duke_u_falur

MEDRESEJA E NATËS

Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë”. (El-Muzemil: 1-5)

Ky mesazh iu dedikua të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, që ta përgatit veten për një fjalë madhështore dhe porosi të rëndë dhe përgatitja e tij të fillojë prej medresesë së natës e cila i hap zemrat, i forcon lidhjet me Allahun dhe ndriçon me dritë.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte më i dituri prej njerëzve për Allahun, më i devotshmi, vetmohej dhe e përmendte shumë Zotin e tij, çdo herë që i jepej mundësia e adhuronte Krijuesin e tij, kur afrohej nata i drejtohej të adhuruarit të tij, me lutje e dua, duke iu përulur Atij në këmbë, ulur e në sexhde, derisa afrohej agimi e ai nuk ndjente aspak lodhje prej qëndrimit të gjatë në këmbë. Si të ndjen lodhje kur vetmohej me Allahun, me Sundimtarin e botëve dhe qiejve, Atij i drejtohej për nevojat e veta, ndjente kënaqësi në adhurimin e Tij, dhe Atij i drejtohej me zemrën dhe trupin e tij: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”. (Es-Sexhde: 16-17)

Hasan el Basriut, Allahu e mëshiroftë, iu parashtrua një pyetje se pse njerëzit që falen natën janë me fytyrë më të mirë? U përgjigj: “Për shkak se ata u vetmuan me Allahun dhe Ai zbriti mbi ta dritën e Tij dhe i stolisi me të”.

O robër të Allahut, namazi i natës është adhurim që e lidh zemrën e njeriut për Allahun, e bën zemrën të fortë që t’i përballojë sprovat kalimtare të jetës, të mund nefsin në çastet kur zërat nuk dëgjohen, kur sytë flenë dhe kur ata që janë në gjumë rrotullohen nëpër shtretër. Kjo është arsyeja që namazi i natës është masë e synimit dhe vullnetit të sinqertë dhe virtyt i shpirtrave të mëdhenj. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)”. (Edh-Dharijat: 17-18)

Sa të shumta janë dobitë që i merr robi i Allahut prej namazit të natës për ta edukuar veten dhe për ta përmirësuar gjendjen e tij. Prej fryteve më të rëndësishme që i jep ky namaz është kultivimi i sinqeritetit dhe realizimi i pasimit, duke e ndjekur të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, i cili falte namaz nate deri sa ju ënjteshin këmbët e tij. Kush e përsiat Kur’anin kur njerëzit flenë do t’i vërejë mangësitë e tij dhe do të pendohet për ato mangësi, kush e përmend Allahun në vetmi dhe i mbushën sytë me lot do ta ringjall Allahu nën hijen e Arshit të Tij, ditë ku nuk ka hije përveç hijes së Tij dhe nuk ka falje e mëshirë përveç faljes dhe mëshirës së Tij.

O robër të Allahut, namazi i natës mbjell devotshmëri, dhikri i tij mbjell ëmbëlsi, ndërsa në zemër derdh kënaqësi, qetësi dhe dritë. Për këtë arsye një prej selefit thonte: “Banorët e natës (i ka për qëllim ata që falin namaz nate) ndjejnë më shumë kënaqësi në namazin e natës së tyre, se ata që janë dhënë pas dëfrimit në dëfrimin e tyre”.

Po ashtu, namazi i natës zemrës i dhuron butësi dhe dritë. Ata el Horasani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thuhet se namazi i natës është jetë për trupin, dritë në zemër, shkëlqim në sy dhe fuqi në gjymtyrë. Njeriu nëse ngrihet dhe fal namaz nate në mëngjes ngrihet i lumtur dhe atë lumturi e gjen në zemrën e tij, e nëse natën flenë dhe nuk falë namaz nate kur ngrihet në mëngjes ngrihet i pikëlluar e me zemër të thyer, sikurse të kishte humbur diçka dhe me të vërtetë ai i ka humbur gjërat që më shumti bëjnë dobi”.

Vëllai im musliman, Zoti yt çuditet prej atij që ngrihet për të falur namaz nate. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: “O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz dhe e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë”.

Kush dëshiron nder e lartësim le ta fal namazin e natës vazhdimisht dhe mos ta lë atë, sepse Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thoshte: “Dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës”.

Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, sebep që të afron kah Allahu, shkak për faljen e mëkateve, ndalimin e të keqes dhe largimin e sëmundjeve prej trupit ashtu siç e përmend edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit”.

Namazi i natës është shkak për ngritjen e gradave dhe derë e madhe prej dyerve të mirësisë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha Muadh ibën Xhebelit: A nuk dëshiron të drejtoj kah dyert e mirësisë? Agjërimi është mburojë (nga zjarri i Xhehenemit). Lëmosha e shuan mëkatin ashtu sikur e shuan uji zjarrin. Namazi i njeriut në fillimin e së fundit të natës është simboli i njerëzve të mirë.” Pastaj lexoi i Dërguari, alejhi salatu ue selam, ajetet e Kur’anit: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” (Es-Sexhde: 16-17)

Muslimani kur largohet prej shtratit të tij në pjesën më të errët të natës dhe merr abdes me ujë të ftohët, pastaj qëndron para Allahut duke e thirrur e duke u lutur në namaz, atëherë Allahu atë e përmend, krenohet para melaqeve me të, e dëgjon pendimin dhe istigfarin e tij, e dëgjon lartësimin dhe madhështimin e Tij në kohë kur njerëzit e tjerë flenë, ndërsa Zoti i njerëzve dhe Krijuesi i tyre nuk fle dhe nuk është i shkujdesur, por thotë: “A ka prej atyre që kërkojnë pendim që t’ua fali atyre”.

Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë për çdo natë pasi të mbetet një e treta e fundit të natës dhe i përgjigjet thirrjes së thirrësit, ia plotëson nevojën nevojtarit dhe ia fal gjynahet mëkatarit. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Zbret Allahu i Lartësuar në gjysmën e natës apo në një të tretën e fundit prej saj dhe thotë: “Unë jam Sundimtari. Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’ia jap? Kush kërkon falje që ta fal atë? Kështu derisa të hyjë sabahu apo të mbarojë namazi i sabahut”.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, duke thënë: “Vërtet gjatë natës ka një moment që nuk ia qëllon njeriu musliman duke iu lutur Allahut nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër vetëm se Allahu i përgjigjet dhe kjo për çdo natë”.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, kur e përmendi Xhenetin tha: “Në Xhenet ka dhoma ku pjesa e jashtme e saj shihet prej brenda dhe pjesa e brendshme e saj shihet prej jashtë.” Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha për cilin janë përgatitur ato, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Allahu i ka përgatitur ato për atë që ndan ushqim, flet fjalë të buta, agjëron ditën dhe falet natën kur të tjerët janë në gjumë”.

Një njeri i kishte thënë Hasan el Basriut: “O Ebu Seid! Unë bie të fle shëndosh e mirë dhe dëshiroj të fali namazin e natës dhe të përgatitem për abdes, atëherë çfarë kam që nuk po mund të falem?” Ai iu përgjigj: “Të kanë lidhur mëkatet e tua!”

Fudajl ibën Ijadi ka thënë: “Nëse nuk mundesh të falesh natën dhe të agjërosh ditën, dije se je penguar dhe ke lakuar prej rrugës. Pra, të kanë larguar prej rrugës mëkatet tua”.

Nëse nuk mundesh që t’ia japish hakun namazit të natës, atëherë bëhu siç thoshin disa prej selefit: “Nëse nuk mundësh të falësh namaz nate atëherë mos i bën mëkat Zotit tënd gjatë ditës”.

Sehl ibën Sad, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se një ditë i erdhi Xhibrili, alejhi selam, Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O Muhamed, jeto sa të duash se një ditë do vdesësh, duaj kë të duash se një ditë do ndahesh prej tij, puno çfarë të duash se një ditë do shpërblehesh për atë çfarë ke bërë, dhe dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit”.

E lus Allahun të na bëj dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kur’anit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Kërkoj falje tek Allahu për mua dhe ju dhe për të gjithë muslimanët prej çdo mëkati. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti

Nga arabishtja: Irfan JAHIU