Mbi 180 shkolla të dëmtuara nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës

Ministria palestineze e Arsimit njoftoi se 187 shkolla, 55 prej tyre kopshte, u dëmtuan në sulmet 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës që filluan më 10 maj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ahmed Al-Najjar, drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar pranë ministrisë, foli për AA në lidhje me nxënësit që humbën jetën në sulmet e Izraelit në Gaza dhe ndërtesat e dëmtuara arsimore.

Najjar tha se ministria dokumentoi që 77 nxënës dhe studentë humbën jetën në sulmet e Izraelit në Gaza, duke shtuar se 55 kopshte dhe 132 shkolla fillore u dëmtuan në këto sulme dhe se përmasat e shkatërrimit janë “të mëdha”.

Duke deklaruar se Izraeli bombardoi ndërtesat arsimore që ishin larg objekteve të policisë dhe grupeve të rezistencës palestineze, Najjar tha se nxënësit dhe studentët e plagosur dhe të ndikuar nga bombardimet kanë nevojë për mbështetje psikologjike.

Ai theksoi se procesi i rindërtimit të shkollave është relativisht i mundur, por dëmtimi psikologjik që ka ndodhur tek nxënësit gjatë bombardimeve izraelite është i vështirë.

Sulmet e nisura nga Izraeli në Rripin e rrethuar të Gazës më 10 maj përfunduan në orët e para të 21 majit pas një armëpushimi me Hamasin.

Në sulmet e Izraelit në Gaza jetën humbën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, kurse 1.948 të tjerë u plagosën.