Rtv Pendimi

ME DASHURI I EDUKOJMË BREZAT TANË

Allahu, azze ue xhel, fëmijën e bëri kënaqësi për sytë e prindit, dashuri të zemrës së tij, gëzim të shpirtit të tij dhe të natyrshme e konsideroi dashurinë që e ndjen prindi kundrejt fëmijës së tij. Bile në Kur’an, Allahu, azze ue xhel, i lavdëroi miqtë e Tij, se ata i luten dhe i nënshtrohen Atij që t’i kënaqë sytë e tyre me fëmijë të mirë e fetar. Allahu, azze ue xhel, thotë: Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit.” (El-Furkan: 74)

Këtë dashuri të cilën e ndjen prindi kundrejt fë­mijës së tij është burim i sigurisë dhe i stabilitetit shpirtëror tek fëmija dhe është bazë e fortë në ndërtimin e personalitetit të fëmijës mbi parime fetare të qëndrueshme dhe bashkëveprim pozitiv me shoqërinë që e rrethon. Realizimi i këtyre qëllimeve nuk mundet të paramendohet kur dashuria është e burgosur në gjokset e prindërve edhe pse ajo ekziston dhe është e fortë, për shkak se ajo nuk shprehet me fjalë e as me vepra kundrejt fëmijës dhe kjo i dobëson urat e lidhjes mes fëmijës dhe familjes dhe të dyja palët e humbin kënaqësinë që e jep kjo ndjenjë e mre­kullu­eshme.

Dashuria konsiderohet si mjet më i zhvilluar në bashkimin e njerëzve mes vete, qofshin ata edhe me racë, edukatë dhe vlera të ndryshme. Të gjithë janë unik në respektin dhe njohjen e saj, ajo si natyrshmëri e ngulitur në shpirtrat e njerëzve refuzon që të deformohet dhe të shëmtohet. Të gjithë e kërkojnë, ëndërrojnë dhe shpresojnë, prandaj nuk është për të çuditur kur i themi se është: “Vegël magjike në ndikim dhe ndryshim.”

Dashuria është pushim i zemrës prej të gjitha llojeve të lodhjes, për shkak se ndjenja e dashurisë në pikëpamje të përgjithshme rrezaton harmoni shpirtë­rore dhe qetësi të brendshme dhe gjurmët e këtyre rrezeve të ngrohta që dalin prej njeriut ndikojnë në rre­thin që e shoqëron dhe në veprat që i punon duke mos ndjerë aspak lodhje e mundime.

Dashuria, lodhjet dhe belatë e punës i shndërron në kënaqësi shpirtërore dhe mendore, dhe e ngritë nje­riun në një shkallë tjetër ku i shtohet durimi ndërsa lodhjet e mundimet i bëhen të ëmbla dhe kënaqësi.

Ti, o edukator, dije se dashuria për ty është thesar që nuk mbaron, kapital që nuk shteret dhe ti kur e shpërndan atë i hap vetes një fond që nuk vidhet dhe pakësohet, por ai shtohet çdo ditë prej ku ti nuk e di dhe e paramendon. Zemrat të cilat të duan dhe janë të lidhura me ty nuk të harrojnë. Nuk e harrojnë mirësinë tënde ndaj tyre, sinqeritetin tënd dhe flijimet e tua gjatë procesit edukator.

Dashuria e shkurton rrugën dhe lehtëson fazat e edukatës, por prej teje kërkohet durim dhe vetëdije që mos të bëhesh kurban i mashtrimeve të shejtanit. Natyrshmëria e njeriut është nxitëse dhe dëshiron sa ma shpejtë t’i realizojë planet e saj. Kështu që mos u mashtro se dashuria dhe nevoja e saj për butësi e urtësi janë pengesë e realizimit të shpejtë të qëllimeve edu­katore.

Gjithmonë të suksesshëm janë ata të cilët dhurojnë dashuri, për shkak se ajo është garant i prerë për sukses me lejen e Allahut dhe është shkaktar kyç në arritjen e suksesit.

Doktor Mejsere Tahir thotë: “Gjuha e dashurisë dhe abetarja e saj i posedojnë tetë mjete edukatore me dashuri:

  1. Fjala e dashurisë
  2. Shikimi i dashurisë
  3. Kafshata e dashurisë
  4. Prekja e dashurisë
  5. Kujdesi me dashuri
  6. Përqafimi i dashurisë
  7. Puthja e dashurisë
  8. Buzëqeshja e dashurisë.”

Edukatorët po t’i kishin përdorur këto mjete në procesin edukator, do dilnin breza me sjellje të drejtë e me moral të lartë, mirëpo për fat të keq shumica e njerëzve nuk e vlerësojnë edukatën me dashuri.

Meditoi këto transmetime të cilat na vërtetojnë kujdesin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, për edukatën me dashuri dhe si arriti me këtë metodologji edukatore që njerëzit ta flijojnë veten dhe pasurinë për të.

Aliu, radijallahu anhu, natën e hixhretit e vuri jetën e tij në rrezik duke u shtri mbi shtratin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem. E flijoi shpirtin e tij për të dashurin e tij të shtrenjtë, i cili e edukoi me dashuri, e mësoi si të dashuron dhe si ta interpreton atë dashuri.

Ebu Bekri, radijallahu anhu, ishte shëmbëlltyrë e gjallë që e meriton të imitohet se sa e donte shokun e tij, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe si e flijonte veten për të. Rrugës për në Medine ditën e hixhretit kërkoi leje prejPejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, që i pari të futet në shpellë dhe ta pastrojë prej insekteve që mos ta dëmtojnë Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem. Kur u vërtetua se shpella është e pastër i dha leje të Dërguarit të Allahut që të futet brenda. Prej lodhjes së madhe Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, e zuri gjumi mbi këmbën e Ebu Bekrit dhe në ato momente u paraqit një gjarpër të cilin nuk e kishte vërejtur gjatë pastrimit të shpellës. Nuk dëshironte ta zgjon prej gjumi, kurse rreziku afrohej. Prej frikës se do ta kafshojë të Dërguarin e Allahut e vendosi këmbën e tij mbi gjarpër i cili e kafshoi dhe prej dhembjes së madhe filluan t’i rrjedhin lot. Disa pika loti ranë mbi fytyrën e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe e zgjuan prej gjumi. Vërejti se këmba e Ebu Bekrit ishte në rrezik dhe me pështymën e tij të pastër e shëroi prej pla­gëve të kafshimit.

Poashtu rrugës për në Medine i frikësuar se armiku do ta sulmojë Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, herë i dilte para, herë i shkonte mbrapa, herë i dilte në anën e djathtë, e herë në anë të majtë. Kjo është dashuri e cila nuk ka shembull në histori.

Thumame ibën Ethal, radijallahu anhu, pasi që e pranoi Islamin i tha Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem: “O Muhamed, pasha Allahun, nuk ka pasur gjë më të urryer për mua në tokë, sesa fytyra jote, ndërsa tani është bërë fytyra jote më e dashura për mua sesa të gjitha fytyrat. Pasha Allahun, nuk ka pasur fe më të urryer tek unë, sesa Feja jote, ndërsa tani ajo është feja më e dashur për mua, sesa të gjitha fetë. Pasha Allahun, nuk ka pasur vend më të urryer tek unë, sesa vendi yt, ndërsa tani ai është vendi më i dashur për mua, se çdo vend tjetër. O i Dërguar i Allahut, mua më morën kalorësit e tu dhe unë desha të shkoj për Umre, por nuk kam kalë, ti si mendon? – I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, e përgëzoi atë dhe i tha që të shkon për të bërë Umren. Kur ai hyri në Meke, dikush i tha: A hyre në fenë e idhujtarëve? Ai tha: Jo, por jam bërë musliman bashkë me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem. Pasha Allahun, nuk ka për t’ju ardhur nga Jemame asnjë kokërr grurë, derisa të japë leje për të i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem.” – Më vonë kurejshët i dërguan letër Pejgam­berit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i thanë: “O Muha­med, ti urdhëron në respektim të farefisit, mirëpo vet nuk e respekton.” -Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, prej mëshirës së madhe që e posedonte si njeri i shkroi një letër Thumames, radijallahu anhu, ku i tha që t’i lirojë karvanët me ushqim që të nisen për në Meke.”

Thumame, radijallahu anhu, këtë dashuri të madhe që e ndjente ndaj Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, e fitoi si rezultat i sjelljes dhe kujdesit të lartë që e kishte ndaj tij dhe kjo ishte shkak i Islamit të tij dhe interpretimit të dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, me ato fjalë të shkurta e të bukura.

Për fund, dashuria është prej bazave më kryesore në edukatën e ekuilibruar, prandaj çdo mangësi ose çrregullim në të shpie deri në defekt të madh në edukatë dhe deri në mosrealizim të qëllimeve eduka­tore.

Këtë temë e përfundoj me disa direktiva të përgjithshme të cilat do t’u ndihmojnë prindërve në edukatën e fëmijëve të tyre me metodën e dashurisë dhe afrimit:

– Ndërto në brendësinë e fëmijës tënd vetëbesim, madje duke e përkrahur dhe respektuar mundin që e jep, e jo vetëm duke i respektuar rezultatet që i rea­lizon.

– Mësoje fëmijën të mendon pozitivisht që të bëhet pozitiv. Shembull, nëse kthehet prej shkolle i përlyer dhe i parregulluar mos e akuzo, por thuaj: Biri im, më duket sot se je kënaqur duke lozur, a nuk është ashtu? Kjo është mirë, por mos e sjell punën që rrobat e tua të përlyen deri në këtë gradë.

– Kalo një pjesë së kohës tënde me çdonjërin prej tyre në veçanti, pa marrë parasysh se a do ta hash drekën me ndonjërin prej tyre jashtë shtëpisë apo do të ushtroni sport së bashku, kryesore është që t’ua mundësosh të ndjejnë se ti e respekton çdonjërin prej tyre.

– Organizo festë për të arriturat ditore të fëmijës. Shembull, shtro një sofër të veçantë për shkak se fëmija yt sot ka arritur sukses të lartë në provim ose për shkak se fëmija tjetër është treguar i suksesshëm në moral, derisa të ndjen secili prej tyre se ti kujdesesh për to dhe i përcjell gjërat me kohë.

– Kyçu me fëmijët në lojë, luaj ndonjëherë futboll me to ose garoni mes vete në vrap, e kështu me radhë.

– Mësoje orarin shkollor të fëmijës tënd, mësoja mësuesin e tij, shokët e tij që mos ta pyesësh kur të kthehet: Çfarë bëtë sot? – Por pyete: Ç’bëre me shokun tënd filanin? Ç’mësuat sot në orën e matematikës? – Kështu që ai të ndjen se ti e përcjell jetën e tij dhe kujdesesh për të.

– Krijo një fjalë të fshehtë ose një shenjë e cila aludon në dashurinë tënde ndaj fëmijës dhe mos ta din askush përveç se ju të dy.

– Nëse kërkon fëmija që të flet me ty, mos fol me atë duke qenë i preokupuar me gjëra të tjerë, por kush­toja tërë vëmendjen tënde atij dhe shikoje në sy kur të flet.

– Shkruaj në fletë të vogël fjalë dashurie ose nxitëse dhe vendose atë anësh mbi krevatin e tij e ti je duke dalë prej shtëpisë, ose vendose në çantën e shkollës që ata të mendojnë se ti mendon për ata edhe kur nuk je prezent në shtëpi.

– Përqafoje fëmijën tënd, puthe dhe thuaj çdo ditë se të dua. Sado që të jetë e tepërt përsëritja e kësaj fjalë ata kanë nevojë për të, qofshin të vegjël apo të rritur, bile qofshin edhe të martuar e kanë fëmijë.

– Nëse vizaton diçka mere vizatimin e tij dhe vendose në një vend të posaçëm të shtëpisë, që ai të ndjen se ti krenohesh me vizatimin e tij.

– Shpik disa mendime të cilat do t’i ushqejnë ndjenjat e mira mes teje dhe tyre, si për shembull hapja e një e-maili të posaçëm ku do t’i shkëmbeni letrat e dashurisë dhe falënderimit mes jush.

– Shfaqe dashurinë që ndjen ndaj fëmijës tënd me vepra, madje duke u kujdesur për mendimin e tij, duke kërkuar këshilla ndonjëherë prej tij, duke ia respektuar ndjenjat, duke ia bërë me dije se edhe ai është anëtar i rëndësishëm në familje, duke ia fal gabimet e sidomos ato të cilat i ka gabuar për shkak mungesës në përvojë dhe duke kërkuar falje prej tij në rast se kemi gabuar dhe kemi qenë të ashpër ndaj tij.

Autor: Sad el Othman

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH