Ka përfunduar takimi trepalësh midis kryenegociatorëve, atij kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, ku u diskutua normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe çështja e përdorimit të dinarit serb, raporton Anadolu.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me palët u pajtuan që të vazhdohet diskutimi për këto çështje edhe të hënën e javës së ardhshme, më 25 mars.
“Prita në takim dy kryenegociatorët për të diskutuar rreth implementimit të Marrëveshjes në Rrugën drejtë Normalizimit dhe çështje tjera, përfshirë edhe ndikimin e vendimit për operimin me para të gatshme. U pajtuam që të vazhdojmë në këto çështje edhe të hënën e ardhshme, derisa Marrëveshja është e nevojshme të adresohet nga liderët”, theksoi Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, tha se të premten Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozime për çështjen e dinarit, kurse javën e ardhshme pritet të diskutohet për to.
Bislimi ka thënë se u dakorduan se si të vijohet rruga për të dalë nga ky ngërç.
“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësirë që këto dy propozime të bëhen një propozim”, tha ai pas takimit.
Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, në takim, pala serbe ka thënë se nuk e njeh Marrëveshjen Bazike si të tillë. Bislimi shtoi se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën.
Një ditë më herët, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, paralajmëroi se BE-ja do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë.