Mbërrijnë në Kosovë një pjesë e të lënduarve në aksidentin me autobus në Kroaci

21 qytetarë nga Kosova të cilët pësuan lëndime në aksidentin që ndodhi me autobusin me targa kosovare të dielën në Kroaci, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari” të martën mbrëma, raporton Anadolu Agency (AA).

Familjarë të tyre kanë pritur deri sa ata kanë arritur në aeroport, ndërsa të organizuar me vetura personale si dhe vetura zyrtare të institucioneve të Kosovës janë kthyer bashkë nëpër shtëpitë e tyre në qytete të ndryshme të vendit.

Krerë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti kanë qenë prezent sapo bashkëatdhetarët kanë arritur me aeroplan nga Kroacia.

Pas zbarkimit dhe shpërndarjes nëpër shtëpitë e tyre, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia mbajtën konferencë për media.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla tha se trupat e 10 viktimave të këtij aksidenti tashmë janë nisur nga Kroacia dhe janë rrugës dhe do të arrijnë në Kosovë.

“Të gjitha procedurat e nevojshme formalo-juridike për transportimin e 10 viktimave kanë përfunduar. Trupat e tyre janë rrugës duke ardhur në Kosovë dhe besojmë që herët në mëngjes do të mbërrijnë këtu dhe pastaj duke mbështetur të gjitha familjet edhe do të organizojmë ceremonitë e varrimit”, tha Sveçla.

Ai njoftoi se Qeveria e Kosovës do të mbajë një mbledhje, ku do të shihet çdo mundësi për ndihmë të çfarë do lloji ndaj familjarëve të viktimave të këtij aksidenti.

Ministri i Shëndetësisë, Vitia tha se nga 67 udhëtarë që ka pasur në autobusin që u aksidentua, 10 kanë qenë viktima, 42 janë hospitalizuar ndërsa 15 persona nuk kanë pasur lëndime.

“28 vetë tanimë janë liruar nga spitali dhe 15 të tjerë vazhdojnë trajtimin në spitalin e Slavonski Brodit. Një nga pacientët është transferuar në klinikën Zagreb ku është dyshuar për probleme neurologjike, por fatmirësisht gjendja saj është stabile dhe me vizitën që i bëmë me ministrin Sveçla dhe me homologun tim kroat Berosh pamë që gjendja e saj është stabile dhe nevojiten disa ditë deri në rikuperim”, tha Vitia, i cili shtoi se një numër i qytetarëve janë kthyer me vetëdëshirë në Gjermani.

Ai tha se nga bashkëatdhetarët që po trajtohen në Slavonski Brod të gjithë janë në gjendje stabile, përpos dy personave të cilët janë në repartin intensiv, njëri në gjendje të rëndë ndërsa tjetri në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Të dielën në mëngjes, autobusi me targa kosovare i cili po kthehej nga Frankurti për në Prishtinë, devijoji dhe u rrëzua jashtë rrugës në magjistralen afër Slavonski Brodit në Kroaci, ku humbën jetën 10 qytetarë nga Kosova ndërsa mbi 40 të tjerë u lënduan.

Bashkë me pasagjerët, jetën në këtë aksident e ka humbur edhe njëri nga shoferët, kurse shoferi tjetër, po mbahet ende nga policia kroate dhe po hetohen arsyet e aksidentit. Për viktimat dhe të lënduarit të cilët morën trajtim mjekësor deri më sot, presidentja e Kosovës, Osmani e shpalli të hënën ditë zie në Kosovë.