Mbretëria e Bashkuar “nuk do të kthejë” në Siri asnjë azilkërkues

Britania ka deklaruar se “nuk po kthen” asnjë person në Siri në përputhje me gjykimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) se ata “mbeten të pasigurt”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata nga Zyra e Brendshme vjen pas raportimeve të dielën nga ‘The Guardian’ se një azilkërkuesi sirian iu kërkua të kthehet në vendin e tij.

Bazuar në një letër refuzimi nga Zyra e Brendshme, e përditshmja britanike tha se 25-vjeçarit i ishte thënë se ai mund të kthehet në vendin nga i cili kishte ikur gjatë luftës, sepse është i sigurt për ta bërë këtë.

Azilkërkuesi sirian iku nga “rekrutimi i detyruar” në ushtrinë e regjimit sirian në vitin 2017, duke theksuar se do të ishte detyruar të vriste sirianë të tjerë nëse do të kthehej.

Ai po ashtu tha se mund arrestohet dhe madje edhe vritet në Siri.

‘The Guardian’ tha se pa një letër refuzimi nga Zyra e Brendshme muajin e kaluar.

Sot, llogaria zyrtare e Zyrës së Brendshme në twitter tha se “në rrethanat aktuale ne nuk po i kthejmë njerëzit në Siri”.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pajtohet me gjykimin e OKB-së se Siria mbetet e pasigurt për ta”, shkroi Zyra e Brendshme.

Azilkërkuesi i kishte thënë gazetës britanike se ai “u arratis nga Siria në vitin 2017” dhe se po kërkon siguri.

“Avokatja ime po apelon kundër vendimit të Zyrës së Brendshme dhe thotë se ky është rasti i parë i refuzimit të azilkërkuesit sirian që ajo ka parë”, tha ai.

“Shpresoj se nuk do të detyrohem të kthehem në Siri. Jam shumë i lodhur duke u përpjekur të gjej diku ku të jem i sigurt”, shtoi ai.