Poçari nga Gjakova, Luan Qukani, po vazhdon ta mbajë ende gjallë zejen e rrallë të poçarisë, të trashëguar prej paraardhësve të tij.
Ai është gjenerata e katërt që merret me këtë punë që dikur bëhej në mënyrë më primitive, por që tani, përpos punës me dorë, gëzon edhe asistencën e makinave.
Qukani i cili punëtorinë e ka brenda oborrit të shtëpisë ku jeton, në një prej lagjeve në qytetin e Gjakovës, gjithë punët, deri tek produktet finale, i kryen pothuajse me forca vetanake.
Ai furnizohet me argjilë nga Kodra e Qabratit në Gjakovë dhe më pas e shfrytëzon materialin gradualisht duke formuar me to enë të ndryshme për kuzhinë, si tava për gjellë, gota dhe qypa.
“Në moshën 17 vjeçare, pas vdekjes së babit, unë kam pjekur furrën e parë dhe që nga ajo kohë deri më sot nuk jam ndalë. Ne jemi poçarë me katër gjenerata. Pas tre gjeneratave kam filluar unë, gjenerata e katërt. Domethënë, gjithmonë familja jonë është marrë me këtë zanat dhe unë e kam vazhduar deri më sot”, thekson Qukani për Anadolu.
– “Makineria nuk e bënë atë punë që e bënë edhe dora”
Poçari nga Gjakova, i cili e filloi këtë zeje në mënyrë aktive që pas vdekjes së babait, thotë se për paraardhësit e tij kjo punë ishte më e vështirë për t’u bërë.
“Më herët, gjyshi ka punuar më këmbë dhe duar por, tani është shumë më lehtë se më herët. Domethënë, me teknolgjinë e avancuar është shumë më lehtë dhe më herët ka qenë shumë më primitive. Është marrë argjila në kodër, është ngjeshur me duar, është punuar e gjitha me dorë dhe pjekja është bërë me drunj”, thotë ai për Anadolu.
Por, megjithë avancimin e teknologjisë, zejtari thotë se puna e dorës mbetet ajo që ka më shumë vlerë në këtë zanat. Për këtë, ai ende një pjesë të madhe estetike në produktet e tij e punon me duar.
“Sot është shumë më lehtë të punosh me këtë zanat. Por, prapë se prapë, puna e dorës është punë e dorës. Makineria nuk e bënë atë punë që e bënë edhe dora”, shton ai.
Qukani shpreson që punën me këtë zanat ta trashëgojë njëri nga pasardhësit e tij, por kjo mbetet të shihet.
Gjatë viteve të punës ai ka bashkëpunuar dhe vazhdon bashkëpunimin me restorante dhe lokale të ndryshme brenda, por edhe jashtë Kosovës.