ME DASHURI EDUKOJMË BREZAT TANË

Allahu, azze ue xhel, e bëri fëmijën kënaqësi për sytë e prindit, dashuri të zemrës së tij, gëzim të shpirtit të tij dhe e konsideroi të natyrshme dashurinë që e ndjen prindi kundrejt fëmijës së tij. Bile në Kuran, Allahu, azze ue xhel, i lavdëroi miqtë e Tij, se ata që i luten dhe i nënshtrohen Atij do t’i kënaqë sytë e tyre me fëmijë të mirë e fetarë. Allahu, azze ue xhel, thotë:

“Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit.” Furkan 74.

Këtë dashuri që ndjen prindi kundrejt fëmijës së vet është burim i sigurisë dhe i stabilitetit shpirtëror tek fëmija dhe është bazë e fortë në ndërtimin e personalitetit të fëmijës mbi parime fetare të qëndrueshme dhe bashkëveprim pozitiv me shoqërinë që e rrethon. Realizimi i këtyre qëllimeve nuk mundet të paramendohet kur dashuria është e burgosur në gjokset e prindërve, edhe pse ajo ekziston dhe është e fortë, për shkak se ajo nuk shprehet me fjalë e as me vepra kundrejt fëmijës, dhe kjo i dobëson urat e lidhjes mes fëmijës dhe familjes, dhe kështu të dyja palët e humbin kënaqësinë që jep kjo ndjenjë e mrekullueshme.

Dashuria konsiderohet si mjet më i zhvilluar në bashkimin e njerëzve mes veti, qofshin ata me racë, edukatë apo vlera të ndryshme.

Të gjithë janë në një mendje me respektin dhe njohjen e saj. Dashuria si natyrshmëri e ngulitur në shpirtrat e njerëzve refuzon të deformohet dhe të shëmtohet. Të gjithë e kërkojnë, e ëndërrojnë dhe e shpresojnë, prandaj nuk është për t’u çuditur kur themi se është: “Vegël magjike me ndikim dhe ndryshim.”

Dashuria është pushim i zemrës prej të gjitha llojeve të lodhjes, për shkak se ndjenja e dashurisë në pikëpamje të përgjithshme rrezaton harmoni shpirtërore dhe qetësi të brendshme, dhe gjurmët e këtyre rrezeve të ngrohta, që dalin prej njeriut ndikojnë në rrethin që e shoqëron dhe në veprat që punon, duke mos ndjerë aspak lodhje e mundim.

Dashuria, lodhjet dhe belatë e punës i shndërron në kënaqësi shpirtërore dhe mendore, dhe e ngre njeriun në një shkallë tjetër, ku i shtohet durimi, ndërsa lodhjet e mundimet i bëhen të ëmbla dhe kënaqësi.

Ti o edukator, dije se dashuria për ty është thesar që nuk mbaron, kapital që nuk shteret dhe ti kur e shpërndan atë i hap vetes një fond që nuk vidhet dhe pakësohet, por ai shtohet çdo ditë prej ku ti nuk e di dhe e paramendon. Zemrat të cilat të duan dhe janë të lidhura me ty nuk të harrojnë. Nuk e harrojnë mirësinë tënde ndaj tyre, sinqeritetin tënd dhe flijimet e tua gjatë procesit edukativ.

Dashuria e shkurton rrugën dhe lehtëson fazat e edukatës, mirëpo prej teje kërkohet durim dhe vetëdije, që mos të bëhesh kurban i mashtrimeve të shejtanit. Natyrshmëria e njeriut është nxitimi dhe dëshiron t’i realizojë planet e saj sa më shpejt. Kështu që mos u mashtro, se dashuria dhe nevoja e saj për butësi e urtësi janë pengesë ndaj realizimit të shpejtë të qëllimeve edukative.

Gjithmonë janë të suksesshëm ata që dhurojnë dashuri, për shkak se ajo është garant i prerë për suksesin me lejen e Allahut dhe është shkaktar kyç në arritjen e tij.

Doktor Mejsere Tahiri thotë: “Gjuha e dashurisë dhe abetarja e saj zotërojnë tetë mjete edukative me dashuri:

1- Fjala e dashurisë 5- Kujdesi me dashuri

2- Shikimi i dashurisë 6- Përqafimi i dashurisë

3- Kafshata e dashurisë 7- Puthja e dashurisë

4- Prekja e dashurisë 8- Buzëqeshja e dashurisë.”

Edukatorët po t’i kishin përdorur këto mjete në procesin edukativ do të dilnin breza me sjellje të drejtë e me moral të lartë, mirëpo për fat të keq shumica e njerëzve nuk e vlerësojnë edukatën me dashuri.

Medito këto transmetime, të cilat na vërtetojnë kujdesin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, për edukatën me dashuri dhe si arriti ai me këtë metodologji edukative, që njerëzit ta flijojnë veten dhe pasurinë për të.

Aliu, radijallahu anhu, natën e hixhretit e vuri jetën e tij në rrezik duke u shtrirë mbi shtratin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem. E flijoi shpirtin e tij për të dashurin e tij të shtrenjtë, i cili e edukoi me dashuri, e mësoi si të dashurojë dhe si ta interpretojë atë dashuri.

Ebu Bekri, radijallahu anhu, ishte shëmbëlltyrë e gjallë, që e meriton të imitohet se sa e donte shokun e tij, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe si e flijonte veten për të. Rrugës për në Medine ditën e hixhretit kërkoi leje prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, që të futet i pari në shpellë dhe ta pastrojë prej insekteve, që mos ta dëmtojnë Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem. Kur e vërtetoi se shpella është e pastër i dha leje të Dërguarit të Allahut, që të futet brenda. Prej lodhjes së madhe Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, e zuri gjumi mbi këmbën e Ebu Bekrit dhe në ato momente u paraqit një gjarpër, të cilin nuk e kishte vërejtur gjatë pastrimit të shpellës. Nuk dëshironte ta zgjojë prej gjumi, ndërsa rreziku afrohej. Prej frikës se do ta kafshojë të Dërguarin e Allahut e vendosi këmbën e tij mbi gjarprin, i cili e kafshoi dhe prej dhembjes së madhe filluan t’i rrjedhin lot. Disa pika loti ranë mbi fytyrën e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe e zgjuan prej gjumi. Vërejti se këmba e Ebu Bekrit ishte në rrezik dhe me pështymën e tij të pastër e shëroi prej plagëve të kafshimit.

Po ashtu rrugës për në Medine i frikësuar se armiku do ta sulmojë Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, herë i dilte para, herë i shkonte mbrapa, herë i dilte në anën e djathtë, e herë në anë të majtë. Kjo është dashuri, e cila nuk ka shembull në histori.

Thumame ibën Ethali, radijallahu anhu, pasi e pranoi Islamin i tha Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem: “O Muhamed, pasha Allahun, nuk ka pasur gjë më të urryer për mua në tokë, sesa fytyra jote, ndërsa tani është bërë fytyra jote më e dashura për mua sesa të gjitha fytyrat. Pasha Allahun, nuk ka pasur fe më të urryer tek unë, sesa Feja jote, ndërsa tani ajo është feja më e dashur për mua, sesa të gjitha fetë e tjera. Pasha Allahun, nuk ka pasur vend më të urryer tek unë, sesa vendi yt, ndërsa tani ai është vendi më i dashur për mua, se çdo vend tjetër. O i Dërguar i Allahut, mua më morën kalorësit e tu dhe unë desha të shkoj për Umre, por nuk kam kalë, ti si mendon? – I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, e përgëzoi atë dhe i tha që të shkojë për të bërë Umren. Kur ai hyri në Mekë, dikush i tha: A hyre në fenë e idhujtarëve? Ai tha: Jo, por jam bërë musliman bashkë me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem. Pasha Allahun, nuk ka për t’ju ardhur nga Jemame asnjë kokërr grurë, derisa të jep leje për të i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem.” -Më vonë Kurejshët i dërguan letër Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i thanë: “O Muhamed, ti urdhëron për respektimin e farefisit, mirëpo ti vetë nuk e respekton.” -Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nga mëshira e madhe që kishte si njeri i shkroi një letër Thumames, radijallahu anhu, ku i tha që t’i lirojë karvanët me ushqim të nisen për në Meke.”

Thumame, radijallahu anhu, këtë dashuri të madhe që ndjente ndaj Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, e fitoi si rezultat i sjelljes dhe kujdesit të lartë, që kishte ndaj tij dhe kjo ishte shkak i Islamit të tij dhe interpretimit të dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, me ato fjalë të shkurta e të bukura.

Në përfundim, dashuria është prej bazave më kryesore në edukatën e ekuilibruar, prandaj çdo mangësi ose çrregullim në të çon deri në defekte të mëdha në edukatë dhe në mos-realizimin e qëllimeve edukative.

Po e mbyll këtë temë me disa udhëzime të përgjithshme, të cilat do t’i ndihmojnë prindërit në edukimin e fëmijëve të tyre me metodën e dashurisë dhe afrimit:

– Ndërto në brendësinë e fëmijës tënd vetëbesim, duke e përkrahur dhe respektuar mundin që ai jep, e jo vetëm duke i respektuar rezultatet që ai realizon.

– Mësoje fëmijën të mendojë pozitivisht, që të bëhet pozitiv. Shembull, nëse kthehet prej shkolle i përlyer dhe i parregulluar mos e akuzo, por thuaj: Biri im, më duket sot se je kënaqur duke lozur, a nuk është kështu? Kjo është mirë, por mos e bjer punën që rrobat e tua të përlyen deri në këtë gradë.

– Kalo një pjesë së kohës tënde me secilin prej tyre në veçanti, pa marrë parasysh se a do ta hash drekë me ndonjërin prej tyre jashtë shtëpisë, apo do të ushtroni sporte së bashku, kryesore është që t’ua mundësosh të ndjejnë se ti e respekton secilin prej tyre.

– Organizo festa për arritjet ditore të fëmijës. Shembull, shtro një sofër të veçantë për shkak se fëmija jot sot ka arritur suksese të larta në provime, ose për shkak se fëmija tjetër është treguar i suksesshëm në moral, deri sa të ndjejë secili prej tyre, se ti kujdesesh për ta dhe i përcjell gjërat me kohë.

– Luaj me fëmijët, luaj ndonjëherë futboll me tao, ose vrapo me ta, e kështu me radhë.

– Mësoje orarin shkollor të fëmijës tënd, njih mësuesin e tij, shokët e tij, që mos ta pyesësh kur të kthehet: Çfarë bëtë sot? – Por pyete: Çfarë bëre me shokun tënd filanin? Çfarë mësuat sot në orën e matematikës? – Kështu që ai e ndjen se ti e përcjell jetën e tij dhe kujdesesh për të.

– Krijo një fjalë të fshehtë ose një shenjë, e cila aludon në dashurinë tënde ndaj fëmijës dhe mos ta dijë askush përveç ju të dyve.

– Nëse kërkon fëmija që të flasë me ty, mos fol me atë duke qenë i preokupuar me gjëra të tjera, por kushtoja gjithë vëmendjen tënde atij dhe shikoje në sy kur të flet.

– Shkruaj në një fletë të vogël fjalë dashurie ose nxitëse dhe vendose atë anash mbi krevatin e tij e ti je duke dalë prej shtëpisë, ose vendose në çantën e shkollës, që ata të mendojnë se ti mendon për ata edhe kur nuk je i pranishëm në shtëpi.

– Përqafoje fëmijën tënd, puthe dhe thuaji çdo ditë se të dua. Sado që të jetë e tepërt përsëritja e kësaj fjalë ata kanë nevojë për të, qofshin të vegjël apo të rritur, bile qofshin edhe të martuar e kanë fëmijë.

– Nëse vizaton diçka merre vizatimin e tij dhe vendose në një vend të posaçëm të shtëpisë, që ai të ndjejë, se ti krenohesh me vizatimin e tij.

– Shpik disa mendime, të cilat do t’i ushqejnë ndjenjat e mira mes teje dhe tyre, si për shembull hapja e një e-maili të posaçëm, ku do t’i shkëmbeni letrat e dashurisë dhe falënderimit mes jush.

– Shfaqe dashurinë që ndjen ndaj fëmijës tënd me vepra, duke u kujdesur për mendimin e tij, duke kërkuar këshilla ndonjëherë prej tij, duke ia respektuar ndjenjat e tij, duke ia bërë me dije, se edhe ai është anëtar i rëndësishëm në familje, duke ia falur gabimet e posaçërisht ato të cilat i ka bërë për shkak të mungesës së përvojës dhe duke kërkuar falje prej tij, në rast se kemi gabuar dhe kemi qenë të ashpër ndaj tij.

Nga arabishtja: Irfan Jahiu