Partitë opozitare kanë mbajtur në Tiranë një protestë me thirrjen për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ndërsa gjatë saj ka patur edhe incidente dhe tensione, ku disa persona kanë mbetur të lënduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbështetësit e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe partive të tjera opozitare janë mbledhur për të protestuar fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Para protestuesve mbajti një fjalim kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cila tha se “Sot jemi mbledhur në këtë shesh për të treguar se jemi europianë dhe si europianë ne besojmë tek shteti i së drejtës”.
“Ne sot protestojmë për liri, demokraci e drejtësi me dinjitetin dhe forcën e njerëzve të lirë. Arma jonë e demokracisë është qytetari i lirë, por mbi të gjitha ne kemi nevojë për besimin tek vetja, tek forca jonë, tek energjia jonë, tek fuqia jonë. Ne kemi nevojë të besojmë se ne mund të bëjmë Shqipërinë, kemi nevojë të besojmë se ne mund ta mposhtim të keqen e të ndërtojmë të mirën”, tha Basha.
Pas fjalimit të Bashës protestuesit kanë hedhur tymuese në drejtim të selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa më pas janë drejtuar për të protestuar para selisë së Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
Gjatë protestës para ministrisë është tensionuar situata, pas përplasjes mes forcave të policisë dhe protestuesve.
Policia e Shqipërisë për mbarëvajtjen e protestës kishte marrë disa masa, duke bllokuar disa akse rrugore dhe angazhuar qindra forca policore.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Shqipërisë ka publikuar një audio përgjim ku pretendon se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, “organizon trafikun e drogës në qytetin e Vlorës”. Pas publikimit të audio përgjimit, opozita kërkoi dorëheqjen e ministrit Xhafaj.