Mblidhen gjeneratat e para të Medresesë “Alauddin” në prag të 70 vjetorit të themelimit

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka filluar që nga sot shënimin e 70 vjetorit të themelimit të Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, duke ftuar gjeneratat e para të kësaj shkolle.

Tashmë të gjithë ish-nxënës të shtyrë në moshë u mblodhën në ambientet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në atë të Medresesë “Alauddin” për të kujtuar hapin më të rëndësishëm në jetën e tyre, si dhe për të diskutuar për sfidat dhe sukseset që kanë pasur gjatë gjithë jetës.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, mirëpriti gjeneratat e para të Medresesë “Alauddin” duke potencuar se vetë pjesëmarrja në këtë aktivitet është tejet e rëndësishme. Myftiu shtoi se gjeneratat e para të Medresesë janë me fat për dy arsye, e para, që ishin pjesë e Medresesë “Alauddin” dhe e dyta që ende kanë jetë që të jetojnë dhe të shohin suksesin e kësaj shkolle.

“Në këto ambiente ku sot jemi, takimi ynë merr peshë e rëndësi edhe më të madhe dhe ka simbolikën e vet, ngase pikërisht këtu, në këtë vend, 70-vjet më parë filloi punën dhe nisi rrugëtimin e saj plot bereqet e suksese, së bashku edhe me ju, Medreseja e Prishtinës. Hapja e kësaj vatre arsimore islame shqipe, s’ka dyshim që qe një arritje e madhe për Bashkësinë Islame, sepse ajo rifitoi të drejtën për arsimim e edukim në udhën e Zotit në një sistem që ishte jo dashamirës i feve e besimeve, por i promovimit të ateizmit e komunizmit”, deklaroi para të pranishme Myftiu Naim ef. Tërnava.

Kujtimet e tyre i shpalosën me rend përfaqësuesit e pesë gjeneratave të kësaj Medreseje. Nga gjenerata e parë, të pranishmit i përshëndeti prof. Selim Maloku, pastaj nga gjenerata e dytë prof. Ejup Sahiti, prof. Jashar Jashari nga gjenerata e tretë, prof. Mehmet Gashi nga gjenerata e katërt, si dhe prof. Feti Mehdiu nga gjenerata e pestë, por edhe të tjerët që morën fjalën, vlerësuan lart personalitete të shumta të cilat për vite me radhë kanë kontribuar për Medresenë “Alauddin” dhe Bashkësinë Islame të Kosovës që përmes tyre të përhapet fjala e Zotit në shoqërinë myslimanë shqiptare.

Në anën tjetër, të gjithë pranishmit nga pesë gjeneratat e para të kësaj shkolle evokuan kujtimet dhe mbresat nga e kaluara, si dhe u shprehën të kënaqur me punën dhe me ndryshimet pozitive që Medreseja “Alauddin” ka pësuar për gjatë gjithë këtyre viteve, e padyshim se një sukses i tillë lidhet ngushtë edhe me vet faktin e kohës, e cila tashmë mundëson demokraci dhe liri për të gjithë qytetarët e vendit.

Të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori aktual i kësaj shkolle Fadil Hasani, i cili në pika të shkurta njoftoi ish-nxënësit për sukseset, ndryshimet, por edhe për sfidat që ka kaluar Medreseja “Alauddin”.

Në fund të këtij takimi u kujtuan, me që rast u këndua edhe një Fatiha për të gjithë ata nxënës që ishin në gjeneratat e para të kësaj shkolle, e që më nuk janë në mesin tonë. Medreseja “Alauddin” këtë vit mbush 70 vite që prej se është themeluar, e që ka kaluar nëpër etapa të ndryshme.