![Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë](https://cdnuploads.aa.com.tr/uploads/Contents/2025/02/09/thumbs_b_c_610ba5c381e5523176574ec28457bda2.jpg?v=210430)
Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë
Janë mbyllur kutitë e votimit për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), respektivisht të drejtën e votës deri në ora 15:00 e shfrytëzuan 28,32 për qind apo 558.246 nga gjithsej 1.970.944 votues të regjistruar.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote ishte 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues patën mundësinë të japin verdiktin e tyre gjatë ditës së sotme brenda Kosovës, nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 të darkës.
Më herët, prokurorja Laura Pula njoftoi se Prokuroria e Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet për të garantuar të drejtën e votës, si dhe njoftoi se nga mbrëmë dhe gjatë ditës së sotme janë arrestuar gjashtë persona për cenimin e fshehtësisë së votimit dhe një tjetër person për sulm ndaj personit zyrtar të cilët akoma mbeten në ndalim.
Sa i përket votimit nga jashtë Kosovës, procesi u mbyll një ditë më herët, ku të drejtë vote kishin 104.924 qytetarë të cilët jetojnë në diasporë, të cilët kishin mundësi për ta ushtruar këtë të drejtë nga 9 janari deri më 8 shkurt.
Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen sot janë 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2.533 vendvotime, si dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja ishin pjesë e garës zgjedhore. Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Numri i vëzhguesve të subjekteve politike në këtë proces zgjedhor ishte mbi 18 mijë. Ndërkaq, procesi monitorohej edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian (BE), të cilët vijnë nga 18 vende të ndryshme të BE-së, me qëllim të “ruajtjes së standardeve demokratike”, me ftesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Rezultatet preliminare të procesit zgjedhor pritet të bëhen publike rreth mesnatës.