Vetëm gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, në total janë regjistruar mbi 15 mijë e 400 aksidente në komunikacion. Prej tyre 63 ishin me fatalitet, ku humbën jetën 68 persona. Gjithashtu, kanë ndodhur edhe 5 mijë e 500 aksidente me lëndime me 10 mijë e 500 persona të lënduar, si dhe 9 mijë e 800 aksidente me dëme materiale.
Edhe pse Policia e Kosovës nuk ka dërguar statistika për vet-aksidentet, nga ekspertët e komunikacionit ato po vlerësohen shqetësuese. Ata madje kërkojnë të hetohet arsyeja e këtyre aksidenteve.
Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se shqetësuese janë vet-aksidentet për të cilat thekson se duhet të hulumtohet lokacioni ku ndodhin për të disten herë vet-aksidentet, gjendja e ngasësit por edhe gjendja teknike e automjetit.
“Secili aksident pa marrë parasysh se çfarë kategorie të aksidentit kemi, është shqetësues, mirëpo veçmas kohëve të fundit janë shqetësuese aksidentet e tipit të vet-aksidente… Mendoj që duhet të bëhet hetim i thellë për shkaktarët e kontribuuesit të këtyre aksidenteve nëse është problemi te lokacioni dhe përsëriten, duhet të shikohet se si të evitohet dhe përmirësohet me kuptimin teknik ai lokacion, pastaj duhet të hetohet gjendja e vet ngasësit të automjeteve, i cili ka pësuar në këto vet aksidente për të parë se çka ka ndikuar tek ai i cili ka shkaktuar këtë aksident dhe në anën tjetër edhe gjendja teknike e mjetit në të cilin është shkaktuar ky aksident,” ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se pa marrë parasysh se me çfarë mjeti jeni, të gjithë duhet të respektojnë kodin rrugor të sjelljes, në këtë mënyrë të sigurohen edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
“Disiplina, respektimi i shenjave, rregullave të trafikut, përgjegjësia, në momentin që je në rrugë, çoftë si ngasës, si këmbësorë apo thjesht udhëtar apo ngasës i biçikletës, trotinetit, e tjera, të gjithë duhet të marrin pjesë edhe të respektojnë kodin rrugorë të sjelljes dhe janë edhe ata të sigurt por edhe i sigurojnë pjesëmarrësit tjerë në trafik,” ka shtuar ai.
Ndërsa, Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim ka theksuar se kanë shtuar prezencën e zyrtarëve policorë në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “Smart Patrol”, veturat civile të pajisura me radarë mobil, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese.
“Angazhimet policore, përveç tjerash, kanë përfshirë shtimin e prezencës së zyrtarëve policorë në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “SMART PATROL”, veturat civile të pajisura me radarë mobilë, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme e njësi tjera policore, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese,” ka thënë PK në një përgjigje me shkrim.
Nëse krahasojmë periudhën janar-gusht të këtij viti dhe të vitit të kaluar, në statistikat që ka dërguar PK-ja, këtë vit, për këtë periudhë ka më pa aksidente, megjithatë diferenca është shumë e vogël.