kurani-i-shenjte-metoda-e-studimit

MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

Kjo temë është një dëshirë e imja që mes një përmbledhje përsiatjesh ta komentoj hadithin që e transmeton Othman b. Afani, radijallahu anhu, prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “ Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve” (Shënon Buhariu), duke kërkuar prej Allahut, azze ue xhel, që t’i bëjë dobi atij që e ka shkruar këtë temë dhe atij që e lexon.

Përsiatja e parë: Nga hadithi nënkuptohet se dituritë dallohen mes vete në mirësi dhe meritë.

Përsiatja e dytë: Nga hadithi mësojmë se dituria më e mirë është mësimi i kuptimit të Kur’anit dhe veprimi me atë që e mëson, e jo mësimi i tij përmendësh pa e ditur kuptimin e tij. Thotë Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë: Obligohet të dihet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ua ka sqaruar shokëve të tij kuptimin e Kur’anit sikurse ua ka sqaruar fjalët e tij, dhe fjala e Allahut, azze ue xhel: “Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin)(En-Nahl: 44), i përfshin të dyja kuptimet.

Ka thënë Abdurrahman Sulemi: Na treguan ata të cilët na e lexonin Kur’anin, si Othman b. Afani dhe Abdullah b. Mesudi e të tjerët, se nuk i kalonin dhjetë ajete çka i mësonin me Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, derisa nuk e mësonin kuptimin e tyre dhe nuk punonin me ato ajete. Dhe thanë: Kështu i mësuam të gjitha së bashku, Kur’anin, kuptimin e tij dhe punën me të.

Përsiatja e tretë: Nga hadithi mësohet se bamirësia e mësuesit të Kur’anit dhe atij që e mëson nuk është afatshkurtra dhe e përkufizuar me periudha dhe vende, por ajo është e përhershme, e vazhdueshme në çdo vend dhe çdo periudhë. Ajo është mirëbërësi në këtë botë, në varr dhe në ahiret, dhe këtë e vërteton fjala e Pejgamberit, sal-allahu alejhi ve selem: “Le të jetë imam ai i cili di më së miri leximin e Kur’anit.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxheh)

Vlera e imamit është e lartë dhe respektuese. Prandaj, më meritor për këtë pozitë është ai i cili e njeh më së miri Kur’anin, për shkak vlerës dhe pozitës së lartë që e ka tek Allahu, azze ue xhel, e jo pasaniku për shkak pasurisë që e posedon, pozitës që sundon apo prejardhjes që e ka.

Kurse, argument për bamirësin në varr, e kemi atë që ndodhi në luftën e Uhudit. Numri i dëshmorëve ishte i madh, saqë sahabët e kishin vështirë ta varrosin secilin prej tyre në varr të veçantë. Vendosën t’i varrosin nga dy persona në një varr, por para se t’i varrosnin i pyeste Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, shokët e tij, se cili prej tyre dinte më së tepërmi Kur’an. Për atë që i tregonin se ishte më i dituri i jepte përparësi në varr. (Shënon Buhariu)

Kurse argument për mirëbërësin në ahiret, është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “Lexuesit të Kur’anit kur hyn në Xhenet do t’i thuhet: Lexo dhe ngrihu. Fillon të lexojë dhe për çdo ajet të lexuar ngrihet për një shkallë derisa ta mbarojë leximin”. (Ahmedi)

Me një hadith tjetër transmetohet: “I thuhet lexuesit të Kur’anit : Lexo, ngrihu dhe recito ashtu siç recitove në dynja, se me të vërtet vendbanimi i yt do të jetë aty ku do të përfundosh ajetin e fundit”. (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu)

Prandaj, ti o besimtar kujdesu dhe sakrifikohu që ta arrish këtë bamirësi, por para se të gjithash kërko prej Zotit tënd përkrahje dhe palëkundshmëri, se pa dyshim në fund do të dalësh fitimtar.

Përsiatja e katërt: Nga hadithi mësojmë se përpikëria e vazhdueshme në mësimin e Kur’anit dhe mësimdhënien e tij, kujdesi prej asaj që e njollos dhe e zbeh atë, janë shkaktar për mbijetesën e kësaj bamirësie të madhe.

Hyrën disa persona tek Kirz b. Vebreh të cilin e gjetën duke qarë dhe duke thënë: Asnjëherë nuk kam hasur probleme në leximin e Kur’anit, por sot nuk mundem të lexoj, e kjo është si pasojë e mëkatit tim, të cilin nuk mundem ta zbuloj se ku e kam bërë.

Përsiatja e pestë: Hadithi na mëson se prej fryteve të asaj bamirësie është lehtësimi i nxjerrjes të argumenteve dhe dëshmive prej ajeteve të Kur’anit. Thotë Ebu Abdullah b. Bishr el Katani: Nuk kam parë njeri që më së miri i nxirrte argumentet prej Kur’anit se Ebi Sehl b. Zijad.

Ishte fqinji ynë. Tërë natën e kalonte në namaz dhe lexim të Kur’anit, saqë për shkak leximit të tepërt të Kur’anit, kur fliste i nxirrte argumentet sikur ta kishte Kur’anin para tij të hapur.

Përsiatja e gjashtë: Prej fryteve të asaj bamirësie po ashtu është edhe bekimi në marrjen e diturisë. Porositi dijetari i fikut Ibrahim b. Abdulvahid el Makdesi Abas b. Abdudajmin, duke i thënë: Lexo së tepërmi Kur’an dhe mos e neglizho, se Kur’ani ta lehtëson atë që e kërkon, aq sa ti atë e lexon. Pastaj i tha: E kam vërejtur dhe provuar shumë herë, se kur e lexoja shumë Kur’anin, më lehtësohej të dëgjoj dhe shkruaj sa më shumë hadithe të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kurse kur e neglizhoja ndodhte e kundërta.

Përsiatja e shtatë: Nga hadithi mësojmë se paraqitja e gjurmëve të shëmbëlltyrës në mësuesin e Kur’anit, aludon në fitimin e asaj bamirësie.

I përshkruante imam Dhehebiu Allahu e mëshiroftë, disa prej lexuesve të i cilët i kishte takuar në kohën e tij, prej tyre:

– Ibrahim b. Felah, ishte njeri i devotshëm, i mirë, i respektuar dhe i nderuar, kishte pamje të bukur, e njihte mirë hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kishte merita të shumta, ishte i njohur me drejtësi dhe me fenë e tij.

-Jahja b. Ahmed, ishte njohës i leximeve të Kur’anit, besimtar i mirë, ishte shumë i qetë, modest dhe turpërohej shumë.

-Ahmed b. Mu’min, ishte prej dijetarëve më të dalluar në besim dhe modesti, në merita dhe njohje të leximeve të Kur’anit (kiraete).

Përsiatja e tetë: Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “E ka mësuar Kur’anin dhe ua ka mësuar të tjerëve”, në vete përmban durim dhe përqendrim për mësuesin dhe atij që e mëson Kur’anin. Kjo është prej gjërave që kërkon mund e sakrificë shpirtërore, ku si rezultat i kësaj sakrifice vjen edhe fitorja.

“E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bamirësve.” (El-Ankebut: 69)

I biri i Omerit, Abdullahu, Allahu i mëshiroftë, qëndroi disa vite vetëm në leximin e sures Bekare.

Tha Ebu Bekr b. Ajash: Lexoja Kur’anin tek Asim b. Ebi Nuxhudi dhe më urdhëronte t’i lexoja atij çdo ditë vetëm nga një ajet. Më tha se kjo është më e përshtatshme për ty. Frikohesha se do të vdes hoxha i im dhe nuk do të mund ta mbaroj Kur’anin, prandaj kërkoja prej tij që të lexoj më tepër, që në fund të pranoj që t’i lexoj atij vetëm nga pesë ajete.

Kjo dallon sipas asaj që e sheh mësuesi, se çka është më e dobishme për nxënësin e tij. Allahu i mëshiroftë të parët tanë për ambiciet e tyre të mëdha që i kishin për mësimin e librit të Allahut.

Prej ambiciozëve në mësimin e Kur’anit vlen të përmendet biografia e Muhamed b. Ahmed el Mukrij, i cili qëndroi një kohë të gjatë duke i mësuar ata çka nuk dinin leximin e Kur’anit. Shumë njerëz e mbaruan leximin tek ai duke vazhduar kështu shumë vite me radhë.

Tha el Kadi Ebu el Hasen: Ishte mësues mbi gjashtëdhjetë vite dhe mësoi shumë njerëz.

Prej rrëfimeve të këndshme që rrëfehet për ambicie, durim dhe përqendrim në kërkimin e diturisë, vlen të përmendet atë që e cek Imam Dhehebiu në biografin e Sulejm ibën Ejubit, ku thotë:

“Tha Sehl b. Bishr: Na tregoi Sulejmi se në fëmijërinë e tij kur ishte afro dhjet vjetësh, jetonte në një vend të quajtur R’aj. Një ditë prej ditëve në atë qytet erdhën disa dijetarë, e Sulejmi ishte në xhami duke lexuar Kur’an. Iu afrua njëri prej tyre dhe i tha: Afrohu dhe lexo. Rrëfen Sulejmi dhe thotë: Tentova të lexoj, por në atë moment mu lidh gjuha dhe nuk munda fare të lexoj. Më tha: A ke nënë? I thashë: Po. Tha: Thuaj asaj që të bëjë dua për ty, që Allahu, azze ue xhel, të furnizoj me lexim të Kur’anit dhe me dituri. I thashë se do t’i them, e pastaj u ktheva në shtëpi dhe kërkova prej saj që të bëjë dua për mua. Nëna ime e pranoi kërkesën time dhe bëri dua për mua. Unë pasi që u rrita, e mora rrugën për në Bagdad që të kërkoj dituri, dhe atje e mësova gjuhën arabe dhe fikhun, e pastaj u ktheva në vendlindje.

Një ditë prej ditëve isha në xhami duke e komentuar “Muhtesar el Mizni” (libër i fikhut shafij) erdhi i njëjti dijetar që më tha të kthehem te nëna ime dhe ajo të bëj dua për mua. Na përshëndeti dhe u ul në ndejën tonë, por mua nuk më njihte fare. Dëgjonte duke e komentuar librin, por shihej qartë se nuk kuptonte fare nga ajo çka komentonim. Pastaj, tha i habitur: Kur mësohet ajo që ju e komentoni? Dëshirova ti them: Si të kesh nënë, kthehu tek ajo dhe thuaj që të bën dua për ty, por u turpërova.

Përsiatja e nëntë: Nga hadithi nënkuptohet se në ato vende ku mësohet Kur’ani ka mirësi të shumta dhe argument për saktësinë e asaj çka e thamë është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Ata njerëz që tubohen në shtëpinë e Allahut (xhami), që të lexojnë Librin e Allahut dhe ta studiojnë në mes vete, do t’ju vijë atyre paqja (qetësia) e plotë e Allahut dhe do t’i mbulojë mëshira e Tij dhe melaqet do të kujdesen për sigurimin e tyre e Allahu do t’i lavdërojë tek ata që i ka pranë”. (Ebu Davudi)

Përsiatja e dhjetë: Nga hadithi mësojmë se mësimi i Kur’anit dhe mësimdhënia e tij bëhet në xhami. Të parët tanë e kanë praktikuar këtë metodë dhe e kanë përcjellë brez pas brezi, në çdo kohë dhe vend deri në ditët e sotme.

Thotë Suvejd b. Abdulaziz: Ebu Derda pasi që e falte namazin e drekës në xhamin e Damaskut, i afroheshin njerëzit që t’i lexojnë. Formonte grupe të përbëra prej dhjetë personave dhe çdo grup kishte përgjegjësinë e vetë që i kontrollon. Në rast se gabonte ndonjëri prej grupit drejtoheshin tek përgjegjësi i grupit që ta përmirësoj, kurse në rast se gabonte përgjegjësi i grupit, kthehej tek Ebu Derda që ta përmirësoj. Thotë Suvejdi se ibën Amir ishte përgjegjës i njërit prej grupeve, dhe se ai e zëvendësoi Ebu Derdan pas vdekjes së tij.

Thotë Sam b. Mishkem: Më urdhëroj Ebu Derda që t’i numëroj se sa persona prezantojnë tek ai në xhami. Numri i atyre që i numërove ishte njëmijë e gjashtëqind persona dhe çdo dhjetë prej tyre kishin nga një përgjegjës.

Ebu Derda ishte përgjegjësi kryesor i të gjithëve, dhe kur njëri prej tyre e zotëronte leximin u transferonte tek Ebu Derda Allahu qoftë i kënaqur me të.

Në fund e lus Allahun, azze ue xhel, të na mësojë atë që na sjell dobi dhe të na sjell dobi në atë çka na mësoj dhe të na shtojë diturinë.

Amin

Abdulaziz b. Muhamed b. Abdullah Sed’han

Nga arabishtja: Irfan JAHIU