thumbs_b_c_41e4a0e9d57687eca6eeee8d9bb0bf0b

Mbyllet procesi i votimit në veri të Kosovës, dështon iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave

Janë mbyllur në katër komunat veriore me shumicë serbe vendvotimet ku qytetarët patën mundësinë të votojnë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktual, raporton Anadolu.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se vendvotimet janë mbyllur në orën 7 të mbrëmjes, derisa vetëm një numër i vogël i qytetarëve e shfrytëzuan të drejtën e votimit për shkak të bojkotimit të këtij procesi nga serbët lokal.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar 124 qytetarë nga rreth 13 mijë qytetarë me të drejtë vote apo 0,91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6 mijë me të drejtë vote, në Zveçan nuk ka votuar askush dhe në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota.

Radoniqi tha se përkundër sfidave KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme që t’iu mundësonte qytetarëve realizimin e të drejtës demokratike dhe ligjore.

“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50 për qind i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, theksoi Radoniqi.

Osmani: Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendi i saj i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por “qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi”.

“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shkroi Osmani.

Presidentja kosovare tha se Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim dhe respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve pa dallim mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë.

“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, shtoi Osmani.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe partitë tjera më të vogla nga komuniteti serb në veri të Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim edhe pse më herët morën pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim shkarkimin e kryetarëve aktual shqiptarë.

Mospjesëmarrjen e tyre në votimin e sotëm ata e kanë arsyetuar me lista joreale të votuesve sepse, siç pretendojnë ata, janë shpërngulur rreth 15 për qind e serbëve dhe kundërshtojnë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për monitorimin e procesit të votimit me kamera.

Iniciativa tjetër me kërkesë për largimin e kryetarëve të njëjtë nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh nga dita e konstatimit përfundimtar për dështim. Vitin e ardhshëm është paraparë të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale në Kosovë.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën më 23 prill të vitit 2023, në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat u bojkotuan nga serbët.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës çoi në protesta të dhunshme të popullatës serbe, konflikte me KFOR-in dhe plagosjen e rreth 90 ushtarëve të huaj.

Pas presionit të madh të SHBA-së dhe BE-së, Qeveria e Kosovës pranoi të organizojë zgjedhje të reja, por me procedurën e Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e kryetarit të komunës.

Për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale, gjë që u kundërshtua nga partnerët perëndimorë, BE-ja në qershor të vitit të kaluar vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.

Kryetar aktual në Mitrovicë të Veriut është Erden Atiq, në Zveçan Ilir Peci, në Leposaviq Lulzim Hetemi dhe në Zubin Potok Izmir Zeqiri.