit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Dhe për çdo gjë që do të shpenzosh duke kërkuar me të vetëm Fytyrën e Allahut, do të marrësh shpërblimin madje edhe  kafshatën që i vë në gojë edhe gruas tënde”.

3. Burrit nuk i lejohet që ta godas gruan në fytyrë dhe nuk lejohet nënçmimi i saj qoftë me fjalë apo me vepër.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Gratë e ndara në periudhën e pritjes, le të banojnë aty ku banoni edhe ju, sipas mundësive tuaja dhe mos u bini në qafë për t’i detyruar (të largohen)“. Talak 6.

4. Burri duhet që gruan ta fisnikëron, ta lavdëron për punët që i kryen në shtëpi, ta lavdëron për edukimin e fëmijëve dhe për gjërat e tjera dhe ta fal atëherë kur gabon.

Ibën Abas,  Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Më të mirët ndër jush janë ata të cilët janë më të mirët ndaj grave të tyre, ndërsa unë jam më i miri ndaj grave të mia!”.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Besimtari nuk e urren besimtaren. Nëse nuk i pëlqen një sjellje e saj, mund t’i pëlqejë një tjetër sjellje”.

5. Burri duhet që t’ia mbron gruas fenë, ta nxit në veprimin e punëve të mira, t’ia mëson asaj atë çka i bën dobi, ta urdhëron në faljen e namazit në kohët e tij, ta urdhëron në veshjen e hixhabit, ta mëson për moralin e mirë dhe edukatën e lartë, t’ia mëson e shpjegon adhurimet që duhet gruaja t’ia kryen Zotit të saj, etj.

Allahu i tha të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë!”. Taha 132, dhe “Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet. Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet”. Merjem 54-55.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. Tehrim 6.

Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Edukoni familjen e juaj dhe mësojuani atyre të mirën”.

Detyrat dhe të drejtat mes burrit dhe gruas janë të shumta, disa prej tyre janë të pëlqyera e disa detyruese, mirëpo ajo çka është me rëndësi të ceket është se çdo njëri prej tyre duhet që t’ia jep hakun tjetrit dhe mos të kërkon për shembull gruaja që të jetë e barabartë me burrin në të drejtat e tij dhe as burri mos ta shfrytëzon atë përparësi në udhëheqje dhe përgjegjësi që ia ka dhanë Allahu ndaj gruas e t’i bën padrejtësi dhe ta rrah pa të drejtë. Allahu, azze ue xhel, thotë: ““Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë”. Bekare 228.

E lus Allahun të na bën dobi mua dhe ju me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU