Rtv Pendimi
Dija & Daveti Ilaçe për zemrën / Rukja Kuran Probleme shpirtërore & shoqërore

MEDITIMI DHE LEXIMI I KURANIT

  1. Kurani është fjala e Allahut, shpallja e Tij, mesazhi i Tij për krijesat dhe litari i fortë i Allahut.

Kurani është udhëzim, mëshirë, dritë, komunikim, tregues i qartë, dallues (i së vërtetës nga e kota), këshillë, i përsosur në urtësitë e tij.

Allahu thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus: 57)

“Ky Kuran është tregues i qartë, udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që kanë besim të patundur.” (El-Xhathije: 20)

“O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani).” (En-Nisa: 174)

“I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.” (El-Furkan: 1)

“Këto që po t’i tregojmë ty (o Muhamed) janë vargje dhe këshilla të larta (nga Kurani).” (Ali Imran: 58)

  1. Mrekullitë e Kuranit nuk marrin fund dhe dijetarët nuk ngopen nga të studiuarit e tij. Ai që e lexon Kuranin, Allahu ia mëson dijen e të parëve dhe të fundmëve. Kush flet me të, e thotë të vërtetën, kush punon me të, shpërblehet, kush gjykon me të, nuk bën padrejtësi, kush e dëgjon atë, përfiton, kush thërret në të, udhëzohet në rrugë të drejtë, kush e pason rrugën e tij, nuk do të humbë dhe nuk do të bjerë në mjerim: “…Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Ta Ha: 123)

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në komentin e këtij ajeti thotë: “Nuk do të humbë në dynja dhe nuk do të bjerë në mjerim në ahiret.”[1]

  1. Leximi i Kuranit, të mësuarit e tij për vete dhe të mësuarit e tij dikujt tjetër, nxënia përmendsh për vete dhe të mësuarit përmendsh dikujt, të mësuarit dhe përsëritja e tij së bashku me dikë, janë vepra më e shtrenjtë dhe më e ndershme që për të koha harxhohet dhe pasuria shpenzohet. Të lartpërmendurat janë si kurora mbi kokë dhe si dielli për dynjanë. Ata që e mësojnë Kuranin për vete dhe ia mësojnë dikujt, janë më të mirët e njerëzve. Ata që angazhohen ta mësojnë përmendsh, ta studiojnë, ta kuptojnë dhe ta meditojnë, janë miqtë e Allahut dhe të veçuarit e Tij.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Më i miri në mesin tuaj është ai që e mëson Kuranin dhe të tjerëve ua mëson atë.”[2]

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin  për të, thotë: “Allahu ka miq nga njerëzit.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut! Cilët janë ata?!” Tha: “Ata janë hafizët (shoqëruesit) e Kuranit, ata janë miqtë e Allahut dhe të veçuarit e Tij.”[3]

  1. Mjafton për hafizët (shoqëruesit e Kuranit) si mburrje dhe nder që zbret qetësia mbi ta në mexhliset e tyre, i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai. A ka mirësi më të madhe se kjo?

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur mblidhen njerëzit në shtëpitë e Allahut, e lexojnë Kuranin dhe e mësojnë së bashku me njëri-tjetrin, vetëm se mbi ta zbret qetësia, i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”[4]

  1. Mjafton për hafizët (shoqëruesit e Kuranit) si mburrje që Allahu e ngre emrin dhe namin e tyre, siç u përmend në hadith: “Allahu me këtë libër (Kuranin) i ngre disa popuj dhe i ul disa të tjerë.”[5]
  2. Shpërfillja e Kuranit është disa llojesh:

Lloji i parë: Mosbesimi i tij dhe fakteve që gjenden në të, siç është gjendja e idhujtarëve dhe e hipokritëve.

Lloji i dytë:  Shpërfillja e leximit dhe dëgjimit të tij, moskushtimi i vëmendjes dhe dhënia përparësi fjalëve të njerëzve mbi të, si: poezive, muzikës, zbavitjes, llomotitjeve etj.

Lloji i tretë: Shpërfillja e të punuarit me të, mosndalja tek e lejuara dhe e ndaluara e tij, moszbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat e tij, edhe nëse e lexon dhe i beson atij.

Lloji i katërt: Shpërfillja e gjykimit dhe të gjykuarit me të në bazat e fesë dhe degët e tij, besimi që Kurani nuk jep njohuri bindëse dhe nuk arrihet dija me argumentet e tij tekstuale.

Lloji i pestë: Shpërfillja e meditimit, kuptimit, njohjes, komentit dhe qëllimeve të tij.

Lloji i gjashtë: Shpërfillja e kërkimit të kurimit dhe të kuruarit me të për të gjitha sëmundjet dhe zararet e zemrës. Kurimi i tyre kërkohet diku tjetër, duke shkuar te magjistarët, fallxhorët e të ngjashmit me ta dhe shpërfillet kurimi me Kuran.

E gjithë kjo bën pjesë në fjalët e Allahut: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”.” (El-Furkan: 30); megjithatë llojet e shpërfilljes dallojnë në mes vete, disa lloje janë më të lehta se disa të tjera.[6]

  1. Myslimani i ikën shpërfilljes së Kuranit, nëse ia kushton një pjesë të kohës së tij leximit të Kuranit, angazhohet me të, i mediton fjalët dhe i kupton dispozitat e tij, punon me të, gjykon me të në çdo punë të vogël dhe të madhe, e kërkon në të ilaçin e sëmundjeve të zemrës së tij, e kërkon në të ilaçin e sëmundjeve trupore me leximin e ajeteve të tij. I suksesshëm dhe me fat është ai që Allahu i jep mbarësi, i ndihmon dhe e drejton atë.
  2. Leximi i Kuranit është tregti fitimprurëse që nuk prishet dhe nuk shkatërrohet. Ai është tregtia më e mirë, më e lartë dhe më me vlerë. Leximi i tij ta mundëson kënaqësinë e Allahut, fitimin e shpërblimit të Tij, shpëtimin nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, ashtu siç Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që e lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” (Fatir: 29-30)
  3. Nga mirësitë e leximit të Kuranit është se lexuesit ia shton të mirat. Lexuesi i Kuranit për çdo shkronjë që e lexon e fiton nga një të mirë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Për çdo shkronjë që e lexon nga libri i Allahut, shpërblehesh me nga një të mirë dhe e mira shumëfishohet deri në dhjetë. Nuk po them ‘elif-lam-mim’ një shkronjë, por ‘elif’ është një shkronjë, ‘lam’ është një shkronjë dhe ‘mim’ është një shkronjë.”[7]
  4. Nga mirësitë e leximit të Kuranit është se ai ndërmjetëson për lexuesin e tij në Ditën e Kiametit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Lexojeni Kuranin, sepse ai do të ndërmjetësojë në Ditën e Kiametit për atë që e lexon. Lexoni dy dritat që shkëlqejnë, suren El-Bekare dhe suren Ali Imran, sepse ato do të vijnë në Ditën e Kiametit si dy re, ose si dy hije që qëndrojnë mbi kokë, ose si dy tufa zogjsh të rreshtuar, dhe do ta mbrojnë (nga zjarri i Xhehenemit) atë që i lexon ato.”[8]

Me një hadith tjetër: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kiametit. Agjërimi do të thotë: ‘O Zot, gjatë ditës e privova nga ushqimi dhe epshet, më jep leje të ndërmjetësoj për të.’ Kurani do të thotë: ‘O Zot, gjatë natës e privova nga gjumi, më jep leje të ndërmjetësoj për të.’ Tha: ‘Kështu do t’u jepet leje të ndërmjetësojnë.”[9]

  1. Nga mirësitë e leximit të Kuranit është se ai që e lexon rrjedhshëm është me melekët e ndershëm. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Ai që e lexon Kuranin bukur (rrjedhshëm pa vështirësi) është me shënuesit (melekët) e ndershëm, ndërsa ai që e lexon Kuranin me vështirësi, i ka dy shpërblime.”[10]
  2. Nga mirësitë e leximit dhe nxënies përmendsh të Kuranit është se hafëzit (shoqëruesit të Kuranit) i ngrihen shkallët në Xhenet. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Hafëzit të Kuranit do t’i thuhet, lexo dhe ngjitu lart në Xhenet. Lexo Kuran sikur që e lexoje në dynja, sepse vendi yt në Xhenet do të jetë tek ajeti i fundit që do ta lexosh.”[11]
  3. Leximi i Kuranit dhe mësimi i tij është më i mirë se thesaret e dynjasë.

Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ishim duke qëndruar në ‘es-suffa’[12] dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, doli jashtë e na tha: “Kush nga ju dëshiron që për çdo ditë në mëngjes herët të shkojë deri në But’han ose deri në El-Akik[13] dhe prej aty të vijë me dy deve me gunga të mëdha, pa bërë gjynah dhe duke mos i shkëputur lidhjet farefisnore?” I thamë: ‘O i Dërguari i Allahut, të gjithë e duam këtë.’ Tha: “Të shkojë ndokush nga ju në xhami dhe t’i mësojë ose t’i lexojë dy ajete nga libri i Allahut, është më e mirë për të se dy deve, tri (ajete) janë më të mira se tri deve, katër (ajete) janë më të mira se katër deve. Sado që të jetë numri i ajeteve, çdoherë janë më të mirë se numri i deveve.”[14]

  1. Besimtari që e lexon Kuranin dhe punon me të, pamjen e jashtme dhe brendësinë e tij e ka të mirë.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Shembulli i besimtarit që e lexon Kuranin është si shembull i qitros, me shije të mirë dhe me erë të këndshme.

Shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin është si shembulli i hurmës, me shije të ëmbël, por pa erë.

Shembulli i hipokritit që e lexon Kuranin është si shembulli i borzilokut, me erë të këndshme e me shije të hidhur.

Shembulli i hipokritit që nuk e lexon Kuranin është si shembulli i kungullit të egër, me shije të hidhur dhe pa erë.”[15]

  1. Leximi i Kuranit dhe puna me të është begati e madhe, myslimanët njëri me tjetrin duhet që të garojnë në këtë fushë.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Zilia nuk lejohet përveç në dy raste: T’ia kesh zili një njeriut që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës, e kur e dëgjon fqinji i tij thotë: ah, sikur të më ishte dhënë edhe mua kjo dhunti sikurse iu dha filanit dhe të punoja me të sikurse punon ai. Dhe t’ia kesh zili një njeriut që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë, e tjetri kur e sheh veprimtarinë e tij thotë: ah, sikur të më ishte dhënë edhe mua pasuria sikurse iu dha filanit dhe të punoja sikurse punon ai.”[16]

Zilia e përmendur në këtë hadith nuk e ka për qëllim zilinë që ndalohet, sepse ai lakmon t’i posedojë ato begati sikurse tjetri dhe të veprojë me to sikurse vepron tjetri, por nuk e dëshiron largimin e tyre prej pronarit. Zilia e cila ndalohet është ajo kur njeriu dëshiron largimin e begative nga tjetri dhe zhdukjen e tyre. Kjo lloj zilie është e pëlqyer në fushën e ibadetit. Kuptimi i përgjithshëm është që nuk ka zili që pëlqehet, përveç këtyre dy cilësive dhe të ngjashmeve me to në kuptim.[17]

  1. Kush e mëson Kuranin përmendsh dhe punon me të, Allahu e ruan nga ndëshkimi dhe ia ngre gradën në Xhenet. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nëse Kurani vendoset në zemrën e njeriu, e pastaj ai (njeriu) hidhet në zjarr, nuk do ta djegë zjarri atë.”[18]

Hadithi nënkupton që, nëse Kurani vendoset në zemrën e njeriut, pra do të thotë që e mëson atë përmendsh, shpresohet që të mos e prekë zjarri i Xhehenemit. Prandaj, ai që Kuranin e mëson përmendsh dhe e lexon atë, nuk do ta prekë zjarri në Ditën e Kiametit.[19]

  1. Nga rregullat e leximit të Kuranit është që myslimani ta lexojë me abdes, (pëlqehet) të kthehet në drejtim të Kibles, në vend të pastër, ta përdorë misvakun para se të fillojë me lexim, të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar (të thotë eudhubil-lahi mine shejtani rraxhim) dhe të fillojë me bismilah.

Pëlqehet që Kuranin ta lexojë rrjedhshëm dhe ngadalë që kjo t’i ndihmojë në kuptimin dhe përsiatjen e tij, të kujdeset për rregullat e texhvidit dhe të leximit, ta zbukurojë zërin gjatë leximit, të mos e ngrejë zërin shumë e as të mos e u ulë shumë, por niveli i zërit të jetë mesatar.

Gjatë leximit të ndalet te kuptimi i ajeteve, t’i lexojë me përulje, t’i rrënqethet lëkura gjatë dëgjimit të tyre dhe t’i lotojnë sytë nga ndikimi i tyre në zemrën e tij.

Gjatë leximit të ndalet tek ajetet dhe t’i meditojë; kur të kalojë tek ajeti ku përmendet lavdërimi i Allahut, pëlqehet të thotë subhanallah, kur të kalojë tek ajeti ku përmendet mëshira, pëlqehet të ndalet dhe të kërkojë mirësinë nga Allahu. Kur të kalojë tek ajeti ku kërkohet mbrojtje ose tek ajeti ku përmendet ndëshkimi i Allahut, pëlqehet ta kërkojë mbrojtjen e Allahut. Tek ajetet ku përmenden begatitë e Allahut dhe Xheneti, pëlqehet t’i kërkojë ato nga Allahu, ndërsa tek ajetet e ndëshkimit dhe zjarrit pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.

Pëlqehet që të lexojë herë nga Mus’hafi e herë nga hifzi i tij, e herë pas here pëlqehet të lexojë nga Mus’hafi dhe hifzi duke i bërë bashkë të dyja mirësitë.

  1. Meditim i Kuranit do të thotë njohja e kuptimeve të fjalëve të tij, përsiatja e kuptimeve dhe qëllimeve të ajeteve, të menduarit rreth asaj që aludon ai, bërja dobi zemrës me këshillat dhe lajmet e tij, përulja ndaj urdhrave dhe ndalesave të tij.
  2. Mënyra e meditimit të Kuranit është që lexuesi ta angazhojë zemrën duke u thelluar në mendime për kuptimin e fjalëve që i lexon dhe në këtë mënyrë t’i qartësohet kuptimi i çdo ajeti, të thellohet në kuptimin e urdhrave dhe ndalesave në Kuran, duke shpresuar në pranimin e kësaj vepre të tij tek Allahu. Nëse më herët ka pasur mangësi në raport me Kuranin dhe meditimin e tij, le të kërkojë falje dhe le të pendohet. Kur të kalojë në ajetin e mëshirës, le të përgëzohet dhe le të kërkojë që Allahu ta mëshirojë, kur të kalojë në ajetin e ndëshkimit, le të ndiejë keqardhje dhe le ta kërkojë mbrojtjen nga ndëshkimi, kur të kalojë në ajetin e shenjtërimit të Allahut, le ta shenjtërojë dhe madhështojë, kur të kalojë në ajetin e duasë dhe lutjes, le të përulet dhe le të kërkojë.[20]

Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Në kohën tonë kur i mësonim dhjetë ajete, nuk i tejkalonim ato derisa nuk e mësonim kuptimin e tyre dhe nuk punonim me to.”[21]

Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kush e lexon Kuranin e pastaj nuk ia mëson kuptimin, është sikur i huaji (joarab) ose sikur earabiu (nomadi që nuk arrin ta kuptojë Kuranin sh.p.).”[22]

  1. Meditimi i Kuranit është qëllimi kryesor i zbritjes së Kuranit dhe meditimi është më i nevojshëm se leximi i tij. Kurani nuk zbriti vetëm për ta lexuar duke mos e kuptuar dhe medituar atë. Me meditimin e tij gjoksi zgjerohet dhe zemra ndriçohet.

Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad: 29)

Dhe thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed: 24)

Dhe thotë: “Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?” (El-Muminun: 68)

Dhe thotë: “Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.” (Ez-Zuhruf: 3)

  1. Allahu qorton për lënien e meditimit të Kuranit.

Allahu thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed: 24)

Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, në komentin e ajetit thotë: “Është e ditur se çdonjëri i cili nuk angazhohet me meditimin e ajeteve të Kuranit të Madhërishëm, me shfletimin dhe kuptimin e tyre, njohjen më thelbësore të tyre dhe të punuarit me to, llogaritet që ia kthen shpinën dhe është prej atyre që nuk e meditojnë Kuranin. Nëse Allahu ia ka dhënë dijen dhe kuptimin që t’i meditojë ajetet, por ai nuk e bën këtë, e meriton qortimin dhe kërcënimin e përmendur në ajete. Ajetet e përmendura aludojnë që meditimi i Kuranit, kuptimi, mësimi dhe të punuarit me të, është çështje që myslimanët patjetër duhet ta veprojnë.”[23]

  1. Shpërfillja e meditimit, e kuptimit dhe e njohjes së qëllimeve të Kuranit është nga lloji i shpërfilljes së tij dhe bën pjesë në fjalët e Allahut: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer.” (El-Furkan: 30)
  2. Meditimi i Kuranit është nga dashamirësia për Librin e Allahut.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Feja është dashamirësi (këshillë)!” I thamë, për kë o i Dërguar i Allahut? Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e myslimanëve dhe myslimanët në përgjithësi.”[24]

Dashamirësia për Librin e Tij nënkupton dashurinë e madhe për të, madhërimin e vlerës së tij, ngase është fjala e Allahut, të lexuarit e drejtë të tij, dëshirën e madhe për ta kuptuar dhe përkujdesjen e madhe për ta medituar, kuptimi i qëllimeve të tij, respektimin e këshillave të tij, meditimi i dispozitave të tij, të punuarit me urdhrat që i urdhëron dhe largimin nga ndalesat që ai i ndalon.”[25]

  1. Leximi i Kuranit shkurt, por me meditim, është më i mirë se leximi i Kuranit gjatë, por pa meditim.

Një njeri kur e takoi Ibën Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha: “Kuranin e lexoj shumë shpejt derisa e përfundoj për tri ditë! Ibën Abasi i tha: “Ta lexoj suren Bekare për një natë, me meditim dhe lexim të rrjedhshëm, për mua është më e dashur se të lexojë si thua ti.”[26]

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Leximi i një ajeti me meditim dhe përsiatje është më i mirë sesa ta bësh hatme Kuranin pa meditim. Leximi me meditim është më i dobishëm për zemrën, e rrit imanin dhe e mundëson shijimin e ëmbëlsisë së Kuranit. Kjo ishte tradita e gjeneratave të para, prej tyre kishte që një ajet e përsëriste deri në mëngjes.”[27]

Po ashtu thotë: “Leximi i një surje me meditim, me dije dhe me kuptim të thellë, me zemër dhe me përkushtim, është më e dashur tek Allahu sesa të bësh hatme me lexim të shpejtë, edhe pse fitohen shumë shpërblime për këtë lexim.

Edhe dy rekate të namazit kur robi i fal me përulje në zemër dhe në gjymtyrë, me përkushtim të plotë për Allahun, janë më të dashura tek Allahu sesa dyqind rekate pa përulje dhe pa përkushtim, edhe pse fitohen shumë shpërblime me faljen e shumë rekateve.”[28]

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Leximi shkurt dhe me meditim, është më i mirë sesa leximi i gjatë dhe pa meditim. Argumentet janë të qarta për sahabët se kështu vepronin.”[29]

Prandaj Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Lexojeni Kuranin dhe me të lëvizni zemrat. Nuk duhet që brenga juaj të jetë që sa më shpejt të arrini te fundi i sures.”[30]

  1. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka gjë më të dobishme për zemrën se leximi i Kuranit me meditim dhe përsiatje. Kjo i përmbledh të gjitha shkallët e atyre që janë nisur drejt Allahut, gjendjet e atyre që punojnë për Allahun dhe gradat e atyre që e njohin Allahun. Kjo e mbjell dashurinë, përmallimin, frikën, shpresën, kthimin drejt Allahut, mbështetjen, kënaqësinë, mbështetjen e çështjeve Allahut, falënderimin, durimin dhe të gjitha gjendjet që me to zemra ngjallet dhe plotësohet. Leximi i Kuranit me meditim njëkohësisht e mbron zemrën nga të gjitha cilësitë dhe veprat e qortuara që mund ta dëmtojnë dhe ta prishin atë.

Po ta dinin njerëzit vlerën e leximit të Kuranit me meditim, do të angazhoheshin me të dhe do t’i braktisnin të gjitha të tjerat.

Nëse Kuranin e lexon me meditim dhe kalon tek ajeti që zemrës sate i nevojitet për shërim, përsërite ajetin qoftë edhe njëqind herë ose tërë natën! Leximi i një ajeti me meditim dhe përsiatje është më i mirë sesa të bësh një hatme pa meditim.”[31]

  1. Nga shkaqet që ndihmojnë në meditimin e Kuranit është ta ndiesh madhështinë e Kuranit dhe se ai është fjala e Allahut dhe mesazhi i Tij për krijesat.

El-Hasan ibën Ali, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcillet që ka thënë: “Ata që ishin para jush Kuranin e shihnin mesazhe nga Zoti i tyre; i meditonin ato gjatë natës dhe kujdeseshin për to gjatë ditës.”[32]

Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Kur të dëgjosh që Allahu po thotë: “O besimtarë”; vërja veshin dhe dëgjoje mirë, sepse pas këtyre fjalëve Allahu urdhëron për ndonjë hair të punohet me të, ose paralajmëron për ndonjë sherr, që duhet të largohet prej tij.”[33]

Nëse kërkon udhëzim, meditoje Kuranin,

sepse dija është brenda meditimit të Kuranit.

  1. Nga shkaqet që ndihmojnë në meditimin e Kuranit është mosngutja dhe qetësia në lexim.

Kjo ndihmon për kuptimin dhe meditimin e Kuranit. Allahu thotë: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” (El-Isra: 106)

Do të thotë me qetësi dhe pa u ngutur, që ata ta meditojnë dhe të mendojnë për kuptimet e tij, të nxjerrin nga ajetet dijen dhe shkencat e tij.[34]

Hudhejfe, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Një ditë u fala me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe në rekatin e parë e lexoi suren El-Bekare. Në vete thashë se kur t’i lexojë njëqind ajete do të bjerë në ruku, por vazhdoi dhe nuk u ndal. Pastaj thashë se do ta lexojë krejt suren El-Bekare në një rekat, por nuk u ndal dhe vazhdoi me lexim. Pas sures El-Bekare filloi me leximin e sures En-Nisa derisa e përfundoi. Pastaj filloi me leximin e sures Ali Imran derisa e përfundoi. Lexonte në namaz ngadalë dhe rrjedhshëm. Kur kalonte tek ajeti ku kishte tesbih bënte tesbih (thoshte subhanallah), kur kalonte tek ajeti me lutje, i lutej Allahut, kur kalonte tek ajeti ku kërkohej mbrojtje, kërkonte mbrojtje nga Allahu.”[35]

Një njeri i tha Ibën Abasit: “Kuranin e lexoj një ose dy herë për një natë!” Ibën Abasi iu përgjigj: “Për mua më e dashur është që brenda një nate ta lexoj vetëm një sure dhe jo të lexoj sikurse ti. Por, nëse e ke patjetër të lexosh ashtu, atëherë lexo me lexim që veshi yt e dëgjon dhe zemra jote e kupton.”[36]

  1. Nga shkaqet e mëdha që ndihmojnë në meditimin e Kuranit është leximi në librat e tefsirit të Kuranit, përdorimi i tyre me konsekuencë, transferimi i fjalëve të tefsirit shkurtimisht dhe shënimi i tyre anash ose në fusnotë të fletëve të Mus’hafit, që gjatë leximit të Kuranit të lexohet edhe komenti i ajeteve.
  2. Nga shkaqet që ndihmojnë në meditimin e Kuranit është që zemra të jetë e pranishme dhe e vëmendshme gjatë leximit.

Imam Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse dëshiron që të përfitosh nga Kurani, mblidhe zemrën tënde gjatë leximit dhe dëgjimit të tij. Allahu thotë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf: 37)

Ndikimi i plotë vjen atëherë kur ndalesh te faktori ndikues, vendi i zgjidhjes, kushti për arritjen e ndikimit dhe largimin e pengesës; ajeti i përmban të gjitha këto:

– Fjala e Allahut: “Vërtet, këtu ka këshillë”; është faktori ndikues.

– “për këdo që ka zemër”; është vendi i zgjidhjes.

– “dëgjon me vëmendje”; do të thotë e drejtoi dëgjimin e tij dhe dëgjoi me vëmendje.

– “dhe dëshmon”; do të thotë është dëshmues i zemrës dhe nuk është i shkujdesur dhe neglizhent. Ky është treguesi i pengesës që e pengon arritjen e ndikimit, e ajo është zemra e shkujdesur.”[37]

  1. Po ashtu, nga shkaqet që ndihmojnë në meditimin e Kuranit është mësimi i Kuranit bashkërisht me të tjerët në ndejat e dijes dhe përsëritja e ajetit më shumë se një herë.

Si dhe bashkëveprimi me ajetet; kur kalon tek ajeti ku ka tesbih (lavdërim të Allahut), e lavdëron Allahun (duke thënë subhanallah), kur kalon te ajeti i mëshirës e kërkon atë, kur kalon tek ajeti i ndëshkimit, e lut Allahun për mbrojtje nga ndëshkimi.

Leximi i Kuranit në namazin e natës më shumë e koncentron mendjen, si dhe më fort merren vesh dhe bien në ujdi zemra me gjuhën.

  1. Nga shkaqet që e pengojnë njeriun në meditimin e Kuranit janë gjynahet, në veçanti mendjemadhësia, pasimi i epshit, marrja me risi, pastaj angazhimi i zemrës (me gjëra të tjera jashtë Kuranit) dhe shkujdesja e saj, moskuptimi i fjalëve dhe kuptimeve të tij, ngutja gjatë leximit dhe leximi i shpejtë i tij.

Lum për atë që e mëson Kuranin përmendsh në gjoksin (në zemrën) e tij,

e shkëlqen sikurse ylli ndriçues.

Allahu ekber (Allahu është më i Madhi), sa begati e madhe!

Atëherë kur (hafëzit) i thuhet lexo dhe ngrihu!

Dhe Kurani shfaqet në moralin dhe veprat e tij,

dhe zemra lidhet për të.

E lexon në errësirën e natës me meditim,

kurse lotët i rrjedhin nëpër qerpikët e syrit.

Këto janë cilësitë e vërteta të atyre që e mësojnë përmendsh (hafëzëve) Kuranin,

andaj me cilësitë e tyre, cilësohu.

E lusim Allahun që të na bëjë nga ithtarët e Kuranit, të cilët e kuptojnë, punojnë me dispozitat e tij, i meditojnë ajetet e tij, i respektojnë kufijtë e tij. Amin.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

[1] Tefsir Et-Taberij (16/191), Ibën Kethir (5/322).

[2] Buhariu (5027).

[3] Ibën Maxhe (215), hadithi është edhe në Sahih El-Xhami’ (2165).

[4] Muslimi (2699).

[5] Muslimi (817).

[6] Shih: El-Fevaid, Ibën El-Kajim (fq.82).

[7] Tirmidhiu (2910), hadithi është në Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib (1416).

[8] Muslimi (804).

[9] Imam Ahmedi (6589), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (3882).

[10] Buhariu (4937), Muslimi (798).

[11] Ebu Davudi (1464), Tirmidhiu (2914), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (8122).

[12] Vend në xhami ku strehoheshin nevojtarët, të huajt që nuk kishin familje dhe vendbanim. (sh.p.)

[13] Janë dy vende më afër Medinës që kishte treg për shitblerjen e deveve. (sh.p.)

[14] Muslimi (803).

[15] Buhariu (5020), Muslimi (797).

[16] Buhariu (5026) nga hadithi i Ebu Hurejrës, (7529), Muslimi (815), nga hadithi i Ibën Omerit.

[17] Shih: Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (6/97).

[18] Imam Ahmed (17365), shejh Albani e vlerësoi të mirë në Es-Sahiha (3562).

[19] Sherh Es-Suneh, El-Bagavij (4/337).

[20] El-Itkan fi ulumil Kuran, Es-Sujutij (1/369).

[21] Tefsir Et-Taberij (1/74).

[22] Tefsir Et-Taberij (1/80).

[23] Edvau El-Bejan (7/257).

[24] Muslimi (55).0.

[25] Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (2/38), Xhamiul Ulumi uel Hikemi, Ibën Rexheb (1/221).

[26] Fadail El-Kuran, Ebu Ubejd (fq. 157).

[27] Miftah Darus Seadeh (1/535).

[28] El-Minar El-Munif fi Es-Sahih ue Ed-Daif (fq. 29).

[29] Mexhmual Fetava (5/334).

[30] Shuabul Iman, El-Bejhakij (3/408).

[31] Miftah Darus Seadeh (1/535).

[32] Et-Tibjan fi adabi hameleti Kuran, imam Neveviu (fq. 54).

[33] Tefsir Ibën Ebu Hatim (3/718).

[34] Tefsir Et-Taberij (17/575), Tefsir Ibën Kethir (3/85), Tefsir Es-Sadij (fq. 468).

[35] Muslimi (772).

[36] Sunnen Seid ibën Mensur (161- Et-Tefsir).

[37] El-Fevaid, Ibën El-Kajim (fq. 3).

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

Të ngjajshme

MIQËSIA ËSHTË JETË

Irfan Jahiu

MOS U MËRZIT NGA KURTHET E NJERËZVE

Irfan Jahiu

NAMAZI, POROSIA E ALLAHUT PËR PEJGAMBERËT E TIJ!!

Irfan Jahiu

STINA E DIMRIT DHE MES’HU MBI MESTE

Irfan Jahiu

PROVIMET

Irfan Jahiu

MUAJI SEFER – RREGULLA DHE DOBI

Irfan Jahiu

EKLIPSI I DIELLIT DHE EKLIPSI I HËNËS

Irfan Jahiu

NAMAZI I KËRKIMIT TË SHIUT (EL ISTISKAJA)

Irfan Jahiu

SEXHDJA E HARRESËS (SEVI SEXHDJA)

Irfan Jahiu

* Nëse radiot nuk funksionojnë, Kliko KËTU