Rtv Pendimi
Të ndryshme

Marrëveshja e Hudejbisë dhe çlirimi i Mekës

Muaji i madh i Ramazanit përveq që është muaj i kur’anit, i agjërimit, i natës së madhe të Kadrit, i adhurimit dhe i solidaritetit, është edhe muaj i sakrificës, i luftërave dhe i fitoreve më të mëdha që kanë arritur muslimanët. Prandaj, temat të cilat do t’i shkoqisim shkurtimisht në këtë shkrim është “Marrëveshja e Hudejbisë” dhe përkujtimi i “Betejës për çlirimin e Mekës”.
Duke pasë parasyshë se zhvillimet e ngjarjeve në Gadishullin Arabik po shkonin në favor të muslimanëve, gradualisht kanë filluar të paraqiten parashenjat e fitores madhështore-Çlirimit të Mekës dhe përhapjes së suksesshme të islamit. Në vitin e 6h. mund të themi se filluan të paraqiten shenjat e mundësisë për kryerjen e ceremonive fetare në Qabe nga të cilat muslimanët ishin privuar qysh nga koha e shpërnguljes së muslimanëve nga Meka në Medine.
Në vitin e 6h. në Medine Pejgamberit a.s. iu ishte paraqitur në ëndërr se si me sahabët e vet kishte shkuar në Qabe, e kishte marrë çelsin e Qabes dhe kishin bërë tavafin dhe umren. Kur u zgjua nga gjumi Pejgamberi a.s. i lajmëroi sahabët për këtë, e ata u gëzuan shumë kur kuptuan se po atë vit do të hyjnë në Meke. Në lidhje me këtë, Pejgamberi a.s. i informoi dhe i porositi sahabët e vetë që të përgatiten për rrugë, sepse kishte vendosur t’a kryente umren.
Pejgamberi a.s. i përgatiti petkat e veta të pastërta, i hipi deves së vet “El-Kasva” dhe caktoi mbikqyrësin e Medinës, Ibni Ummi Mek’tumin- disa thonë se ky ka qenë Nemileh El-Lejthi. Nga Medina u nis të hënen në agim të ditës së parë të muajit Dhul-kade të vitit 6.h.. Me veti Pejgamberi a.s. mori gruan e tij Ummu Selmën dhe 1400 ose 1500 njerëz. Muhamedi a.s. mori rrugën për në Meke dhe kur arriti në vendin e quajtur Dhul-hulejfe, i zgjodhi kurbanët pastaj i veshi ihramet për Umre.
Kur dëgjuan mushrikët kurejsh se Muhamedi a.s. është duke ardhur në Meke, e thirrën këshillin konsultativ dhe morën vendim t’i smbrapsin muslimanët nga Qabja me çdo kusht. Halid bin Velidi me 100 kalorës doli në rrugën që shpinte për në Meke për t’a penguar ardhjen e muslimanëve kështu që të dy ushtritë u gjetën në horizont ballë për ballë njëra me tjetrën.
Pas krijimit të këtyre rrethanave personi me emrin Budejli ndërmjetësoi mes Pejgamberit a.s. dhe kurejshitëve. Budejl Bin Verkae u takua me Pejgamberin a.s. dhe i tha Pejgamberit a.s. se Ka’b Bin Lu’aji është i pozicionuar afër ujit të Hudejbisë me njerëzit e tij dhe planifikojnë të të sulmojnë dhe të pengojnë ardhjen tënde në Qabe. Pejgamberi a.s. iu përgjigj me këto fjalë: “Ne nuk kemi ardhur për t’a mbytur dikënd, por kemi ardhur për ta kryer umren. Kurejshitët i ka shkatrruar mjaft lufta, e edhe u ka sjellë dëme të mëdha… Nëse dëshirojnë t’a pranojnë islamin, siç e ka pranuar shumica, atëherë le ta bëjnë këtë…”
Pas këtij dështimi kurjeshitët dëshironin të dërgonin edhe dikënd tjetër për ndërmjetësim. Ky ishte Hulejs Bin Alkameh nga fisi Kenaneh, por edhe ky dështoi që ta bind Pejgamberin a.s. që ta ndal udhëtimin për në Meke- Qabe.

Ndërmjetsimi i Uthman Bin Affanit

Pas krijimit të gjithë kësaj situate, Pejgamberi a.s. vendosi që kësaj here, si përfaqsues të muslimanëve për të arritur marrvshje me kurejshitët t’a dërgoj Uthman Bin Affanin, pasi që paraprakisht këtë rol ndërmjetsues e kishte refuzuar Umer Bin Hattabi me arsyetimin se nuk kishte kush ta mbrojë prej të afërmëve të vet nëse do ta sulmonin kurejshitët. Pejgamberi a.s. e thirri Uthmanin dhe i tha: “Shko lajmëro ata se ne nuk kemi ardhur të luftojmë, por kemi ardhur për t’a kryer umren dhe thirri në Islam. Pastaj Muhamedi a.s. i tha tregoju atyre se muslimanët- besimtarët shumë shpejt do ta çlirojnë Mekën…”. Pasi Uthman Bin Affani shkoi në Meke dhe ua përcolli mesazhin krerëve kurejshit, ata i ofruan atij që ta bëjë tavafin rreth Qabës, por ai nuk e pranoi këtë ofertë, sepse ai nuk donte ta bëjë tavafin para se këtë ta bënte Pejgamberi a.s.
Mushrikët kurejsh e ndalën Uthman Bin Affanin pak më gjatë për t’u konsultuar se si të veprojnë më tutje dhe që të shqyrtojnë mirë qëndrimet e veta, e pastaj përmes tij t’ia përcjellin përgjigjen Muhamedit a.s.. Për shkak të vonesës së Uthmanit në mesin e muslimanëve ishte përhapur lajmi se Uthman Bin Affanin e kishin vrarë. Kur Pejgamberi a.s. e dëgjoi këtë lajm tha: “Nuk do të tërhiqemi mbrapa përderisa t’a ndëshkojmë këtë popull (kurejshitët)”. Pastaj Muhamedi a.s. i thirri shokët e vet që të betohen se nuk do të ikin, pastaj u paraqit një grup njerzish të cilët u betuan në besnikëri të përjetshme. I pari betimin e bëri Ebu Sinan El- Esedij, pastaj Selme Bin El-Ekv’ae, i cili tre herë konfirmoi betimin apo besnikërin gjerë në vdekje. Pejgamberi a.s. i pranishëm në këtë ngjarje e zgjati grushtin e vet, e shtrëngoi mirë dhe tha : “Kjo dorë e imja është garancë për Uthmanin”. Ceremonia e besëlidhjes ishte mbajtur nën një lis. Ky betim u emërtua “Er-Ridvan” për të cilin Kur’ani thotë: “All-llahu është i kënaqur me besimtarët, të cilët të janë zotuar në besnikëri nën lis”(Suretul – Fet-h:18).
Marrëveshja e paqës

Kur kurejshitët e kuptuan seriozitetin e situatës, urgjentisht e dërguan Suhejl Bin Amrin për të lidhë traktat. Por duke e porositë atë që, marrëveshje nuk mund të ketë nëse muslimanët nuk kthehen menjëherë. Suhejli shkoi te Pejgamberi a.s. e kur e pa Resulullahi a.s. tha : “Me siguri ky do të n’a lehtësoj situatën, kurejshitët mesiguri dëshirojnë armëpushim pasi që e kanë dërguar këtë”. Pasiqë Suhejli foli shumë gjatë me Pejgamberin a.s., më në fund u pajtuan me kushtet e armëpushimit, të cilat janë:
1. Pejgamberi a.s. në këtë vit të kthehet në Medine dhe të mos shkoj në Meke, ndërsa vitin tjetër ta vizitojnë Qaben në afat prej 3 ditësh pa armë tjera përveç shpatave në këllëf.
2. Ndërprerja e armiqësive mes vete në afat prej 10 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, sa zgjatë armëpushimi, njerëzit do të qarkullojnë lirshëm, ndërsa njëri – tjetrin do ta mbrojnë.
3. Çdo fis që dëshiron t’i bashkohet Muhamedit(a.s.) këtë mund ta bëjë me kusht që t’a respektojë këtë kontratë, e kush dëshiron ta bëj këtë me kurejshitët le të veproj ashtu. Çdo armiqësi kundër aleatëve, do të konsiderohet si armiqësi ndaj palës që i takon.
4. Ata që shkojnë tek Muhamedi a.s. si musliman nga fisi kurejsh pa lejen e krerëve të tyre, ai do t’i kthej në Meke, kurse ata që vijnë nga muslimanët tek kurejshitët, përkatësisht nëse dikush prej tyre ik te këta, të mos u kthehen muslimanëve.

Muhamedi a.s. caktoi Aliun r.a. për ta shkruar këtë marrëveshje në letër. Pas përfundimit të marrëveshjes, fisi Huza’ah u bë aleat i Pejgamberit a.s. ata ishin nën mbrojtjen e Benu Hashimitëve, që nga koha e Abdul- Muttalibit, andaj aleanca e tyre ishte rikonfirmim i aleancës së moqme. Ndërsa fisi Benu Bekër u bë aleat i kurejshitëve

Duke i analizuar dhe studiuar mirë paragrafet e marrëveshjes arrijmë, tek konkludimi se armëpushimi dhe marrëveshja e Hudejbijes janë fitorja e parë verbale e muslimanëve, përçka gjerë atëherë kurejshitët as që donin të dëgjonin, e lëre më t’i pranonin muslimanët për çka do qoftë. Përkundrazi ata mundoheshin me të gjitha forcat të fusnin përqarje mes fesë islame dhe popullit, duke pasur parasyshë se islami prej ditës në ditë dominonte frerët e udhëheqjes shpirtërore dhe profane në Gadishullin Arabik. Është fakt se kurejshitët, me pranimin e armëpushimit të ofruar nga muslimanët, njëkohësishtë pranun një fuqi të re në ato haëpsira, pra pranuan fuqinë e muslimanëve, dhe se ata nuk ishin në gjendje më të luftojnë kundër muslimanëve.
Rëndësia tjetër e kësaj marrëveshje është suksesi që e arritën muslimanët gjatë kohës së paqës pas kësaj marrëveshje, nuk do të mund të arrihej me luftë, madje edhe atëherë kur fitorja ishte e qartë. Përshkak të zemërgjerësisë së islamit, muslimanët kanë arritur sukses të madh në aspektin e thirrjes apo përhapjes së fesë islame. Përderisa numri i muslimanëve para marrveshjes së Hudejbisë ishte gjithsej 3000, ushtria muslimane tani vetëm për dy vjet, pas armëpushimit arriti në 10.000 luftëtar (me rastin e çlirimit të Mekës). Në fillim të vitit të 7h. një vit para çlirimit të Mekës, pas marrveshjes së Hudejbisë në islam kaluan edhe figurat dhe personalitetet e njohura si; Amër Bin El-Asi, Halid Bin El-Velidi dhe Uthman Bin Talha. Kur këta erdhën tek Pejgamberi a.s. ai tha : “Meka n’a dhuroi një copë nga mëlçia e vetë”. Talha ka qenë dertar i Qabës. Sa i përket kalimit të tyre në islam ka edhe mendime të historianëve se kjo ka ndodhur në vitin 8h.

Çlirimi i Mekës(viti i 8.h)

Beteja për çlirimin e Mekës, e cila në disa burime është e quajtur “Fethul futuh” (çlirim i çlirimeve) ka ndodhur në ditën e njëzetë të muajit Ramazan të vitit të 8 hixhri, në të cilën All-llahu xh.sh ka ngritur lartë fenë e vet, Pejngamberin a.s dhe muslimanët, duke u dhënë fuqi që të çlironin qytetin e vet dhe shtëpitë e veta duke i shpëtuar ato nga duart e pabesimtarëve.
Siç dihet, betejës për çlirimin e Mekës i kishte paraprirë marrëveshja paqësore e Hudeibisë, e cila ishte arritur më parë ndërmjet Muhamedit a.s dhe mushrikëve kurejsh. Andaj është fakt i pamohueshëm se me pranimin e armpushimit të ofruar nga muslimanët, mushrikët kurejsh pranuan njëkohësisht një forcë të re në rajon, pranuan fuqinë e muslimanëve, të cilën gjerë atëherë nuk e kishin njohur. Mirëpo ata të cilët nuk i besojnë fjalës së vërtetë të All-llahut, ata nuk u qëndrojnë besnik as marrëveshjeve të arritura. Mushrikët kurejsh e prishën marrëveshjen e hudejbisë, njëkohësisht edhe armëpushimin me muslimanët në momentin kur fisi Benu Bekër që ishte në aleancë me kurejshitët e sulmuan fisin Huza i cili ishte në aleancë me Pejgamberin a.s.. Ky veprim i mushrikëve kurejsh ishte shkaktarë i prishjes së paqës dhe i qoi muslimanët në luftë për çlirimin e Mekës.
Kështu që me 10 Ramazan të vitit të 8 hixhrijë, Muhamedi a.s. u nis për në Mekë me 10.000 ushtarë. Gjatë rrugës për në Mekë, Muhamedi a.s. takoi Abas bin Abdulmutalibin, i cili largohej nga Meka me familjen e vetë pasi kishte pranuar islamin.
Ushtria musliamane, nën udhëheqjen e Pejngamberit a.s. vazhdoi rrugën e vetë në drejtim të Mekës. Kur arritën në vendin e quajtur dhi-Tuva, Muhamedi a.s. bëri rradhitjen e ushtrisë, duke vendosur Halid bin Velidin në krahun e djathtë dhe duke kërkuar nga ai që në Mekë të hynte nga ana e poshtme, dhe kushdo që t`u dilte para, ta sulmonin. Anën e majtë e komandonte Zubejr bin Avvami i cili e mbante flamurin islam. Pejgamberi a.s. e urdhëroi Avvamin që të hynte nga ana e epërme e Mekës. Ebu Ubejde komandonte këmbësorin, e cila nuk ishte e armatosur. Pas marrjes së urdhërave, muslimanët filluan të marshonin në drejtim të Mekës dhe askush nga mushrikët kurejshitë që u dolën përpara, nuk mbeti gjallë.
Pas hyrjes së muslimanëve në Mekë, Pejgamberi a.s. i rrethuar nga muhaxhirët dhe ensarët, hyri në Qabe dhe iu afrua haxherul-esvedit, të cilin e preku me dorë, pastaj bëri tavavin rrethë shtëpisë së Zotit, ku ishin të vendosur 360 idhuj. Ai filloi t`i thente idhujt duke thënë: “Tani erdhi e vërteta e u zhduk gënjeshtra: gënjeshtra me të vërtetë është duke u zhdukur”. Në lidhje me këtë, kemi edhe ajetin kuranor: “E vërteta erdhi, ndërsa gënjeshtra u zhduk dhe nuk do të kthehet përsëri”. (Sebe’ë: 49)
Pejgamberi a.s. brenda në Qabe e pa fotografinë e Ibrahimit dhe Ismailit a.s., se si ata shikonin shigjetëzat për lojë, të cilat e shqetësuan. Ai tha: “I vraftë All-llahu mushrikët! Pasha Allahun, ata kurrë nuk kanë besuar në këto shigjetëza”.
Pasi që Pejngamberi a.s. doli nga Qabja dhe i pa mushrikët kurejsh të tubuar pranë Qabës iu drejtua atyre me këto fjalë: “O popull kurejshit, Allahu iu ka çliruar nga kryelartësia e injorancës dhe nga idhujtaria paraislamike e të parëve tuaja. Të gjithë njerëzit e kanë prejardhjen prej Ademit, ndërsa ai është prej dheut”. Pastaj Pejngamberi a.s. lexoi ajetin kuranor të sures El-huxhurat, i cili thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe prej një femre dhe iu bëmë ju popuj dhe fise për t`u njohur (në mes vetës)…”
Pas leximit të këtij ajeti kur`anor Pejgamberi a.s. iu drejtua përsëri kurejshitëve me këto fjalë: “O popull kurejsh, ç`mendoni që meritoni të bëjë tani me ju?” Ata u përgjigjën: “Vetëm të mira, sepse ti je vëllai dhe i biri fisnik i vëllait fisnik”. Pejgamberi a.s. tha: “Do të veprojë njësoj siç ka vepruar Jusufi a.s. me vëllëzërit e vetë: “Unë tani nuk do t`iu qortoj dhe shkoni, se jeni të lire”.
Nuk ka dyshim se gjatë çlirimit të Mekës Pejgamberi a.s. ishte shumë i përmbajtur dhe i kujdesshëm që në asnjë mënyrë të mos kishte gjakderdhje. Ai i kishte urdhëruar prijësit e ushtrisë që të mos vrisnin askënd përveç kriminelëve kryesorë kurejshit.Pasi pejngamberi a.s. dhe muslimanët çliruan Mekën-vendlindjen e vetë, mekasit filluan t`a pranonin islamin dhe të kuptonin se pa islam nuk mund të kenë perspektivë. Këta ia pranuan Muhamedit a.s. dhe filluan të vinin për betim-mbështetje dhe filluan të bëhen të dëgjueshëm ndaj Muhamedit a.s.
Pas çlirimit të Mekës, feja islame dhe muslimanët i forcuan bazat dhe themelet e veta. Islamin filluan t`a pranonin masovisht banorët e Mekës, individ dhe grupe. Meka tani hyri nën flamurin islam, e njerëzit hynin pa ndërprerë në fenë e vërtetë të Allahut. Këtë e dëshmojnë edhe ajetet kur`anore ku All-llahu xh.sh thotë: “Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi). Dhe i pe njerëzit që po hynin turma-turma në fenë e Allahut. Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke e falenderuar dhe kërko nga ai falje. Ai vërtetë e pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh”. (En-nasër, ajeti 1,2,3).

Pejgamberi a.s. në Mekë qëndroi 15 ose 17 ditë, sipas variantit tjetër 19 ditë. Gjatë kësaj kohe Pejngamberi a.s. namazet i falte me shkurtim dhe e hante Ramazanin. Poashtu Muhamedi a.s. i dërgoi disa nga sahabët e vetë që t`i rrënonin disa buste e idhuj, të cilët ende nuk ishin rrënuar nga fiset arabe.
Në fund mund të konstatojmë se: “Marrëveshja e Hudejbisë” bëri që shumë njerëz të pranonin islamin në mënyrë publike duke e manifestuar atë në praktikë. Kjo u bë e qartë edhe më tepër në betejën për çlirimin e Mekës ku morën pjesë dhjetë mijë ushtarë muslimanë, ndërsa vetëm pak para kësaj marrëveshje ishin vetëm tre mijë”.
Beteja për çlirimin e Mekës i hapi sytë popullit dhe rrënoi barikadat e fundit, që ishin vënë mes tyre dhe islamit. Me këtë fitore muslimanët mbizotruan situatën politike, fetare dhe ushtarake në tërë Gadishullin Arabik. Kësaj fitore i janë gëzuar edhe banorët e qiellit dhe njerëzit turma-turma e kanë pranuar islamin,në mesin e tyre edhe Ebu Sufjani.
Allahu i shpërbleftë të gjithë ata kontribues në këtë luftë dhe të tjerët të cilët i hapën rrugën islamit që të ecte me hapa të sigurtë në përhapjen e kësaj feje ndër zemrat e miliona njerëzve në mbarë rruzullin tokës.

Të ngjajshme

A të falet namazi i Bajramit nëpër shtëpia?

Kushtrim Guraj

Duaja e namazit te nates…

Hevzi Hasani

Sadakatul Fitri dhe rregullat e tij

Kushtrim Guraj

Kush ishin sahabët që braktisën kodrën e shigjetarëve në luftën e Uhudit?

Hevzi Hasani

Rumania, fener bashkëjetese për myslimanët në Evropën Lindore

Hevzi Hasani

O Allah, na beko me pjesën e mbetur  të Sha’banit dhe mundëso të arrijmë  Ramazanin

Kushtrim Guraj

Sprova vazhdon!

Kushtrim Guraj

Vaktiat e Ramazanit 2020

Kushtrim Guraj

Gënjeshtra larg nesh!

Hevzi Hasani

* Nëse radiot nuk funksionojnë, Kliko KËTU